Nuk e japim Albinin, flamengo

0%

Nga: Fadil Lepaja Shpërndaje në: A do të lindë kjo klasë e re, me kulturë të re politike në Shqipëri, varet shumë nga urtia, durimi dhe spontaniteti i lëvizjes protestuese. Nëse sforcohet dhe ngarkohet tepër, mund edhe ta abortojë… Protestuesit paqësorë, pra lëvizja “flamengo”, në Tiranë, kanë hedhur sloganet: Rama ik, Sali ik, Kurti eja. Më saktë, Rama në burg, Saliu në burg.

Ndërsa Kurtin po e thërrasin, në Tiranë. Ndoshta po e thërrasin ashtu kot, sa për të formësuar idenë se çfarë lloj lideri po kërkon Shqipëria. Një lider me 16 euro e ca centë në konto. Të ndershëm edhe mund të gjeni, por me 16 euro e ca centë… nuk e japim pra. Po të kërkonin ndonjë tjetër nga qeveria, parlamenti, mbase edhe mund ta konsideronim. Pastaj, ku të shkojë Kurti?

Në zyrën e rregulluar pa shije të Edit ekstravagant? Të përballet me artin e Ramës? Mund të përballet Albini me shtete “fqinje” të Shqipërisë si Greqia, Serbia, Italia, Kolumbia, Ekuadori, Afganistani…? Do të bjerë në gjunjë para kryeministres Meloni? Ka edhe probleme të tjera. Për shembull, kjo do të prishte marrëdhëniet e Shqipërisë me presidentin serb, Vuqiç.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Do të tërhiqeshin marrëveshjet e fshehta për territore. Do të bënte terminalin në Vlorë, pastaj edhe centralin me gaz. Pastaj, e kërkojnë vetëm Kurtin apo edhe këshilltarët nga Tirana, të akomoduar në Prishtinë? Ata mund të kenë edhe më shumë se 16 centë, nuk e dimë, nuk e deklarojnë pasurinë. Sido që ta kenë menduar, nuk e japim.

Tash, nëse insistohet fort dhe protestuesit fillojnë të lëkundin eshtrat e patriotëve nga Kosova, apo të thonë: Albin Ismail Qemali të thërret… apo Albin, amaneti i Isa Boletinit të thërret, duhet menduar. Isai dridhi Londrën… Sidoqoftë, para se ta japim Albinin, duhet parë puna me kujdes. Gjithashtu, duhet parë përse Serbia akuzon Kurtin për protesta.

Edhe ata kanë “flamengot” e tyre, pra studentët. Edhe ata përzunë Kushnerin dhe Ivankën nga “Generalshtab-i”. Vuqiç i cili tash një vit po përballet me protesta, sikurse Rama, akuzoi opozitën, shërbimet e jashtme, perëndimore, madje u përmend edhe Kurti. Por studentët edhe pse u joshën nga opozita, kleronacionaliste, apo properëndimore, nuk u bënë opozitë.

Duan të ndërrojnë klasën politike, pozitë e opozitë, me qeveri teknike. Edhe ata luftojnë korrupsionin, kërkojnë ligjshmëri, nuk lejojnë të shitet vendi i tyre, kërkojnë perspektivë për të rinjtë. Mbushin sheshet e Beogradit, sikurse të Tiranës. Kulmi i luftës së regjimit kundër protestave, përpos shtypit mercenar, ishte krijimi i grupit të “Studentëve që duan të mësojnë”.

Ata u vendosën si barrikadë që të mbrojnë presidentin nga protestuesit, pra nga studentët që nuk duan të mësojnë. Ndërkaq për të mbrojtur “studentët që duan të mësojnë” regjimi thirri në ndihmë krimin. Por protesta në Tiranë është në fillim, fare. Ndoshta edhe në Tiranë, si kundërpeshë do të formohet grupi i “flamengove që duan turizëm elitar”… Luftë mes flamengosh.

Apo luftë me pelikanët? Por, kjo lëvizje që filloi në Spanjë, Gjermani, Sllovaki, Bullgari, Greqi, ndodhi edhe në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, kishte dalë po ashtu nga një proces pak a shumë i ngjashëm, për të marrë pastaj formën e një partie të majtë.

U nis si protestë kundër oligarkëve dhe politikanëve servilë kosovarë që u akuzuan se po e vidhnin Kosovën, po bënin pazar territoret dhe të ardhmen e saj. Mbi këtë bazë po formësohej një lëvizje shoqërore për shtet dhe ligj, që luftonte korrupsionin dhe promovonte patriotizëm kushtetues.

Ju kujtohet, gjithçka filloi me një gomar, që po e tërhiqnin aktivistët e kësaj lëvizjeje për ta bërë deputet. Mbase formësimi i shpejtë politik, bëri që lëvizja të merrte drejtim ideologjik të majtë dhe të devijonte nga ideja e qytetarisë dhe shtetit social evropian. Nejse… e nisën pa ideologji, por u bënë të majtë.

Pastaj gjithçka e formuluan në një slogan eurosocialist “Shtet për të gjithë, të gjithë për shtet”. “Vetëvendosja” e qytetarëve në Serbi dhe Shqipëri, përtej mendësisë ballkanike, ende po refuzon të marrë formë politike. Aktivistët që po burgosen e viktimizohen ende janë vetëm segmente të kësaj lëvizjeje të pa artikuluar.

Ndoshta “Vetëvendosje” në Kosovë, erdhi shumë shpejt në pushtet, ende pa u diferencuar dhe krijuar klasa e re politike. Duke e bërë opozitë krejt klasën e vjetër politike, ajo po konfrontohet edhe me elitën e vjetër ekonomike, të pasuruar para lufte apo pas saj e cila po qëndron pas opozitës së re që vazhdon me konfrontime historike. Këtu ngjashmëritë përfundojnë.

Lëvizjet në Serbi dhe Shqipëri, nuk po duan ende të nxjerrin një grup që do të luftonte me shtet klasën e vjetër politike të korruptuar dhe të konfrontuar mes vete. Sipas deklarimeve po duan ta krijojnë klasën e re politike, të diferencuar tashmë brenda lëvizjes dhe përmes një qeverie teknike e cila do të rregullonte lojën para se të shkohet në zgjedhje.

Shkuarja e shpejtë në zgjedhje do të kthente lëvizjen në një organizim militant, ndërsa luftën për shtet dhe ligj do ta kthente në luftë të egër dhe individuale për pushtet. Edhe Opinion 6 muaj më parë E treta e vërteta: Zgjedhjet si bast politik Në Shqipëri, masiviteti dhe entuziazmi nuk po bie, ndërkohë që Kryeministri po tallet me protestuesit.

Përderisa fuqia e kryeministrit është te policia dhe interesat e fuqishme ekonomike, fuqia e këtyre protestave është në karakterin paqësor, kreativitetin dhe frymën demokratike, me të cilën janë zgjuar edhe votuesit e fjetur. Duket se besojnë se vetëm kështu mund të formësohet kultura dhe klasa e re politike, qytetaria shqiptare.

A do të lindë kjo klasë e re, me kulturë të re politike në Shqipëri, varet shumë nga urtia, durimi dhe spontaniteti i lëvizjes protestuese. Nëse sforcohet dhe ngarkohet tepër, mund edhe ta abortojë…

Burimi: Koha