Pacientët me kancer metastatik të gjirit tash e dy muaj pa terapi

0%

Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Tash e dy muaj në Klinikën e Onkologjisë mungon njëri prej barnave më të rëndësishme për trajtimin e pacientëve me kancer të avancuar të gjirit. Bëhet fjalë për Palbociclibi, ilaç që përdoret për trajtimin e pacientëve me kancer metastatik të gjirit, me qëllim të ngadalësimit të përparimit të sëmundjes. K.

H., paciente në Klinikën e Onkologjisë dhe përdoruese e kësaj terapie, ka thënë se për shkak të mungesës së barit ka mbetur pa trajtim, ndërsa gjendja e saj ka nisur të përkeqësohet. “Pra, një muaj e gjysmë, gati dy muaj, jam pa terapi dhe s’kam bërë zgjidhje kurrgjë. Tash ato dhimbjet kanë filluar me m’u shfaqë ma shumë, se unë jam me metastaza.

Fillova me pas ndikim shumë të mirë prej kësaj terapie, e tash, për shkak të mungesës, dhimbjet kanë filluar me m’u shfaqë. Domethënë, këto pasojat e tjera s’po muj me i përballu. Po mundohem me i përballu, po s’po mundem”, ka thënë ajo. K.H. është shprehur se prej dy muajsh nuk ka arritur ta sigurojë terapinë, pasi nuk ka mundësi financiare ta blejë vetë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, çmimi i këtij ilaçi është i papërballueshëm për të. “E kam marrë pesë muaj, e tash është muaji i gjashtë që kam pasë me marrë më 10 maj. Për pesë muaj kam pasë sukses, ka stagnu, nuk është rritë. E bana rezonancën dhe ka stagnu, nuk kam pasë rritje. Tash nuk e di çka bahet në trupin tem. Unë s’kam mundësi as me ble.

Në Kosovë nuk kam këqyrë, por në Kroaci dhe në Slloveni, disa të afërm më kanë tregu se kushton 1.900 euro në Slloveni, 1.850 euro në Kroaci. Unë nuk i kam kushtet. Burri punon për 500 euro. A me jetu, a me ble barna”, ka thënë ajo. Edhe pacientja tjetër, Y. G., ka thënë se është detyruar ta sigurojë vetë terapinë, por jo produktin e njëjtë që e merrte në Klinikën e Onkologjisë.

“Unë kur e kam ble, e kam ble nja ma lirë, me prejardhje indiane. Ndërsa ato që i marrim te Pfizer-i, që e kanë efektin ma të mirë, që është i ngjashëm me atë në klinikë, mua më kanë thanë se kushton 1.500 euro. Kështu që jam tu prit, nuk e di çka me thanë. Por ai stresi që po mungon bari, mundet me avancu sëmundja. E dini, jeni të informum, e kam këtë kancerin metastatik.

E kam pak tek eshtrat, pak te mushkëritë dhe probleme të tjera. Jam duke prit edhe një javë, e nëse nuk vjen, duhet me ba një zgjidhje”, ka thënë Y. G.

KOHA i ka dërguar pyetje Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, si institucioni përgjegjës për furnizimin e klinikave me barna, për të sqaruar arsyet e mungesës së këtij ilaçi dhe hapat që do të ndërmerren për sigurimin e tij, por nuk ka marrë përgjigje të hënën.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës pati hapur muajin e kaluar një tender në vlerë mbi 6 milionë euro, të ndarë në tetë llote, për furnizim me barna nga Lista Esenciale. Lloti i gjashtë përfshinte edhe furnizimin me Palbociclib, për të cilin vlera e parashikuar në dosjen e tenderit për 24 muaj ishte 1 milion e 950 mijë.

Për këtë llot pati ofertuar vetëm një operator ekonomik me çmim prej 1 milion e 624 eurosh, por aktiviteti i prokurimit u anulua pasi, sipas vendimit të autoritetit kontraktues, nuk pati ofertë të përgjegjshme.

Burimi: Koha