Nga: Carole Megevand Shpërndaje në: Trajektorja e Kosovës gjatë 25 vjetëve të fundit tregon se çfarë mund të arrijnë partneriteti i qëndrueshëm, institucionet e shëndosha, dhe politikat e kujdesshme.
Por rruga drejt standardeve të jetesës në nivel të Bashkimit Evropian mbetet e gjatë dhe kufizimet janë të dukshme: një treg i vogël i brendshëm, kapital njerëzor i shfrytëzuar jomjaftueshëm, dhe një sektor privat që ka nevojë për kushte më të mira dhe qasje më të madhe në kapital Kosova është një vend i ri, i ri për nga mosha e popullsisë, një nga më të rinjtë në një Evropë të plakur, dhe i ri në historinë e saj si shtet.
Që nga fundi i luftës, Grupi i Bankës Botërore ka qëndruar përkrah Kosovës, duke mbështetur fillimisht rindërtimin me fokus në riformësimin e institucioneve fiskale dhe financiare, rivendosjen e shërbimeve bazë si arsimi, shëndetësia, rrugët, mbështetjen e sektorit privat dhe zhvillimin me bazë komunitetin.
Gjatë 25 vjetëve të fundit, Grupi i Bankës Botërore është angazhuar pothuajse në çdo sektor të ekonomisë, me një fokus të vazhdueshëm në ndërtimin e institucioneve të forta. Dhe rezultatet janë inkurajuese. Gjatë dekadës së fundit, PBB-ja për frymë e Kosovës ka ndjekur një rritje të konsiderueshme, nga rreth 3,500 dollarë amerikanë në vitin 2015 në mbi 6,000 dollarë amerikanë tani.
Vendi u ngjit në statusin e të ardhurave të mesme të larta në vitin 2018 dhe doli nga lista e vendeve “të brishta” të Grupit të Bankës Botërore vitin e kaluar. Kosova gjithashtu ka fituar reputacion për menaxhim të kujdesshëm makrofiskal, rritje ekonomike të qëndrueshme, dhe nivele të ulëta të deficitit dhe borxhit. Megjithatë rrëfimi nuk ka përfunduar.
Të ardhurat për frymë të Kosovës mbeten vetëm rreth 15 për qind e mesatares së BE-së dhe me ritmet aktuale të rritjes, për mbylljen e këtij hendeku do të duhen dekada. Megjithëse në një trajektore të fortë rënëse, niveli i varfërisë mbetet një nga më të lartit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ka ende shumë punë përpara dhe Grupi i Bankës Botërore është i përkushtuar ta vazhdojë këtë rrugëtim me Kosovën. Pse vendet e punës duhet të jenë në qendër Në Grupin e Bankës Botërore, ne vendosim vendet e punës në qendër të të gjithë fushëveprimit të institucionit, si qëllim udhëzues për ne.
Kjo sepse vendet e punës u japin njerëzve qëllim dhe dinjitet, nxjerrin familjet nga varfëria, nxisin rritjen ekonomike dhe veprojnë si ngjitësi që mban shoqëritë së bashku, dhe janë rruga më e drejtpërdrejtë drejt stabilitetit. Më e rëndësishmja, shumica e këtyre vendeve të punës do të vijnë nga sektori privat, jo nga qeveritë.
Duke e njohur këtë, Grupi i Bankës Botërore e ka ndërtuar Strategjinë për Vendet e Punës mbi tri shtylla të ndërlidhura: (i) hedhja e themeleve fizike dhe njerëzore që lejojnë bizneset të operojnë dhe të rriten, (ii) krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm që inkurajon investime dhe (iii) mobilizimi i kapitalit privat të nevojshëm për të arritur kapacitete investive që burimet publike, të vetme, nuk mund të arrijnë.
Angazhimi i Grupit të Bankës Botërore në Kosovë është i lidhur ngushtë me të tria shtyllat, në mënyrë që të krijohen vende pune më cilësore përmes një tranzicioni nga një model ekonomik i bazuar në konsum drejt një modeli të nxitur nga eksporti dhe konkurrueshmëria.
