Shpërndaje në: Erling Haaland ka shënuar golat, por ishte portieri i Norvegjisë, Orjan Nyland ai që hodhi themelet për fitoren mahnitëse ndaj Brazilit. Nyland, që është pa skuadër aktualisht, priti penallti dhe bëri pritje të shumta e vendimtare të tjera në fitoren 2:1 të Norvegjisë ndaj Brazilit në një të tetën e finales së Kupës së Botës.
Me shumë gjasë Nyland do të ishte vetëm portier rezervë sikur FIFA të merrte vendim tjetër lidhur me të drejtën e një portieri tjetër për të luajtur për Norvegjinë. Portieri i Bodo/Glimt, Nikita Haikin, ka shkëlqyer në edicionin e kaluar dhe mori pasaportën e Norvegjisë më herët këtë vit.
Dukej se ai do të ishte portieri i parë i Norvegjisë në Botëror, në vend të 35-vjeçarit Nyland, kontrata e të cilit me Sevillan mbaroi në fund të qershorit. Megjithatë, në maj FIFA refuzoi kërkesën e Haikinit për të kaluar te Norvegjia. I lindur në Izrael, Haikin më herët është paraqitur te Rusia në nivelin e 21-vjeçarëve.
FIFA refuzoi kërkesën për shkak të kërkesave për rregullat e rezidencës. Dhe kjo hapi rrugë për shfaqjen spektakolare të Nylandit. Ndaj Brazilit, ai priti penallti të hershme të Bruno Guimaraesit dhe më pas shfaqi nivel të lartë. Ndali gjuajtje nga Vinicius Jr dhe Endrick, ndërsa pamundësoi edhe atë që do të ishte autogol spektakolar nga Kristoffer Ajer.
Te Sevilla, Nyland ishte shpesh në stol. Dhe pak do të kishin besuar se ai do të ishte gati për vepra të tilla heroike. Por kur vendi i tij e ftoi, portieri me përvojë ishte në nivel. “Është mirë të jem këtu në Kupën e Botës, në ndeshjen më të rëndësishme të jetës sime.
Dhe thjesht duhet t’i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë aty për mua, gruan time Tine e cila më ndihmoi kur kisha më së shumti nevojë dhe tre fëmijët e mi fantastikë, të cilët kanë qenë aty gjithashtu, në ngjitjet dhe në rëniet që kisha. E falënderoj edhe pjesën tjetër të familjes po ashtu”, ka thënë Nyland pas fitores historike ndaj Brazilit.
Nylandi e përfundoi ndeshjen me një konflikt verbal me Neymarin, pasi Brazilit iu dha një penallti në fund. Ylli brazilian ishte i saktë nga pika e bardhë, por portieri qeshi i fundit kur u dëgjua fishkëllima përfundimtare e arbitrit. Portieri tregoi se nuk kishte ofertë nga klube të tjera, por se kishte ndërmend të vazhdonte karrierën.
“Ishte ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime”, ka thënë Nyland. Ai tashmë i ka 75 paraqitje për Norvegjinë. Pas karrierës në Norvegji, ai u paraqit për skuadra si Ingolstadt, Aston Villa, Norwich City, Bournemouth, Reading, Leipzig e Sevilla. Por vetëm paraqitja ndaj Brazilit e bëri emër të njohur në futbollin ndërkombëtar. Dhe sigurisht do t’i sigurojë skuadër të re.
