Pesë ankesa janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke shtyrë për momentin procesin e certifikimit të rezultateve.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të PZAP-it, ankesa janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lista Serbe (Srpska Lista) dhe Nova Demokratska Stranka (NDS). Dy ankesa janë dorëzuar nga PDK, dy nga NDS dhe një nga Lista Serbe.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për Telegrafin se KQZ nuk komenton çështjet që ndodhen në procedurë ankimore. Haxhiu dhe Kryeziu nga PDK dorëzojnë ankesë në PZAP: Rezultatet e KQZ-së janë të pasakta “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton çështjet që janë në proces ankimor.
Si në çdo rast, KQZ do t’i përgjigjet, brenda afatit, kërkesës së PZAP-it, institucionit kompetent për shqyrtimin e ankesave në procesin zgjedhor, duke sqaruar të gjitha çështjet e nevojshme”, ka thënë Elezi. Ai shtoi se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore.
“Pasi ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ janë parashtruar disa ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Elezi.
Ankesat e paraqitura kanë të bëjnë kryesisht me pretendime për parregullsi me votat dhe mungesë të votave. Pas vendimmarrjes së PZAP-it, palët do të kenë të drejtë ankese edhe në Gjykatën Supreme, përpara se KQZ të mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
