Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar fundin e epidemisë së hantavirusit që u shfaq mes pasagjerëve të anijes turistike MV Hondius, pothuajse tre muaj pas regjistrimit të rastit të parë. Tre persona humbën jetën dhe 13 të tjerë u infektuan pasi u ekspozuan ndaj virusit të Andeve, një lloj i rrallë i hantavirusit, gjatë lundrimit me anijen MV Hondius.
Anija kishte nisur udhëtimin nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër më 1 prill, para shpërthimit të epidemisë. Të enjten, zyrtarët e OBSH-së njoftuan se personi i fundit i identifikuar si kontakt i ngushtë i një rasti të konfirmuar ka përfunduar periudhën e karantinës dhe ka rezultuar negativ.
“Nga rastet e konfirmuara të shtruara në spital, tetë janë shëruar dhe janë larguar nga spitali, ndërsa dy, një në Afrikën e Jugut dhe një në Francë, mbeten ende të shtruar”, thuhet në njoftimin e OBSH-së. Që nga 25 maji nuk janë raportuar raste të reja të lidhura me shpërthimin në anijen turistike.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka reaguar në platformën X lidhur me përfundimin e epidemisë. Megjithatë, OBSH ka theksuar se do të vazhdojë të punojë me qeveritë dhe partnerët për të kuptuar më mirë shkaqet e shpërthimit dhe vetë virusin.
OBSH falënderoi vendet që u përfshinë në reagimin ndaj situatës, përfshirë Argjentinën, Kepin e Gjelbër, Kilin, Holandën, Afrikën e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe Spanjën për ndihmën në evakuimin dhe riatdhesimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit në Tenerife. MV Hondius mori lejen për t’u rikthyer në shërbim në mesin e qershorit.
Agjencia holandeze e shëndetit publik, në një përditësim të 30 majit, bëri të ditur se nga pikëpamja shëndetësore nuk kishte më pengesa për rikthimin e anijes në shërbim pas inspektimeve përfundimtare. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
