Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK, më , kanë njoftuar për pezullimin e protestës e cila ishte thirrur për sot, më , shkaku i mosekzekutimit të pagave për muajin qershor.
Përmes një komunikate për media, organizatorët e kësaj proteste kanë bërë të ditur se vendimi i qeverisë për miratimin e kërkesës për alokimin e ndarjeve buxhetore në vlerë prej 2.24 milionë euro për RTK-në i ka shtyrë që të pezullojnë këtë protestë.
Sipas sindikalistëve të RTK-së, ky vendim i hap rrugën tejkalimit të një situate të papranueshme, “në të cilën punëtorët e RTK-së u detyruan të punojnë 13 ditë pa paga”. Por në komunikatë thuhet se pezullimi i protestës nuk nënkupton se çështja është mbyllur. “Asnjë punëtor nuk duhet të detyrohet kurrë më të punojë pa marrë pagën e tij.
Kërkojmë nga të gjitha institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete dhe të krijojnë mekanizma që garantojnë financim të qëndrueshëm të RTK-së dhe pagesën e rregullt të pagave. Punëtorët nuk do të pranojnë të jenë peng i bllokadave politike, neglizhencës institucionale apo dështimeve menaxheriale.” – thuhet në komunikatën për media.
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, më , ka miratuar kërkesën për alokimin e ndarjeve buxhetore në shumë prej 2 milionë e 240 mijë euro për Radiotelevizionin e Kosovës. Në një njoftim të punëtorëve të RTK-së thuhej se kjo vonesë është shkaktuar për shkak se buxheti i RTK-se për 6-mujorin e dytë ende nuk është transferuar nga Thesari i shtetit.
Mosekzekutimin me kohë të pagave Federata Sindikale të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) e ka quajtur të papranueshme. Kjo federatë ka thënë se nuk do të lejojnë që vonesa e pagave të shndërrohet në normalitet në RTK duke theksuar se kjo nuk është hera e parë.
