Vëllai i një prej trafikantëve më të njohur të drogës në Ekuador është vrarë të dielën nga persona të armatosur që ishin maskuar si policë. Policia bëri të ditur se David Macias, 35 vjeç, ishte udhëheqës rajonal i grupit të fuqishëm kriminal “Los Choneros”, i cili deri vonë drejtohej nga vëllai i tij, Adolfo Macías, i njohur me nofkën “Fito”.
Adolfo Macías ndodhet në pritje të gjykimit në Shtetet e Bashkuara, pas ekstradimit nga Ekuadori vitin e kaluar. Grupi “Los Choneros” është shpallur organizatë terroriste e huaj nga SHBA-ja dhe akuzohet si një nga grupet kriminale përgjegjëse për rritjen e madhe të vrasjeve në Ekuador. Sipas autoriteteve, David Macias u vra në orët e para të së dielës.
Dëshmitarët thanë se persona të veshur si policë hynë në shtëpinë që ai kishte marrë me qira në një lagje luksoze në qytetin Olón, në bregdetin e Paqësorit, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv. Sulmuesit u larguan pas atentatit dhe deri tani nuk ka të arrestuar lidhur me rastin.
Autoritetet kanë theksuar se liderët e bandave shpesh bëhen objektiv i sulmeve nga organizata rivale kriminale ose edhe nga anëtarë të vetë grupeve të tyre, si pjesë e përplasjeve të brendshme për kontroll.
Vrasja e David Macias është goditja e fundit për “Los Choneros”, pas arrestimit të vëllait të tij Adolfo vitin e kaluar dhe arrestimit të një tjetër vëllai, Javier, muajin e kaluar në Kolumbi.
