Policia e Kosovës, më , ka njoftuar se ka gjobitur dy drejtues të automjeteve si pasojë e garave ilegale të shpejtësisë. Policia bën të ditur se rasti ka ndodhur në Gjakovë ku njësia rajonale e trafikut rrugor ka shqiptuar gjoba në shumën prej 500 eurosh, 5 pikë negative dhe masë mbrojtëse të patentë shoferit me kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Gjobitja ka ndodhur gjatë patrullimit të njësive rajonale të trafikut në kuadër të planifikimeve për ngritjen e sigurisë në komunikacion, me ç’rast është arritur të parandalohen garat e shpejtësisë me automjete në këtë qytet.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u bën thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë e komunikacionit rrugor, përmes bashkëpunimit në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe shmangies së sjelljeve të rrezikshme gjatë drejtimit të automjeteve.
