Mungesë bashkëpunimi dhe koalicione jetëshkurtëra – ku ngeci Kosova

0%

Tri palë zgjedhje parlamentare janë mbajtur në Kosovë për më pak se një vit e gjysmë si pasojë e mosarritjes së marrëveshjeve mes partive politike për t’i konstituuar institucionet qendrore dhe për ta zgjedhur kreun e shtetit. Sinjale pozitive për ndryshim të kursit politik nuk ka as tani pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje kërkon bashkëpunim për zgjedhjen e një presidenti jopartiak, partitë tjera shqiptare kanë dalë me “parime e kërkesa” si parakushte për ndonjë bashkëpunim për kapërcimin e bllokadës së mundshme institucionale. Dhe kjo nuk paraqet ndonjë të re. Probleme në aspektin e bashkëpunimit politik në vend ka pasë që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.

Nga viti 1999 e deri më sot vetëm Qeveria Kurti 2 ka arritur ta përfundoi mandatin e plotë katërvjeçar. Për kulturën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit politik në vend që këtë çerekshekulli, për problemet që kanë pasur koalicionet qeverisëse në vend, por edhe për mundësitë për ndryshimin e qasjes politike, kanë shprehur opinionet e tyre për Kallxo.com, gazetari Melazim Koci dhe sociologu Fadil Maloku.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Duke përkujtuar se Kosova është shtet me demokraci të re, Koci ka thënë se është pak a shumë e natyrshme që procesi i krijimit të kulturës së mirëbësimit dhe bashkëpunimit politik të ballafaqohet me sfida, ashtu sikurse edhe zhvillimi i gjithmbarshëm politik dhe ekonomik i vendit. Ai konsideron se për ndërtimin e mirëbesimit kërkohet kohë më e gjatë. “Disave u janë dashur dekada të tëra.

Në demokracitë parlamentare me traditë kompromisi është normalitet. Por në një demokraci të re dhe pa traditë kompromisi shpesh interpretohet si “tradhti”.”- konsideron Koci. Ai ka thënë se është edhe një faktor tjetër që e bënë më të vështirë mirëbesimin dhe kompromisin. Kosova, siç thotë Koci, është vend i vogël ku edhe animozitetet personale lënë pasoja.

“Kësaj i ka kontribuar edhe sistemi i ynë kushtetues. Në këta 17 muaj kemi hetuar që Kushtetuta ynë ka pasur shumë vakume juridike që e kanë vështirësuar kompromisin.”- ka thënë ai. Problemet juridike të Kosovës, i ka theksuar edhe profesori i Sociologjisë, Fadil Maloku.

Ai ka thënë se sistemi politik i Kosovës, me Kushtetutë “ahtisariane” nuk jep shumë garanci as juridike as morale për një kulturë të mirëbesimit dhe bashkëpunimit politik.

Maloku shpjegon se ky sistem i normave është i ndërtuar jo për të “instaluar” idenë dhe modelin e mirëbesimit por për të afirmuar dhe implementuar konceptin dhe narrativën e superdiskriminimit pozitiv për minoritetet, e në veçanti për komunitetin serb. Kjo sipas tij, për të arsyetuar “kinse baraspeshën etnike” dhe shpalljen e Republikës si entitet multientik.

Këtë, Fadil Maloku e konsideron “gabim kardinal” që tanimë pas dy dekadash po riprodhon situata ngërçi dhe ngecjesh, të cilat ai i ka quajtur absurde, e të cilat rrallë mund të gjenden në historinë e shtetndërtimeve moderne.

“Dhe nëse imperativi apo qëllimi i ‘arkitektëve’ të kësaj Kushtetute ishte të ‘frenohej’ majorizimi etnik, ata, në fakt, në bazë të proceseve dhe zhvillimeve politike në Kosovë, kanë arritur një kundërefekt! Serbët, në vend që të akomodohen me sistemin e ri demokratik, duke i shërbyer rolit të një ‘kali Troje’, e rritën ‘distancën sociale dhe ndëretnike’.

