Komuna e Kamenicës ka njoftuar se janë nënshkruar kontratat me 48 biznese nga skema e subvencioneve, të cilët do të përfitojnë mbështetje për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre.
Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku kanë pritur në takim përfituesit e subvencioneve në kuadër të thirrjes publike për mbështetjen e bizneseve lokale. Gjithsej kanë përfituar 48 biznese, vlera e përgjithshme e subvencioneve të ndara është 132,500.00 euro.
Përfituesit sipas veprimtarisë janë:1 biznes prodhues, 10 biznese përpunuese, 4 biznese shërbyese, 33 biznese ndërtimore. “Përmes këtyre subvencioneve po krijojmë mundësi që ato të investojnë, të rrisin kapacitetet e tyre dhe të hapin vende të reja pune”, ka thënë Nënkryetarja Bajralija.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku theksoi se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe në përputhje me kriteret e thirrjes publike. “Është viti i katërt që komuna ndanë grante për bizneset. Qëllimi i këtij subvencionimi është të mbështesim bizneset që kanë potencial për zhvillim dhe zgjerim të aktivitetit të tyre.
Besojmë se kjo mbështetje do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve lokale dhe në zhvillimin ekonomik të komunës sonë”, ka thënë Drejtori Dërmaku .
