Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Terapia për pacientët me kancer metastatik e që kushton nga 1.500 deri në 1.900 euro për një cikël trajtimi, që tre muaj nuk gjendet në Klinikën e Onkologjisë. Palbociclib është ilaç që përdoret për trajtimin e pacienteve me kancer metastatik të gjirit për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes.
E pavarësisht mungesës së vazhdueshme, as Klinika e Onkologjisë dhe as Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës nuk kanë dhënë sqarime se pse furnizimi po vonohet dhe kur pritet të rifillojë dhënia e kësaj terapie.
Ylfete Gashi, e cila trajtohet me Palbociclib, ka thënë se pacientët nuk kanë marrë asnjë njoftim nga klinika, ndërsa shpresa e vetme për ta mbetet që terapia të arrijë sa më shpejt. “Terapinë unë, dmth, që 1 muaj e tash nëse nuk vjen, hyj në muajin e dytë.
Kur e kam marrë unë terapinë, të nesërmen veç u kanë mungesë, dmth të tjerët pacientë nuk e kanë marrë as të majit, qershorit, e dmth hyjmë edhe në korrik. Se e dini qysh është gjendja, çmimet janë shumë të mëdha. Hajt, disi ia bën, po po mbajmë shpresë që po vjen në klinikë”, ka thënë pacientja Gashi.
Edhe Arbëri 2 j. më parë Pacientët me kancer metastatik të gjirit tash e dy muaj pa terapi Edhe pacientja tjetër, Kimete Hoxha, ka thënë se këtë javë e ka të planifikuar të shkojë për kontroll në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa shprehet e shqetësuar se gjendja e saj po përkeqësohet çdo ditë.
“Jo, zgjidhje s’kam bërë, se të hënën kam m’u kthy në Prizren për t’i bërë analizat, me shiku sa m’u kanë rritur vlerat ose a i kam hup a kanë stagnu. Edhe të mërkurën kam me shku në Onkologji se kam kontroll, se e marr edhe Zometën. E veten çdo ditë e ma lodhët, jam t’u e ndie, çdo ditë e ma keq, po çka me ba tash, të shoh në bazë të analizave”, ka thënë Hoxha.
Shenja të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore thotë se ka filluar të vërejë edhe një paciente tjetër, e cila nuk ka mundësi ta blejë terapinë me mjete vetanake. “Jam lodhur shumë, nuk kam më fuqi. Po e vërej se gjendja po më rëndohet. Një muaj e sigurova terapinë privatisht, por nuk kam mundësi ta vazhdoj edhe muajin tjetër.
Është shumë e vështirë të sigurohen rreth 1.600 euro çdo muaj”, ka thënë një paciente, në kushte anonimiteti. KOHA ka raportuar edhe më herët për mungesën e terapisë me Palbociclib.
Edhe Arbëri 1 muaj më parë Pacientët me kancer paraqiten për terapi nga ora 4 e mëngjesit Edhe pas raportimit të para dy javëve, por edhe tani, SHSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me arsyet e mungesës së këtij ilaçi dhe kohën se kur pacientët do ta kenë sërish në dispozicion.
Palbociclib është pjesë e Listës Esenciale të Barnave, që nënkupton se shteti duhet ta sigurojë për qytetarët që kanë nevojë.
