Shpërndaje në: Zvicra do të përballet me Algjerinë në Vancouver në mëngjesin e së premtes, në kuadër të 1/16 të finales së Kupës së Botës. Në qendër të vëmendjes do të jetë Vladimir Petkoviq, i cili e udhëhoqi për shtatë vjet Zvicrën përpara se të merrte drejtimin e Algjerisë. Petkoviq e drejtoi Zvicrën nga viti 2014 deri në vitin 2021, dhe njeh pikat e forta dhe të dobëta të helvetikëve.
Nëse njohuritë e tij për Zvicrën do të jenë avantazh taktik, do të mësohet pas ndeshjes. Megjithatë, Zvicra është pjekur dhe ka fituar përvojë më të madhe nën drejtimin e përzgjedhësit aktual, Murat Yakin. Zvicra e Yakinit vlerësohet më e fortë se që ishte nën drejtimin e Petkoviqit. Zvicra mbështetet në dyshen e mesfushës, Granit Xhaka dhe Remo Freuler.
Armë e fortë e Zvicrës në këtë Botëror ka qenë talenti, Johan Manzambi, i cili ka shënuar tre gola dhe ka bërë një asistim gjatë fazës së grupeve. Zvicra në 1/16 e finales paraqitet si fituese e Grupit B. Algjeria u kualifikua si një nga tetë përfaqësueset më të mira të vendeve të treta. Kërcënimi më i madh për Zvicrën është lojtari me përvojë, Riyad Mahrez.
Nëse Mahrez 35-vjeçar është në formë të mirë, paraqet problem për çdo mbrojtje. Petkoviq kishte ndërtuar në Kupën e Botës 2022 një skuadër që menaxhonte mirë presionin dhe krijonte kundërsulme të shpejta. Ai e di që helvetikët luajnë në të njëjtën mënyrë edhe aktualisht. Por do të përpiqet që t’i eliminojë në 1/16 e finales të Botërorit që po mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