Pra, thjesht po vërtetohet se Kosova mund të mbijetojë vetëm si shtet qytetar, e jo ‘multietnik’, ashtu siç figuron në Preambulën e saj.”- ka thënë Maloku për Kallxo.com. Duke folur për koalicionet e pasluftës, ai ka thënë se të gjitha këto koalicionet e ndodhura (kryesisht mes LDK-së, PDK-së e AAK-së), ishin të panatyrshme.

Këtë, Maloku e shpjegon duke thënë se koalicionet nuk bazoheshin në partneritete afatgjata strategjike, të bazuara në programe dhe objektiva të përbashkëta, por në interesa klanore e grupore të përkohshme. “Në publik ‘shiteshin’ si ‘kulturë mirëbesimi’ dhe si ‘vullnet politik’ për të afirmuar vlerat e shtetit, demokracisë, pluralizmit dhe ‘përrallave’ të tjera që sot nuk pinë ujë më.

Shkaku është shumë i thjeshtë: të gjithë qytetarët e Republikës e kanë kuptuar se ato ishin farsa për t’i hedhur ‘hi syve’ elektoratit.”- konsideron profesor Maloku.

I pyetur se a kanë ndikuar qeverisjet jetëshkurtëra që të mos ketë bashkëpunim parimor edhe tash në ciklet e fundit zgjedhore, Maloku konsideron se klima e mosbesimit nuk krijohet e as nuk prodhohet nga vullnetet apo vendimet partiake por nga “rregullat e lojës”, të cilat vendosen në ligje dhe Kushtetutë.

Në përgjigjen e tij, ai shton se Kosova ka nevojë për një “monolog” të brendshëm partiak e politik, për të analizuar defektet dhe mangësitë e “arkitekturës” aktuale juridike dhe për të parë se çfarë mund të ndryshohet në fazën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.

“Përvoja e kësaj periudhe tranzitore, shoqërisë kosovare ia ka dëshmuar një fakt: kur koalicionet nuk arrijnë ta përfundojnë mandatin, krijohet perceptimi se partneritetet politike janë të paqëndrueshme dhe të orientuara kryesisht nga interesat afatshkurtra.

Gjithashtu, ky fakt ka bërë që partitë të jenë më të kujdesshme në ndërtimin e aleancave dhe shpesh ta vendosin kalkulimin elektoral përpara ndërtimit të marrëveshjeve programore.”- ka thënë Maloku. Polarizimi i thellë, në vazhdimësi ka kontribuar në thellimin e mosbesimit në vend, sipas Melazim Kocit.

Kur qeverisjet janë jetëshkurtra, siç thotë ai, partitë bëhen më skeptike rreth marrëveshjeve të reja, e kjo e bën kompromisin mes tyre më të vështirë. “Çdo prishje e parakohshme e koalicioneve pasohet me akuza dhe kundërakuza dhe thellon përçarjet dhe animozitetet. Në këto rrethana intensifikohet retorika përçarëse. Rrjedhimisht edhe dialogu bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Kosova ka hyrë në një rreth vicioz: mosbesimi që çon në koalicione të brishta, ato pastaj çojnë në kriza politike dhe si epilog kemi mosbesimin ekstrem.”- ka thënë Koci. Para Qeverisë Kurti 2 që përfundoi mandatin e saj të plotë, të gjitha qeveritë tjera kanë qenë jetëshkurtëra.

Qeveria e Avdullah Hotit, e një koalicioni mes LDK-së, AAK-së e NISMA-s zgjati rreth nëntë muaj para se të rrëzohej nga Gjykata Kushtetuese si qeveri jokushtetuese. Kjo qeveri erdhi fill pas Qeverisë Kurti 1 e cila zgjati afër katër muaj. Në këtë qeveri ishin LVV e LDK. Kjo e fundit rrëzoi qeverinë e Kurtit dhe u formua Qeveria Hoti.

Në zgjedhjet e vitit 2017, fitues doli koalicioni PAN (PDK, AAK dhe NISMA) e më pas u formua Qeveria Haradinaj e cila zgjati deri në vitin 2019 kur Ramush Haradinaj, kryeministër i asaj kohe dha dorëheqje dhe çoi vendin në zgjedhje. Qeveri me koalicion LDK dhe PDK ishte Qeveria Mustafa e cila kishte jetëgjatësi më pak se tri vjet. Kjo qeveri ra pas mocionit të mosbesimit ndaj Mustafës.

