Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë muajit qershor 2026 ka shqiptuar gjithsej 1,744 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve të cilët janë kapur duke qarkulluar me shpejtësi mbi kufijtë e lejuar.
Sipas Policisë, aktivitetet e kontrollit janë zhvilluar në kuadër të projektit “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, i cili zhvillohet nën moton “Mos e mat jetën me kilometra në orë”.
“Policia Rajonale e Ferizajt, gjatë muajit qershor 2026, ka shqiptuar gjithsej 1,744 gjoba ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara”, thuhet në komunikatën e Policisë. Autoritetet policore kanë apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.
“Shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë dhe përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz”, thuhet më tej në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
Gjithashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke raportuar shkeljet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat zyrtarë të policisë, duke garantuar ruajtjen e plotë të konfidencialitetit të raportuesve. / Telegrafi
