Plani madhështor si Barcelona ia mori Real Madridin epitetin si

0%

Kur Spanja publikoi listën e lojtarëve për Kupën e Botës 2026, në pamje të parë dukej si një njoftim i zakonshëm. Në listë ishin emra si Lamine Yamal, Pedri, Gavi dhe Pau Cubarsi, por një statistikë tërhoqi menjëherë vëmendjen e opinionit.

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, Spanja udhëtoi në turne pa asnjë lojtar të Real Madridit, ndërsa Barcelona kontribuoi me plot tetë futbollistë në përbërjen e “La Roja”. Ky ndryshim simbolizon transformimin e futbollit spanjoll dhe filozofive të dy klubeve më të mëdha të vendit.

Për dekada me radhë, kombëtarja spanjolle ndërtohej rreth figurave të Real Madridit, me emra si Iker Casillas, Sergio Ramos, Xabi Alonso, Fernando Hierro dhe Emilio Butragueno që ishin shtyllat e ekipit. Në këtë Botëror situata është krejt ndryshe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Marc Cucurella është lojtari i vetëm i lidhur me Real Madridin, por ai u grumbullua kur ishte ende futbollist i Chelseat, ndërsa transferimi i tij në Madrid u finalizua më vonë.

Nëse merret si bazë skuadra e sezonit të kaluar e Real Madridit, asnjë lojtar nuk është pjesë e Spanjës dhe kjo nuk lidhet me lëndime apo mungesë forme, por me mënyrën se si klubi ka ndërtuar ekipin gjatë viteve të fundit. Real Madridi ka zgjedhur të ndërtojë skuadrën me yjet më të mirë të botës, pavarësisht kombësisë.

Kylian Mbappe, Vinicius Junior, Jude Bellingham, Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni janë shembuj të këtij modeli, ku objektivi kryesor mbetet dominimi në Ligën e Kampionëve. Barcelona, në anën tjetër, ka ndjekur një rrugë krejt tjetër. Për shkak të krizës financiare, klubi u detyrua të mbështetej më shumë se kurrë te akademia La Masia.

Nën drejtimin e Hansi Flickut, lojtarë si Lamine Yamal, Pau Cubarsi, Gavi dhe Fermin Lopez janë shndërruar në shtyllat e ekipit, ndërsa Pedri është zhvilluar në një nga mesfushorët më të mirë në botë.

Ky model ka ndihmuar drejtpërdrejt edhe përzgjedhësin Luis de la Fuente, pasi shumë prej futbollistëve të Spanjës luajnë së bashku çdo javë te Barcelona dhe e njohin në mënyrë perfekte stilin e njëri-tjetrit. Spanja ka treguar këtë harmoni edhe në Kupën e Botës, ku pas barazimit me Kepin e Gjelbër mposhti Arabinë Saudite, Portugalinë dhe Belgjikën për të siguruar një vend në gjysmëfinale.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Barcelona përbën bazën e kombëtares spanjolle. Edhe skuadra që fitoi Euro 2008, Kupën e Botës 2010 dhe Euro 2012 mbështetej te Xavi Hernandez, Andres Iniesta, Sergio Busquets, Gerard Pique, Carles Puyol dhe Pedro, por atëherë kishte një ekuilibër me yjet e Real Madridit si Casillas, Ramos dhe Xabi Alonso. Në vitin 2026 ai ekuilibër nuk ekziston më.

Sipas analizës, kriza financiare e Barcelonës, e kombinuar me punën e Hansi Flickut dhe zhvillimin e brezit të ri të La Masias, ka krijuar një avantazh që nuk mund të blihet në merkato. Real Madridi mund të transferojë futbollistët më të mirë në botë, por nuk mund të krijojë automatikisht lidhjen dhe harmoninë që kanë lojtarët e rritur së bashku në akademinë e Barcelonës.

Nëse Spanja arrin të fitojë Kupën e Botës 2026, trofeu do t’i takojë gjithë vendit, por ndikimi i Barcelonës në këtë sukses do të jetë më i madh se kurrë më parë./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi