Paraguai eleminon Gjermaninë nga Botërori pas penalltive

0%

Paraguai ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Kupës së Botës, pasi mposhti Gjermaninë në gjuajtjet e penalltive në ndeshjen e vlefshme për 1/16 e finales. Pas 120 minutave lojë, sfida u mbyll në barazim 1:1, ndërsa skuadra paraguajane u tregua më e saktë nga pika e bardhë. Gjermanët e nisën takimin me një qasje sulmuese.

Trajneri Julian Nagelsmann zgjodhi një formacion me dy sulmues, duke aktivizuar Kai Havertzin në rolin e organizatorit të lojës, ndërsa Deniz Undav ishte lojtari më i avancuar në repartin ofensiv. Që në fillim të ndeshjes, Gjermania mori kontrollin e lojës dhe ushtroi presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit.

Paraguai u përqendrua kryesisht në mbrojtje, duke qëndruar pranë zonës së vet për pjesën më të madhe të fraksionit të parë. Megjithatë, edhe pse gjermanët dominuan në posedim, nuk arritën të krijonin raste të pastra, pasi mbrojtja paraguajane reagoi me disiplinë, ndërhyrje të sakta dhe faulle taktike kur ishte e nevojshme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kur pritej që pjesa e parë të mbyllej pa gola, Paraguai goditi në minutën e 42-të. Mathias Galarza harkoi nga krahu i djathtë, ndërsa Julio Enciso përfitoi nga mungesa e mbulimit në zonë dhe me një goditje të saktë me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar ekipin e tij në epërsi 1:0. Gjermania reagoi menjëherë pas pushimit.

Në minutën e 54-t, Florian Wirtz provoi me një goditje drejt portës, ndërsa Kai Havertz devijoi topin me kokë pranë shtyllës së parë, duke realizuar golin e barazimit 1:1. As koha e mbetur e rregullt dhe as vazhdimet nuk prodhuan fitues, me të dyja skuadrat që nuk arritën të ndryshonin rezultatin.

Fati i ndeshjes u vendos në penallti, ku Paraguai tregoi më shumë saktësi dhe triumfoi me rezultat 4:3, duke shkaktuar një nga befasitë më të mëdha të këtij edicioni të Kupës së Botës dhe duke eliminuar një prej pretendentëve kryesorë për titull. Falë këtij suksesi, Paraguai avancon në fazën e 1/8 së finales, ku do të presë fituesin e përballjes mes Francës dhe Suedisë.

Burimi: sinjali.com