Autoritetet kineze kanë vendosur kufizime për operatorët privatë të aviacionit, duke pezulluar fluturimet e avionëve të lehtë me krahë të fiksuar pas rrëzimit të një aeroplani të vogël në një nga ndërtesat më të larta të Pekinit javën e kaluar.
Nga aksidenti humbi jetën piloti, ndërsa 13 persona të tjerë mbetën të plagosur, pasi avioni u përplas me Kullën CITIC (China Zun), rrokaqiellin më të lartë në kryeqytetin kinez. Sipas gazetës britanike Financial Times, operatorët e avionëve të vegjël dhe kompanitë e fluturimeve pa motorë janë urdhëruar të ndalojnë aktivitetin e tyre pas incidentit.
Gjithashtu janë pezulluar edhe shërbimet e parashutizmit dhe paraglidingut në kuadër të një urdhri kombëtar për kontrollin e hapësirës ajrore që mbulon fluturimet rekreative. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se sa do të zgjasin kufizimet. Avioni i përfshirë në aksident ishte një Sunward SA60L Aurora, një avion sportiv i lehtë me dy vende, i prodhuar në Kinë.
Pamjet nga vendngjarja treguan mbeturina që binin nga kulla 528 metra e lartë pas përplasjes, ndërsa pjesa e bishtit të avionit u gjet në tokë. Autoritetet në Pekin kanë nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Sipas të dhënave të Flightradar24, aktiviteti i avionëve privatë në Kinë, me përjashtim të fluturimeve komerciale dhe të transportit të mallrave, ra ndjeshëm një ditë pas incidentit.