Investimet e vazhdueshme në infrastrukturë, kapital njerëzor, zhvillim të sektorit privat dhe administratë publike efikase do të jenë thelbësore.
Shtylla 1 – Ndërtimi i themeleve: Infrastruktura fizike dhe kapitali njerëzor Gjatë dekadave të fundit, Grupi i Bankës Botërore ka mbështetur infrastrukturën e madhe fizike në të gjithë Kosovën si ndërtimin e shumicës së digave, rehabilitimin e sistemeve të kanaleve të ujit dhe zgjerimin e internetit të brezit të gjerë me fibra optike në më shumë se 200 fshatra ruralë, në mënyrë që çdo fshat dhe shkollë tani të ketë qasje në internet të shpejtë.
Këto investime kanë rritur sigurinë e ujit dhe ujitjen për agrobizneset, ndërsa lidhshmëria digjitale ka ndihmuar bizneset të ulin kostot dhe të arrijnë klientë të rinj, duke hapur rrugën për punësimin e të rinjve në TIK dhe për punë në distancë.
Projekti i miratuar së fundmi për Lehtësimin e Transportit dhe Tregtisë do të përmirësojë më tej infrastrukturën e transportit, do të përmirësojë sigurinë dhe do të shkurtojë kohën e kalimit kufitar, duke thelluar integrimin e Kosovës në tregje më të mëdha.
Vetëm infrastruktura e fortë, megjithatë, nuk mjafton; kujdesi ndaj pasurisë më të vlefshme për Kosovën, popullit të saj, është po aq i rëndësishëm.
Angazhimi i gjatë i Grupit të Bankës Botërore në arsim dhe shëndetësi tani përfshin mbështetjen për edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, duke ndihmuar brezin e ardhshëm të ndërtojë aftësitë e nevojshme dhe duke ua mundësuar nënave që të kërkojnë punë me pagesë.
Në shëndetësi, Grupi i Bankës Botërore po ndihmon Kosovën të lëvizë drejt një sistemi digjital që përmirëson kujdesin ndaj pacientëve dhe forcon veglat analitike me të dhëna për mjekët dhe politikëbërësit.
Shtylla 2 – Krijimi i një mjedisi mundësues për krijimin e vendeve të punës Përmes kredive për politikat zhvillimore, Grupi i Bankës Botërore ka mbështetur agjendën ambicioze të reformave për ta bërë ekonominë më konkurruese dhe tërheqëse: ka ndihmuar në thjeshtimin e rregullave të pronësisë së tokës, që për një kohë të gjatë ka qenë një pengesë për investitorët, ka mbështetur biznesin digjital dhe tregtinë elektronike, ka përmirësuar sistemet tregtare, si dhe ka ndihmuar në tërheqjen e investitorëve të rinj dhe rritjen e kompanive vendore.
Përmes Projektit për Zhvillimin e Sektorit Financiar të sapomiratuar, Grupi i Bankës Botërore gjithashtu do të ndihmojë në çlirimin e potencialit për bizneset e vogla dhe të reja, si dhe të atyre të udhëhequra nga gratë, përmes zgjerimit të qasjes në kredi dhe pagesave digjitale.
Shtylla 3 – Mobilizimi i kapitalit privat Shtylla e tretë e Strategjisë së Vendeve të Punës, Mobilizimi i kapitalit, është pjesa ku Grupi i Bankës Botërore mbështetet mbi entitetet e tij të ndryshme: Bankën Botërore, Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Agjencinë Shumëpalëshe të Garancisë së Investimeve (MIGA).
Përderisa Banka Botërore krijon kushte të favorshme për krijimin dhe rritjen e bizneseve, IFC financon kompanitë drejtpërdrejt, krahas ofrimit të shërbimeve këshilluese, dhe MIGA ofron sigurim ndaj rrezikut politike dhe garanci për lehtësimin e kredisë për të ndihmuar investitorët të menaxhojnë rreziqet politike dhe kreditore në ekonomitë në zhvillim.
