Ka përfunduar protesta e 26-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë. Ashtu si në ditët e mëparshme të protestës, pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Mijëra protestues janë drejtuar fillimisht drejt qendrës së Tiranës dhe më pas kanë vijuar marshimin pranë godinës së Parlamentit, ku janë ndalur për disa minuta.
Gjatë qëndrimit pranë Parlamentit, qytetarët kanë hedhur thirrje kundër institucionit, duke brohoritur: “Parlamenti i krimit!” dhe “Parlament analfabet!” Më pas, marshimi ka vijuar në drejtim të rrugës së Elbasanit dhe më tej drejt stadiumit “Air Albania”, ku protestuesit kanë vijuar thirrjet kundër kryeministrit dhe klasës politike.
“Rama jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!”, “Rama në burg, Berisha në burg” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë marshimit. Protestuesit u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen, duke brohoritur: “Bashkohuni me ne!” Nga zona e stadiumit “Air Albania”, turma është rikthyer sërish drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku ka përfunduar edhe protesta e sotme.
Në mbyllje të marshimit, qytetarët kanë përsëritur thirrjet kundër kryeministrit, mes tyre edhe: “Rama, Rama, f*ck you”, duke iu referuar deklaratës së bërë më herët nga Edi Rama. Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.
