Zvicra dhe Kolumbia nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës gjatë kohës së rregullt, duke barazuar 0-0 në përballjen e fazës së 1/8 së finales të Kupa e Botës. Pas 90 minutave të luftuara, fituesi do të përcaktohet në vazhdime ose eventualisht në penallti. Ndeshja nisi me ritëm të mirë, me të dyja skuadrat që u treguan të kujdesshme në mbrojtje, por nuk munguan rastet për shënim.
Kolumbia krijoi rastin më të mirë të pjesës së parë në minutën e 21-të, kur Gustavo Puerta provoi me një goditje të fuqishme nga distanca, por portieri Gregor Kobel reagoi në mënyrë fantastike duke e devijuar topin në goditje nga këndi. Zvicra u kundërpërgjigj në minutën e 30-të.
Fabian Rieder depërtoi bukur në zonë dhe goditi drejt qendrës së portës, por portieri kolumbian ishte në vendin e duhur për të shmangur golin. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa të dy trajnerët kërkuan më shumë freski në pjesën e dytë të lojës. Në minutën e 49-të, zviceranët kërkuan penallti pasi Dan Ndoye u rrëzua në zonë pas një dueli me një mbrojtës kolumbian.
Futbollistët protestuan fuqishëm, por gjyqtari bëri shenjë që loja të vazhdonte. Zvicra iu afrua golit në minutën e 53-të, kur Fabian Rieder ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi, por topi kaloi shumë pranë shtyllës së majtë. Megjithatë, asnjëra skuadër nuk arriti të gjejë golin vendimtar në kohën e rregullt.
Pas 90 minutave rezultati mbeti 0-0, ndërsa fituesi i kësaj sfide të 1/8 së finales së Botërorit do të përcaktohet pas vazhdimeve./ Telegrafi