IFC kohët e fundit nënshkroi një paketë borxhi prej 35 milionë eurosh për një shoqëri aksionare vendase, duke mobilizuar 75 milionë euro financim në total, që paraqet angazhimin e saj më të madh në Kosovë deri më sot, dhe po luan një rol qendror në mobilizimin e kapitalit privat për energjinë e ripërtëritshme.
MIGA gjithashtu ka lëshuar garanci për optimizimin e kapitalit për bankat që operojnë në Kosovë, që u ka mundësuar atyre të përshpejtojnë kreditë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme vendore dhe për iniciativat e lidhura me klimën.
Thellimi i këtij bashkëpunimi, ku Banka Botërore trajton politikat dhe pengesat themelore ndërsa IFC-ja ofron financim, mbetet thelbësor për zhbllokimin e potencialit të sektorit privat të Kosovës. Njohuritë si formë kapitali Njerëzit mund të mendojnë për Grupin e Bankës Botërore kryesisht në aspektin e financimit.
Por institucioni është edhe një Bankë e Njohurive pasi njohuritë dhe financimi janë reciprokisht përforcuese: njohuritë formësojnë dizajnin e operacioneve që financon Grupi i Bankës Botërore, ndërsa ato operacione nga ana tjetër gjenerojnë prova dhe mësime të reja që informojnë investimet e ardhshme.
Për shkak se njohuritë grumbullohen si një formë e kapitalit institucional të ndërtuar gjatë dekadave, kjo i mundëson Bankës të optimizojë mënyrën e përdorimit të burimeve të saj financiare dhe rrit gjasat që investimet të përkthehen në rezultate reale zhvillimi.
Grupi i Bankës Botërore gjithashtu gjeneron njohuri globale që formësojnë debatet e politikave globale dhe përmes platformave tubuese që lehtësojnë marrjen e mësimeve nga vende të ndryshme për praktikuesit dhe politikëbërësit.
Ajo gjithashtu i bën këto njohuri një të mirë publike duke ofruar burime me qasje të hapur dhe promovon shkëmbimin e përvojave të suksesshme të zhvillimit, duke siguruar që i gjithë komuniteti global, dhe jo vetëm klientët e saj, të përfitojë nga hulumtimet dhe ekspertiza e saj.
Një rrugë e përbashkët përpara Trajektorja e Kosovës gjatë 25 vjetëve të fundit tregon se çfarë mund të arrijnë partneriteti i qëndrueshëm, institucionet e shëndosha, dhe politikat e kujdesshme.
Por rruga drejt standardeve të jetesës në nivel të Bashkimit Evropian mbetet e gjatë dhe kufizimet janë të dukshme: një treg i vogël i brendshëm, kapital njerëzor i shfrytëzuar jomjaftueshëm, dhe një sektor privat që ka nevojë për kushte më të mira dhe qasje më të madhe në kapital.
Grupi i Bankës Botërore mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën gjatë këtij tranzicioni duke ofruar njohuri, fonde dhe ekspertizë për të ndihmuar në krijimin e vendeve cilësore të punës dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për njerëzit e saj.
Strategjia e Vendeve të Punës dhe tri shtyllat e saj ofrojnë një kornizë që përputhet ngushtë me këto realitete dhe zbatimi i saj në Kosovë pasqyron një përshtatje të mirëfilltë të strategjisë globale me nevojat lokale.
Me reforma të qëndrueshme, investime strategjike dhe vendosmëri, Kosova është e pozicionuar mirë për të tejkaluar sfidat e mbetura, për të shfrytëzuar mundësitë e zhvillimit, dhe për të përparuar drejt një të ardhmeje më të begatë. (Autorja është Menaxhere e Grupit të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut)
