NATO riafirmon “angazhimin e hekurt” për mbrojtje kolektive

0%

Udhëheqësit e NATO-s kanë riafirmuar “angazhimin e hekurt” për mbrojtje kolektive gjatë samitit të aleancës të mbajtur në Ankara të Turqisë më 7-8 korrik. Në deklaratën e samitit u tha se ky angazhim derivon nga Neni 5 i Traktatit të Uashingtonit, i cili thotë se sulmi ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

“Uniteti ynë, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për 1 miliard qytetarët e aleancës sonë të kombeve të lira dhe demokratike. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qasjes sonë 360-gradëshe për parandalimin dhe mbrojtjen”, u tha në deklaratë.

Në deklaratën e 32 anëtarëve të NATO-s u tha se për të luftuar kërcënimet që paraqet Rusia – e cila ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022 – ndaj sigurisë euroatlantike dhe stabilitetit, “aleatët po përmbushin zotimin për mbrojtje të arritur në Hagë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një vit më parë, në samitin e NATO-s në Hagë, aleatët u zotuan se do të rrisnin shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBP). Vitin e kaluar, shtetet evropiane të NATO-s dhe Kanadaja rritën investimet bazë të mbrojtjes në mbi 139 miliardë dollarë, u tha në deklaratë.

“Sot në Ankara, ne njoftojmë për mbi 50 miliardë dollarë blerje të reja ushtarake dhe zotim për të zgjeruar kapacitetin e përbashkët prodhues dhe për të punuar me industrinë për të përshpejtuar inovacionin”, thanë anëtarët e NATO-s. Aleanca ushtarake perëndimore tha se po ndërton një të ardhme që ka një Evropë më të fortë në NATO dhe një “aleancë të modernizuar”.

Në deklaratë u përmend edhe kërkesa e presidentit amerikan, Donald Trump, që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e aleancës. “Aleatët evropianë dhe Kanadaja, duke punuar me SHBA-në, po marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e aleancës”, u tha në deklaratë. “Ne jemi të përkushtuar të ruajmë epërsinë tonë luftarake.

Po investojmë në aftësinë për të dislokuar, mbështetur dhe mirëmbajtur forcat tona të armatosura, si dhe për të përmbushur objektivat tona të kapaciteteve në të gjitha fushat, përfshirë goditjet precize në thellësi, mbrojtjen e integruar ajrore dhe nga raketat, sistemet pa ekuipazh, teknologjitë më të avancuara dhe kapacitetet e inteligjencës”, thanë aleatët.

Ukraina – që synon të bëhet pjesë e NATO-s – sipas aleancës, kontribuon në sigurinë transatlantike, dhe në deklaratë u tha se aleatët janë të bashkuar në “mbështetjen e palëkundur” për Ukrainën në mbrojtje të lirisë së saj, sovranitin dhe integritetin territorial.

Si pjesë e mbështetjes, këtë vit për Ukrainën aleatët janë zotuar për 70 miliardë dollarë në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnime dhe ndihma do të jetë në po të njëjtën vlerë edhe për vitin 2027. Në deklaratën e samitit të NATO-s u përmend edhe Irani.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në fund të shkurtit kundër Republikës Islamike dhe presidenti Trump vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të lejojë që Teherani të ketë armë bërthamore. “Aleatët përsërisin se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore dhe i bëjmë thirrje Iranit që të respektojë të drejtën e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”.

Gjatë samitit, Trump deklaroi për mediat se armëpushimi me Iranin “ka marrë fund”, pasi Irani tha se sulmoi baza ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn. SHBA-ja paraprakisht kreu sulme ndaj Iranit, duke e akuzuar për sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, Në deklaratën e samitit nuk përmendet vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vendi i tij do të jetë mikpritës i takimit të udhëheqësve të aleancës vitin e ardhshëm./ REL

Burimi: Kallxo