Java e parë e qershorit u shënua me Paradën e Krenarisë, nën moton “Barazi ose Revoltë”. Një numër i madh aktivistësh, përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarësh u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë paradë të organizuar në kuadër të Javës së Krenarisë.
Parada e cila u promovua edhe në rrjetet sociale u përcoll me reagime e komente të ndryshme, përfshirë ato të cilat shfaqnin gjuhë të urrejtjes.
“Këta mbeturina të Kosovës”, “Allahu ju mallkoftë e dënoftë”, “Këta duhet me i përzënë mos me i lanë me mbajt koncerte e me naj flliq edhe fmitë tanë, Zoti i ka mallku”, “Flaka ju daltë tanve edhe atyre që ju përkrahin”, janë vetëm disa nga komentet dhe gjuha që është përdorur në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook.
Këto komente shihen edhe nëpër agjenci të lajmeve të cilat funksionojnë online. Edhe pse Kodi Penal parasheh dënime të ashpra, gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale vazhdon të mbetet e patrajtuar, sidomos në rastet kur ajo drejtohet ndaj komunitetit LGBTIQ+.
Për personat LGBTI+, paragjykimet dhe trajtimi i pabarabartë po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien, sigurinë dhe cilësinë e jetës së tyre. Këto fenomene nuk shfaqen vetëm përmes komenteve fyese apo përjashtimit shoqëror.
Ato prekin edhe arsimin, punësimin, qasjen në shërbime dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke bërë që shumë individë të ndihen të detyruar ta fshehin identitetin e tyre nga frika e refuzimit dhe diskriminimit. Erduani* është një nga përfaqësuesit e komunitetit LGBTI+ në Kosovë, i cili rrëfen përvojën e tij me diskriminimin në vendin e punës.
Ai tregon se, gjatë kohës sa punonte në një nga televizionet e Kosovës, ishte përballur me urrejtje dhe trajtim diskriminues, gjë që e detyroi të largohej nga puna. “Po, e kam përjetuar. Kam qenë duke punuar në njërin prej televizioneve dhe kam pasur diskriminim direkt në punë, por edhe indirekt nga drejtuesit e kësaj media. Ka ndikuar aq shumë saqë jam detyruar ta ndërpres punën.
Një punë që e kam dashtë shumë, por që s’kam mujt me e bo për shkak që s’jam ndi rahat për shkak të diskriminimit që e kam përjetuar”- thotë ai. Përvoja e tij nuk përfundoi vetëm me largimin nga puna. Erduani* thotë se kjo situatë i kishte shkaktuar stres të vazhdueshëm dhe presion emocional, veçanërisht kur trajtoheshin tema që lidhen me komunitetin LGBTI+.
“Sa herë që e kemi trajtuar çështjet LGBTIQ+ dhe kemi ftuar ndonjë mysafirë për intervista, gjithë e kom pas njëfarë shqetësimi se çka kanë me thanë kolegët e mi ose qysh kanë me luajt hajgare”- shton Erduani*.
Ai tregon se mbështetjen më të madhe e kishte gjetur te organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI+, ndërsa tek institucionet nuk kishte ndjerë siguri për ta raportuar rastin. “Sa i përket institucioneve nuk kam qenë i sigurt me shku dhe me paraqit rastin tim të diskriminimit. Ka qenë pak e vështirë me e bo se jam tut”- tregon tutje i njëjti.
Sipas tij, angazhimi më i madh i institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI+ do të ndikonte drejtpërdrejt në integrimin e tyre në shoqëri dhe në krijimin e një ambienti më të sigurt për secilin. Ndërkohë, rrjetet sociale janë shndërruar në një hapësirë ku gjuha e urrejtjes përhapet me shpejtësi, duke prekur jo vetëm komunitetin LGBTI+, por edhe grupe të tjera shoqërore.
Remzie Shahini-Hoxhaj, zëvendësdekane e Fakultetit të Filologjisë dhe profesoreshë e Komunikimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vlerëson se mediat tradicionale dhe ato që shpërndajnë përmbajtje përmes rrjeteve sociale, në përgjithësi, nuk përdorin gjuhë të urrejtjes, me përjashtim të një numri të vogël mediash jokredibile.
“Gjuha e urrejtjes nxit urrejtje, denigrim, stigmatizim, kështu që kjo është e dëmshme në çdo aspekt. Mediat janë krijues të opinionit publik, prandaj kjo ndikon edhe në perceptimin publik. Ka edhe media qe kanë ndryshuar perceptimin publik për këtë komunitet.
Ka podcaste e emisione të cilat iu kanë dedikuar këtij komuniteti dhe e kanë edukuar publikun rreth këtij komuniteti.” Duke folur për përgjegjësinë e mediave në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave ndaj komunitetit LGBTI+, Shahini-Hoxhaj thekson se media ka rol kyç në informimin dhe edukimin e publikut.