Jetëgjatësi rreth tre vjeçare kishin qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi, i cili dy herë ishte kryeministër. Një herë me LDK-në në koalicion e herën tjetër me AKR-në. Qeveri jetëshkurtër ishte edhe ajo e para e Ramush Haradinajt, ku LDK ishte në koalicion me AAK-në.

Ndonëse, pas dorëheqjes së Haradinajt për shkak të thirrjes nga Tribunali i Hagës, u ndërruan edhe dy kryeministra: Bajram Kosumi e Agim Çeku, as kjo qeveri nuk i shkoi deri në fund. Qeveria e parë e pasluftës ishte ajo e Bajram Rexhepit, qeveri që zgjati më pak se tre vjet e që në koalicion ishin të gjitha partitë, LDK si e para e asaj kohe, së bashku me PDK-në e AAK-në.

Për të ndryshuar mendësia e bashkëpunimit mes partive politike, rrjedhimisht për t’u evituar ngërçet institucionale, gazetari Melazim Koci thotë se nuk pritet që ndryshimi të ndodhë brenda një mandati qeverisës. Kjo, sipas tij, kërkon kohë dhe traditë në rrafshin e komunikimit. “Ky nuk është proces që mund të zhvillohet brenda natës.

Ai nuk varet vetëm nga partitë politikë, por edhe nga toni i moderuar i mediave, shoqërisë civile dhe segmentet tjera të shoqërisë. Esenciale është që të kuptohet që kompromisi nuk është dobësi dhe që interesi shtetëror të vendoset mbi interesat partiake dhe personale.”- konsideron Koci.

Gazetari Koci konsideron se klasa politike në vend, duhet të kuptojë që Kosova nuk e ka komoditetin e Bullgarisë, vend ky në të cilin janë mbajtur pesë palë zgjedhje për dy vjet. Kjo pasi që Kosova nuk është e anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, Bashkim Evropian e NATO.

“Në nuk jemi në asnjërën nga këto organizata dhe për hirë të çuarjes përpara të interesave shtetërore duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për marrëveshje dhe kompromise. Në të kundërtën do të dëmtojnë seriozisht kredencialet shtetërore të Kosovës.”- tha Koci në përgjigje me shkrim.

Profesori Fadil Maloku, në anën tjetër ka thënë se ndryshimi, si nocion dinamik, kërkon transformim gradual të kulturës politike por edhe forcim të institucioneve demokratike.

“Kërkon edhe një procedurë normuese, ku rregullat për t’u implementuar në çfarëdo shoqërie kërkojnë edhe instalimin e mekanizmave që ushtrojnë kontrollin, por edhe zbatimin e rregullave dhe normave, të cilat, në rastin e Kosovës, anipse thuhet se janë në letër, ato nuk zbatohen apo zbatohen vetëm në mënyrë selektive.”- ka thënë Maloku.

Për të arritur një standard të tillë, Maloku ka thënë se nevojiten të krijohen tri parakushte. “E para: afirmimi i transparencës, jo si dhunti demokratike, por si obligim moralo-politik; inaugurimi publik i llogaridhënies, jo vetëm si normë morale, por edhe si standard demokratik; dhe instalimi i përgjegjësisë, jo vetëm si akt e normë juridike, por edhe si veprim moral e etik.

Natyrisht, duhet kohë dhe mund për të gjitha këto.”- ka thënë Maloku. Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga tani, partitë politike kanë 30 ditë kohë që të thirrin seancën konstituive të Kuvendit dhe të përfundoj zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas këtyre rezultateve, LVV ka fituar 53 ulëse në Kuvend, PDK 22, LDK 18, Lista Serbe 9, Aleanca 7 dhe 11 ulëse tjera partitë e tjera që përfaqësojnë komunitetet joshumicë. Fill pas konstituimit të Kuvendit, fillon afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Aktualisht, Kosova është me ushtrues detyrë të presidentit pasi që presidentes së gjashtë, Vjosa Osmani-Sadriu i përfundoi mandati më .

Burimi: Kallxo