Edhe 27 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, qindra familje nga rajoni i Dukagjinit vazhdojnë të jetojnë mes shpresës dhe dhimbjes, pa e ditur se çfarë ndodhi me më të dashurit e tyre.
Rreth 400 persona nga Peja, Klina, Istogu dhe Deçani vazhdojnë ende të figurojnë në listën e personave të zhdukur me forcë, ndërsa pas secilit emër fshihet një histori e ndërprerë, një familje që pret dhe një plagë që nuk është mbyllur.
Këto rrëfime dhe kujtime i sjell dokumentari kushtuar rajonit të Pejës, i cili dokumenton mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në zonën e Dukagjinit.
Përmes dëshmive të familjarëve, hulumtuesve dhe përfaqësuesve institucionalë, dokumentari rikujton krimet e kryera ndaj popullatës civile, ku shumë viktima u torturuan, u vranë dhe trupat e tyre u zhdukën me qëllim që të fshiheshin gjurmët e krimeve.
Dokumentari në rajonin e Pejës pasqyron edhe pasojat që mungesa e së vërtetës vazhdon t’u shkaktojë mijëra familjeve, të cilat prej më shumë se dy dekadash jetojnë me traumën e humbjes, një barrë që shpesh është bartur edhe te brezat e lindur pas luftës. Në këtë mund ta shikoni dokumentarin të plotë.
Pas shfaqjes së dokumentarit në Pejë është mbajtur edhe një debat, ku përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile diskutuan për sfidat në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, mungesën e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe përgjegjësinë e institucioneve për të zbardhur fatin e atyre që ende mungojnë.
Në panel morën pjesë prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.
Gjatë diskutimit, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se vitet e fundit institucionet kanë ngritur mekanizma të veçantë për hetimin e krimeve të luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke theksuar se çdo informacion i ri, sado i vogël të duket, mund të çojë në zbulimin e një varri apo në identifikimin e mbetjeve mortore.
Në vitin 2023 është funksionalizuar Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale, ndërsa Policia e Kosovës ka krijuar Njësinë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Njësinë e Posaçme për Personat e Zhdukur, e cila merret ekskluzivisht me trajtimin e informacioneve për këtë kategori.
“Besoj që këto tri vite kanë bërë punë të madhe në drejtim të personave të pagjetur dhe përpunimit të informacioneve që kemi marrë. Vetëm në vitin 2025 kemi kryer 55 aktivitete që lidhen me personat e pagjetur. Prej tyre, 32 kanë qenë gërmime ose zhvarrime me urdhër të gjykatës, ndërsa 22 kanë qenë shikime të lokacioneve që kemi vlerësuar se mund të jenë me interes” – tha Morina.
Ai theksoi se ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga lufta, rëndësia e çdo dëshmie nuk është zbehur. “Unë e di që ka kaluar një kohë e gjatë dhe njerëzit mund të mendojnë se pas 25 apo 26 vjetësh informacionet nuk kanë më rëndësi. Jo, nuk është e vërtetë. Çdo informacion që ju keni është i rëndësishëm.
Si rezultat i informacioneve të qytetarëve, vetëm gjatë vitit 2025 kemi pasur 24 gjetje të mbetjeve mortore. Nga to, 20 kanë qenë trupa të plotë, ndërsa katër kanë qenë mbetje eshtrash” – u shpreh ai. Duke iu përgjigjur pyetjes për natyrën e informacioneve që kanë ndihmuar hetimet, Morina solli shembuj konkretë të rasteve të zbuluara falë reagimit të qytetarëve.
Ai përmendi rastin në Podujevë, ku familjarët, gjatë punimeve në varreza, kishin hasur në një batanije të dyshimtë dhe njoftuan menjëherë Policinë e Kosovës. Pas sigurimit të vendit të ngjarjes dhe marrjes së urdhrit nga gjykata, institucionet zhvilluan gërmimet, të cilat rezultuan me gjetje të mbetjeve mortore.
Një rast tjetër, sipas tij, u shënua në Deçan, ku disa qytetarë gjatë ecjes në një zonë malore vunë re një grumbull eshtrash të zbuluara, dyshohet si pasojë e erozionit. Edhe ky informacion u trajtua menjëherë nga institucionet dhe rasti vazhdon të hetohet.
Morina u bëri thirrje veçanërisht të rinjve që të mos hezitojnë të raportojnë çdo informacion që mund të kenë dëgjuar nga familjarët ose banorët për vendndodhje të mundshme të varreve apo raste të personave të zhdukur. “Mjafton të thirrni Policinë e Kosovës ose numrin kujdestar të Prokurorisë Speciale.
Çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë vendimtar për zbardhjen e fatit të një personi të zhdukur” – tha Morina.
Duke e zhvendosur diskutimin nga aspekti hetimor te barra që vazhdon të rëndojë mbi familjet, përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se pavarësisht përparimit të bërë ndër vite, fakti që ende nuk dihet fati i 1,656 personave tregon se procesi është larg përfundimit.
Sipas tij, sfida sot nuk është vetëm gjetja e personave të zhdukur, por edhe ruajtja e kujtesës në një kohë kur kanë kaluar 27 vjet nga lufta dhe familjet po përballen me ndërrimin e gjeneratave. “Siç u pa edhe në dokumentar, sot po përballemi me një fazë tjetër. Brenda shumë familjeve, dhimbja dhe historitë tragjike po barten nga brezi në brez.
Ka familje që vazhdojnë të jetojnë me ankthin e pritjes dhe, në njëfarë mënyre, jetojnë ende për ata që vazhdojnë të na mungojnë” – tha Gara. Ai theksoi se pas çdo statistike fshihen vite të tëra kërkimesh në terren dhe përpjekjesh për të zbardhur fatin e viktimave.
Sipas Garës, gjatë 27 vjetëve të fundit në Kosovë janë trajtuar mbi 2,700 lokacione të dyshuara, ndërsa vetëm në rajonin e Pejës janë zhvilluar më shumë se 400 vlerësime, gërmime dhe operacione në terren. Megjithatë, ai tha se rajoni i Dukagjinit mbetet ndër zonat më të goditura nga pasojat e luftës.
“Në bazë të të dhënave që posedojmë si Komision Qeveritar, në këtë regjion janë identifikuar më shumë se 2 mijë viktima të vrara dhe të zhdukura. Edhe sot kemi mbi 390 persona të zhdukur vetëm në rajonin e Pejës. Prandaj, pavarësisht të arriturave që janë shënuar ndër vite, ende ka shumë punë për t’u bërë” – u shpreh ai. Gara bëri të ditur se kërkimet nuk janë ndalur as gjatë këtij viti.
Ai tha se vetëm gjatë pesë muajve të parë janë trajtuar rreth dhjetë lokacione të reja, njëri prej tyre në Lloqan të Deçanit, pas informacioneve të siguruara nga familjarët dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale dhe shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur.
Ai nënvizoi se shumë nga rastet e reja vazhdojnë të dalin pikërisht falë bashkëpunimit me qytetarët, familjet dhe aktivistët që prej vitesh dokumentojnë krimet e luftës, duke i cilësuar informacionet e tyre si një hallkë të rëndësishme në procesin e kërkimit. Gara theksoi se institucionet do ta vazhdojnë punën deri në zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur.
“Do të vazhdojmë me angazhim maksimal, bashkë me Prokurorinë Speciale, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Policinë e Kosovës dhe, mbi të gjitha, me familjet e personave të zhdukur. Çështja e personave të zhdukur do të mbetet prioritet deri në identifikimin e personit të fundit në listën e të zhdukurve” – tha Gara.
Duke shpjeguar arsyet që çuan në realizimin e kësaj serie dokumentarësh, kryeredaktori i KALLXO.com dhe ideatori i projektit, Kreshnik Gashi, tha se nisma lindi nga frika se shumë dëshmi për krimet e luftës mund të humbnin përgjithmonë bashkë me njerëzit që i bartnin. “Realisht, kur kemi vendosur t’i hyjmë kësaj pune, ka qenë koha e COVID-it.
Kemi pasur një reflektim personal: pse nuk i kemi intervistuar familjarët tanë për ta dokumentuar atë që ka ndodhur gjatë luftës? Gjatë pandemisë pamë njerëz që po largoheshin nga kjo botë bashkë me historitë e tyre dhe nuk deshëm ta toleronim më këtë” – tha Gashi. Ai tregoi se disa nga personat që dhanë dëshmi për dokumentarët nuk arritën as t’i shihnin ato të transmetuara.
“Na ka ndodhur që njëri prej të intervistuarve të vdiste para transmetimit të dokumentarit. Intervistën e tij e transmetuam vetëm pasi ai nuk ishte më në mesin tonë” – rrëfeu ai. Sipas Gashit, gjatë intervistave ekipi hasi edhe në një realitet tjetër të dhimbshëm, shumë prej familjarëve nuk ua kishin treguar kurrë historitë e tyre as fëmijëve dhe as njerëzve më të afërt.
“Pjesën më të madhe të historive të tyre nuk i kishin ndarë as me familjarët. Shumë prej tyre kanë zgjedhur t’i mbrojnë fëmijët dhe familjen nga trauma duke heshtur për vite me radhë. Ne u kemi dhënë mundësinë që rrëfimi i tyre të dokumentohet dhe të mbetet për brezat që vijnë” – tha ai.
Ai sqaroi se ajo që publiku sheh në dokumentar është vetëm një pjesë e vogël e dëshmive të mbledhura, pasi secila intervistë zgjat disa orë dhe dokumenton në hollësi ngjarjet e luftës. Por, sipas tij, dokumentimi nuk kishte qëllim vetëm ruajtjen e kujtesës.
Gashi tha se projekti synon edhe të zgjojë ndërgjegjen e njerëzve që mund të kenë informacione për vendndodhjen e personave të zhdukur. “Ne synojmë të gjejmë dëshmitarë edhe në anën e agresorit. Njerëz që kanë parë ku janë varrosur viktimat ose kush i ka vrarë.
Shpresojmë që dikush prej tyre ta gjejë guximin të flasë, sepse pikërisht dëshmitë e tilla kanë ndihmuar edhe në proceset gjyqësore për krimet e luftës” – tha ai.
Në këtë kuadër, Gashi theksoi se dokumentarët nuk janë ndërtuar vetëm mbi rrëfimet e shqiptarëve, por përfshijnë edhe dëshmi të pjesëtarëve të komuniteteve serb, rom, ashkali dhe egjiptian, me synimin që historia e luftës të dokumentohet në tërësinë e saj dhe të krijohet hapësirë që edhe ata që dinë diçka për fatin e të zhdukurve të vendosin të flasin.
Ai shtoi se për këtë arsye dokumentarët po shfaqen në komuna të ndryshme të Kosovës dhe po pasohen me debate publike, në mënyrë që diskutimi të mos mbetet vetëm në ekran. “Në çdo rajon ka histori që ende nuk janë rrëfyer. Këta njerëz vazhdojnë të jetojnë me traumën e mosdijes.
Ka familjarë që për vite me radhë kanë shkuar dhjetëra herë për të identifikuar rroba apo mbetje mortore, duke shpresuar se më në fund do të marrin një përgjigje. Janë histori që nuk kanë përfunduar në vitin 1999 dhe njerëz që ne i takojmë çdo ditë, në rrugë, në punë e në fakultet” – përfundoi Gashi.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.