“Duhet te këtë më shumë emisione artikuj që i drejtohen këtij komuniteti. Informatat e mangëta ose të pasakta shpijnë drejt paragjykimeve.” Në anën tjetër, padukshmëri, gjuhë e urrejtjes dhe mungesë e edukimit përbëjnë sfidat më të mëdha me të cilat përballet komuniteti LGBTI+ në zonat me shumicë serbe në Kosovë, paralajmërojnë nga Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) në Mitrovicën e Veriut.
Edhe pse ligjet ofrojnë një nivel të caktuar mbrojtjeje, zbatimi i tyre mbetet i kufizuar, ndërsa stigma shoqërore vazhdon të jetë e theksuar. Sipas menaxheres së projektit në ACDC, Andrea Todić, komuniteti LGBTI+ në zonat me shumicë serbe pothuajse nuk është i dukshëm në jetën publike.
Pikërisht kjo padukshmëri është një nga përfundimet kryesore të hulumtimit që organizata realizoi vitin e kaluar në veri të Kosovës. “Publiku në përgjithësi nuk është i vetëdijshëm për ekzistencën e personave LGBTQI+, dhe kur kjo është realitet, është e vështirë të flitet për problemet më të thella me të cilat përballet ky komunitet”, thotë Todić.
Sipas saj, gjuha e urrejtjes mbetet një nga problemet më serioze. Ajo është veçanërisht e pranishme në mjediset më të vogla, ku komentet fyese dhe të dhunshme ndaj personave LGBTI+ janë të shpeshta.
“Deklarata si: ‘Unë do t’i vrisja të gjithë’ ose ‘Duhet t’i varin publikisht si shembull’ nuk janë të rralla dhe nuk përbëjnë ndonjë surprizë”, thonë nga organizata, duke shtuar se mesazhe të tilla ndonjëherë u drejtohen drejtpërdrejt edhe pjesëtarëve të komunitetit”, thekson Andrea.
Megjithatë, rastet e hapura të diskriminimit në zonat me shumicë serbe regjistrohen më rrallë, por jo për shkak të një pozite më të mirë të komunitetit. Arsyeja, siç shpjegon ajo, është se shumica e personave LGBTI+ nuk e bëjnë publik orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor, nga frika e pasojave. Gjatë vitit të kaluar, ACDC realizoi projektin e parë LGBTQI+ në veri të Kosovës.
Në kuadër të projektit u zhvillua një hulumtim, u organizua një aksion në rrugë dhe u mbajtën dy ngjarje kulturore me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe hapjen e hapësirës për diskutim mbi të drejtat dhe pozitën e komunitetit.
Sa i përket dallimeve ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar në qëndrimet ndaj personave LGBTI+, nga organizata theksojnë se nuk ka hulumtime që do të mundësonin nxjerrjen e përfundimeve të besueshme. Bazuar në përvojën nga terreni, ata vlerësojnë se dallimet janë më pak të theksuara sesa ato ndërmjet qyteteve të mëdha dhe zonave më të vogla.
“Si serbët ashtu edhe shqiptarët në qytetet më të mëdha tregojnë një nivel më të lartë pranimi, ndërsa në mjediset më të vogla, si Mitrovica, qëndrimet shpesh janë po aq armiqësore”, thonë nga kjo organizatë joqeveritare.
Si masa kyçe për përmirësimin e pozitës së komunitetit LGBTI+, ACDC thekson nevojën për edukim sistematik të punonjësve në institucione, përfshirjen e temave mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor në sistemin arsimor, zbatimin e vazhdueshëm të ligjeve ekzistuese dhe përmirësimin e mëtejshëm të kornizës ligjore. Sipas tyre, përgjegjësi të veçantë kanë edhe mediat.
“Mediat nuk duhet të raportojnë në mënyrë sensacionaliste, por të përdorin gjuhë të ndjeshme dhe të dënojnë qartë çdo formë diskriminimi dhe gjuhe të urrejtjes”, porosisin nga organizata.
Në përfundim, ata theksojnë se përfaqësimi më i madh i personave LGBTI+ në hapësirën publike dhe në të gjitha segmentet e shoqërisë është një hap i domosdoshëm drejt zvogëlimit të paragjykimeve dhe krijimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
Në qershor të vitit 2025, aktivistet Arlinda Morina dhe Uresa Ahmeti kishin dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj një komentuesi online, D.R., i cili publikoi një mesazh me gjuhë urrejtjeje dhe thirrje për dhunë ndaj komunitetit LGBTIQ+. Më , Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj tij për veprën penale të kanosjes.
Megjithatë, më shumë se shtatë muaj më vonë, Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk kishte caktuar seancën e shqyrtimit fillestar, ndërsa aktakuza nuk është bërë publike për shkak se procedura gjyqësore nuk kishte nisur në kohën kur kishte publikuar artikullin KALLXO.com më .
