Kosova ka nisur zyrtarisht procesin e licencimit të udhërrëfyesve turistikë, me ndarjen e licencave të para për profesionistët e këtij sektori.
Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, bëri me dije se ky proces shënon fillimin e një sistemi të rregulluar të licencimit, i cili synon vendosjen e standardeve të qarta për një profesion me rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit.
“Udhërrëfyesit turistikë janë ata që e lidhin vizitorin me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e një vendi” , theksoi Bogujevci, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes profesionale, përgjegjësisë dhe njohurive të sakta në këtë fushë.
Sipas saj, krijimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka mundësuar një qasje më të strukturuar ndaj zhvillimit të turizmit, duke e trajtuar atë si një sektor me potencial të madh ekonomik dhe kulturor për Kosovën.
Ndarja e licencave të para konsiderohet një hap i rëndësishëm në profesionalizimin e shërbimeve turistike dhe në përmirësimin e mënyrës se si vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë njihen me historinë, kulturën dhe vlerat e vendit. Bogujevci uroi udhërrëfyesit e parë të licencuar, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e Kosovës si destinacion turistik.
