Shpërndaje në: Dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur për të ndjekur arkivolin e Ajatollah Ali Khameneit, të mbështjellë me flamurin iranian, i cili transportohej me një kamion përgjatë një rruge prej 10 kilometrash që kalonte përmes sheshit të njohur Enghelab në kryeqytet.
Ky proces u zhvillua pasi trupi i tij qëndroi për dy ditë për homazhe në Xhaminë e Madhe Mosalla në Teheran, raporton BBC. Tre nga djemtë e Khameneit u panë teksa luteshin pranë arkivolit të tij të dielën. Megjithatë, Mojtaba Khamenei, djali që e pasoi në postin e Udhëheqësit Suprem, nuk u shfaq.
Ai nuk është parë në publik që kur u raportua se ishte plagosur rëndë në të njëjtin sulm ajror izraelit në Teheran më 28 shkurt, ku u vranë edhe babai dhe bashkëshortja e tij.
E pjesëmarrësit në funeralin masiv të organizuar nga shteti, morën pjesë edhe në një ceremoni simbolike të quajtur “goditja me gurë e djallit”, duke hedhur gurë të vegjël mbi një fotografi të presidentit amerikan Donald Trump, sipas pamjeve të publikuara nga agjencia shtetërore iraniane Mizan.
Rituali i “goditjes me gurë të djallit” është pjesë e Haxhit, ku pelegrinët myslimanë hedhin gurë drejt shtyllave që simbolizojnë djallin, si shenjë e refuzimit të së keqes. Burra, gra dhe fëmijë mbushën rrugët e kryeqytetit duke mbajtur flamujt e Republikës Islamike të Iranit dhe fotografi të liderit të ndjerë.
Në një rast tjetër, një grua qëndronte buzë rrugës duke mbajtur flamurin iranian në njërën dorë dhe një pankartë të ngjashme me një poster “kërkohet”, ku shfaqej fytyra e Donald Trump dhe mbishkrimi “Vriteni Trumpin”, raporton CNN. Në pankartë premtohej një shpërblim për këdo që do të hakmerrej për vdekjen e liderit të ndjerë: “Shpërblim për atentat.
I vdekur ose i gjallë. 20,000,000 dollarë.” Shfaqjet kundër Amerikës, përfshirë thirrjet “Vdekje Amerikës”, djegien e flamurit amerikan dhe simbole të ngjashme, kanë qenë pjesë e zakonshme e tubimeve të organizuara nga shteti iranian që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Gjatë procesionit funeral, pjesëmarrësit shpërndanë gjithashtu një listë me emrat e “këshilltarëve luftënxitës” të Trumpit, të cilët konsiderohen përgjegjës për vdekjen e Ajatollah Khameneit dhe si objektiva të mundshëm.
Të dhënat tregojnë se pothuajse një e treta e cisternave kaluan së fundmi përmes rrugës pranë Omanit Ndërsa vëmendja është përqendruar te funerali i ish-Udhëheqësit Suprem, ka zhvillime edhe lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Sipas të dhënave të agjencisë së monitorimit detar MarineTraffic, pothuajse një e treta e anijeve që kaluan Ngushticën e Hormuzit gjatë ditëve të fundit përdorën korridorin detar përgjatë bregdetit të Omanit. Nga e premtja deri të dielën, gjithsej 108 anije kaluan ngushticën. Prej tyre, 30 anije, përfshirë cisterna nafte dhe gazi të lëngshëm (LPG), ndoqën rrugën pranë Omanit.
Numri më i madh i kalimeve u regjistrua të premten me 43 anije, ndërsa të shtunën kaluan 34 dhe të dielën 31.
