Shpërndaje në: Kosova ka nisur hapat e parë për zbatimin e marrëveshjes me Danimarkën për pranimin e të burgosurve danezë në Gjilan.
Për këtë, Qendra e Paraburgimit është zbrazur nga stafi e të paraburgosurit, dhe do t’u nënshtrohet përshtatjeve sipas standardeve të sistemit korrektues danez Ilirjana Thaqi Qendra e Paraburgimit në Gjilan është boshatisur të enjten, nga personat e dyshuar për precedentë penalë dhe nga stafi i këtij institucioni.
Shërbimi Korrektues ka bërë të ditur se ata janë transferuar në institucione të tjera korrektuese, me qëllim që objekti të riparohet përpara se të vendosen në të, të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, konform marrëveshjes që Kosova e ka lidhur me këtë shtet.
“Qendra e Paraburgimit në Gjilan do të mbyllet përkohësisht për shkak të fillimit të punimeve për përshtatjen e këtij institucioni sipas standardeve dhe rregullave daneze të sistemit korrektues. Për këtë arsye, të burgosurit dhe stafi do të transferohen në institucione të tjera korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Procesi i transferimit po realizohet sipas planit operativ dhe pritet të përfundojë brenda ditës”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. E Oda e Avokatëve ka njoftuar të gjithë anëtarët që, për qëllim të mbrojtjes së klientëve, ta mësojnë vendin ku ata janë transferuar.
“Me qëllim të shmangies së vonesave procedurale dhe garantimit të ushtrimit efektiv të mbrojtjes, Oda e Avokatëve të Kosovës i njofton të gjithë avokatët që përfaqësojnë persona të privuar nga liria që deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues në të cilin ndodhen klientët e tyre, para ndërmarrjes së vizitave apo veprimeve procedurale”, thuhet në njoftimin e Odës së Avokatëve.
Marrëveshja 10-vjeçare për transferimin e të burgosurve është nënshkruar në vitin 2022 mes Kosovës dhe Danimarkës. Ajo parasheh që Danimarka të marrë me qira 300 qeli burgu në Gjilan, kurse Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.
Sipas marrëveshjes, të burgosurit që do të transferohen nga Danimarka nuk duhet të jenë të dënuar për krime të rënda dhe me mbi 10 vjet burgim, dhe të mos kenë probleme mendore. E 200 milionë eurot nga kjo marrëveshje, është paralajmëruar se do të investohen në energjinë e rinovueshme.
Marrëveshja pati hasur në kundërshtime në Danimarkë, dhe për një kohë është pezulluar për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave të të burgosurve.
