Brukseli po kërkon të ringjallë procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe që të mërkurën mund të diskutojë kërkesën e saj për hapjen e Kapitullit 3 të negociatave. Por kryeqytetet e BE-së mbeten të ndara nëse masat e fundit janë të mjaftueshme për të kompensuar përkeqësimin më të gjerë demokratik. Për disa vende, është shumë shpejt dhe kërkohet më shumë.
Vendimi i Serbisë për të shfuqizuar reformat e diskutueshme në drejtësi ka rihapur debatin brenda Bashkimit Evropian se si të balancohet angazhimi strategjik me standardet demokratike, duke nxjerr në pah ndarjet nëse Beogradi ka bërë mjaftueshëm për të ringjallur procesin e anëtarësimit.
Komisioni Evropian të hënën u paraqiti shteteve anëtare një dokument informues, ku shpjegon pse beson se reformat e fundit të Serbisë justifikojnë hapjen e Kapitullit 3 të negociatave për anëtarësim, të cilin Beogradi ka kërkuar ta zhbllokojë pas vitesh ngecjeje.
Dokumenti, i datës 3 korrik dhe i siguruar nga Euronews , thotë se Komisioni beson se Serbia ka korrigjuar “rrëshqitjen prapa” të identifikuar në fillim të këtij viti dhe ka ndërmarrë hapa për të forcuar kapacitetet e Prokurorisë për Krimin e Organizuar. Megjithatë, ai pranon se “ende kërkohet punë e mëtejshme në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial”.
Por intervistat me më shumë se një duzinë diplomatësh, zyrtarësh të BE-së dhe ekspertësh tregojnë se tërheqja e fundit e Serbisë ka bërë pak për të kapërcyer ndarjet mes shteteve anëtare, mbështetja unanime e të cilave kërkohet që procesi i anëtarësimit të vazhdojë.
Derisa disa argumentojnë se Beogradi duhet të vlerësohet për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të tjerë thonë se shfuqizimi i reformave nuk mjafton për të përmbysur vite të tëra të regresit demokratik dhe shqetësimet e vazhdueshme për pavarësinë e gjyqësorit, korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Komisioni i Venecias është organ këshillues i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese. Për shumë zyrtarë në Bruksel, debati shkon përtej vetëm një kapitulli negociator.
Serbia mbetet ekonomia më e madhe në Ballkanin Perëndimor dhe një partner me rëndësi strategjike, duke bërë që disa zyrtarë të argumentojnë se vazhdimi i angazhimit është mënyra më e mirë për të nxitur reforma të mëtejshme. Të tjerë kundërshtojnë se shpërblimi i përparimit gradual, përpara ndryshimeve më themelore, rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së.
Debati ka marrë rëndësi shtesë pas njoftimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se synon të japë dorëheqjen pas tetë vitesh në detyrë dhe të shpallë zgjedhje brenda tre deri në katër muajve të ardhshëm.
Derisa mbështetësit e kanë paraqitur këtë si fillimin e një kapitulli të ri politik, kritikët argumentojnë se kjo është një lëvizje taktike që mund t’i mundësojë atij të ruajë pushtetin duke synuar postin e kryeministrit. Komisioni Evropian, megjithatë, theksoi se çdo vendim përfundimtar u takon qeverive të BE-së.
“Vendimi për të vazhduar procesin e anëtarësimit të Serbisë mbetet në duart e Këshillit”, tha zëdhënësi. Pritet që kjo çështje të ngrihet në një takim të ambasadorëve në Bruksel të mërkurën. Një ekuilibër strategjik i vështirë Debati i fundit u nxit pasi Beogradi shfuqizoi një paketë ligjesh të diskutueshme për drejtësinë, të miratuara në shkurt dhe të njohura kolektivisht si ligjet Mrdiq.
Kjo erdhi pas kritikave të ashpra nga Komisioni i Venecias. Ky vendim u mirëprit nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila e cilësoi si një “hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur” dhe tha se diskutimet për agjendën më të gjerë të reformave në Serbi po vazhdonin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë gjithashtu se Serbia mund të përparojë në negociatat e anëtarësimit nëse zbaton reformat, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, së fundmi sugjeroi se përafrimi me rekomandimet e Komisionit të Venecias mund të ndihmojë në avancimin e procesit.
Por pas këtyre deklaratave publike fshihet një debat më i ndërlikuar. Disa zyrtarë të BE-së argumentojnë se ruajtja e dialogut me Beogradin është strategjikisht e rëndësishme, pavarësisht mangësive demokratike të Serbisë dhe refuzimit të saj për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Nga këndvështrimi i Komisionit, shkëputja nga Serbia rrezikon të dobësojë ndikimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe të largojë një vend që konsiderohet thelbësor për stabilitetin rajonal. Por kjo qasje nuk ndahet nga të gjithë.
Në përgjigje të pyetjeve të Euronews, një zëdhënës i Komisionit konfirmoi se ekzekutivi i BE-së u ka dërguar shteteve anëtare një dokument informues ku shpjegon pse beson se hapat e fundit të Serbisë mund të justifikojnë hapjen e Kapitullit 3.
Për disa diplomatë, njohja e reformave të fundit të Serbisë do të përforconte parimin se vendet kandidate shpërblehen kur zbatojnë rekomandimet e Brukselit dhe Komisionit të Venecias.
Një diplomat i BE-së argumentoi se mosnjohja e përparimit konkret rrezikon ta shndërrojë Serbinë në “Maqedoninë e Veriut të radhës” – një vend që mori statusin kandidat në vitin 2005, por që vazhdimisht ka parë të pengohen ambiciet e tij për anëtarësim pavarësisht reformave.
Të tjerët mbeten skeptikë Disa diplomatë i thanë Euronews se, megjithëse shfuqizimi i ligjeve për drejtësinë ishte i mirëpritur, ai nuk i zgjidh shqetësimet më të gjera për sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Një diplomat tha se shfuqizimi vetëm e ka kthyer Serbinë “në pikën zero”, ndërsa një tjetër argumentoi se reformat nën Kapitullin 1 – që mbulon bazat e procesit të anëtarësimit, përfshirë sundimin e ligjit – mbeten testi i vërtetë nëse Beogradi është gati për përparim domethënës.
Debati pasqyron dilemën kryesore me të cilën përballet tani BE-ja: nëse reformat graduale duhet të shpërblehen si mënyrë për ta mbajtur Serbinë të lidhur me Bashkimin Evropian, apo nëse kjo rrezikon të dërgojë sinjalin e gabuar për standardet që priten nga vendet kandidate. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
