Kombëtarja e Zvicrës ka shkruar histori duke u kualifikuar për herë të parë që nga viti 1954 në çerekfinale të Kampionatit Botëror. Ish-reprezentuesi zviceran Blerim Xhemaili beson se helvetikët kanë mundësi reale të eliminojnë kampionen në fuqi, Argjentinën.
Kjo reflektohet edhe në episodin e fundit të podkastit “FORZA!”, në të cilin eksperti i futbollit të “Blick”, Blerim Xhemaili dhe redaktori i futbollit Tobias Ëedermann analizojnë performancën e fundit të Zvicrës dhe kundërshtarin e tyre të radhës. “Nuk ishte ndeshja më e mirë e turneut, por Kolumbia e uli qëllimisht ritmin dhe e ndërpreu vazhdimisht lojën. Në fund kjo nuk ka rëndësi.
Zvicra është në çerekfinale dhe kjo është e vetmja gjë që vlen”, u shpreh ai. Xhemaili për heroin e penalltive Gregor Kobel: “Ai e meritoi çmimin e lojtarit të ndeshjes. Kishte disa momente të pasigurta, por në fund mbajti portën të paprekur dhe priti një penallti. Ai është një nga lojtarët që shkroi historinë”.
Xhemaili për kundërshtarin çerekfinal, Argjentinën “Jam i bindur se Argjentina është e mposhtshme. Nëse Egjipti mund të ishte në epërsi 2:0 deri në minutën e 85-të, atëherë mund ta bëjmë edhe ne. Tek Argjentina nuk shoh një skuadër të mirëfilltë, por shumë individë të jashtëzakonshëm. Ndërsa ne jemi një ekip i vërtetë”, deklaroi ai. Megjithatë, favorit të lehtë e sheh kampionen në fuqi.
“Për mua shanset janë 55 me 45 për Argjentinën. Me Messin kanë ndoshta lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, por diferenca nuk është më aq e madhe sa ishte në vitin 2014”, tha Xhemaili.
