Antonio Conte ka marrë një ofertë të jashtëzakonshme nga Arabia Saudite, me Al-Ittihad që raportohet se është i gatshëm t’i ofrojë 20 milionë euro në sezon për ta emëruar trajner të ri të skuadrës. Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, klubi saudit dëshiron që 56-vjeçari të marrë drejtimin e ekipit pas largimit të Sergio Conceicaos.
Conte është aktualisht pa klub, pasi në fillim të muajit qershor ndërpreu me marrëveshje të dyanshme kontratën me Napolin. Gjatë dy sezoneve në krye të Napolit, Conte arriti të fitojë titullin e Serie A në sezonin e parë dhe Superkupën e Italisë në të dytin, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një prej trajnerëve më të suksesshëm italianë.
Megjithatë, sipas të njëjtit burim, prioriteti i Contes mbetet rikthimi në stolin e kombëtares së Italisë. Ai konsiderohet, së bashku me Roberto Mancinin, një nga dy kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e “Azzurrëve” pas largimit të Gennaro Gattusos, i cili u tërhoq nga posti pas eliminimit të Italisë në finalen e play-offit të Kupës së Botës ndaj Bosnjë e Hercegovinës.
Presidenti i sapozgjedhur i Federatës Italiane të Futbollit pritet fillimisht të emërojë drejtorin e ri teknik të përfaqësueses, përpara se të marrë vendimin për trajnerin e ardhshëm. Sipas Corriere dello Sport, drejtimi i kombëtares italiane vazhdon të jetë objektivi kryesor i Antonio Contes.
