Me rastin e 26 Qershorit 2026, Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogave, në Prishtinë u mbajt një tryezë, në të cilën morën pjesë U.d. e Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Genc Metaj, si dhe shumë akterë të tjerë të kësaj fushe.
Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, në fillim të fjalës së tij vuri në dukje se kjo ditë përfaqëson një moment të rëndësishëm reflektimi mbi sfidat që droga dhe trafikimi i saj i paligjshëm vazhdojnë t’i paraqesin sigurisë publike, shëndetit të qytetarëve dhe mirëqenies së shoqërisë sonë.
Pasojat e këtij fenomeni prekin familjet, të rinjtë dhe komunitetet tona, duke kërkuar një përgjigje të koordinuar, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë nga të gjitha institucionet dhe akterët relevantë. Ai tha se Republika e Kosovës ka vendosur bazat e një qasjeje të qartë dhe të strukturuar përmes Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028.
Ky dokument strategjik paraqet angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të adresuar në mënyrë efektive fenomenin e drogës dhe për të ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.
“Vizioni ynë është i qartë: të reduktojmë praninë dhe përdorimin e drogës, të minimizojmë pasojat e saj sociale, shëndetësore dhe të sigurisë, si dhe të forcojmë rezistencën e shoqërisë ndaj këtij fenomeni”, theksoi Metaj. Sekretari Metaj tha se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në koordinimin dhe mbështetjen e zbatimit të këtyre politikave.
Megjithatë, lufta kundër drogës nuk është përgjegjësi vetëm e institucioneve. Ajo fillon në familje, vazhdon në shkollë dhe forcohet në komunitet. “Vetëm përmes angazhimit të përbashkët të institucioneve, shoqërisë civile, sistemit arsimor, sektorit shëndetësor dhe vetë qytetarëve mund të ndërtojmë një shoqëri më të sigurt dhe më rezistente ndaj këtij fenomeni”, tha Metaj.
Në fund të fjalës së tij, Metaj tha se kjo ditë duhet të shfrytëzohet për të riafirmuar përkushtimin e përbashkët në mbrojtjen e shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Duke vepruar së bashku, me përgjegjësi dhe profesionalizëm, mund të krijojmë më shumë mundësi për të rinjtë tanë dhe një të ardhme më të sigurt, më të shëndetshme dhe larg ndikimit të drogës.
Ministria e Punëve të Brendshme është ndër akterët kryesorë në hartimin e orientimeve dhe qasjes strategjike për luftimin e këtij fenomeni. Gjatë gjithë këtij muaji do të realizohen aktivitete vetëdijesuese me qëllim të uljes së numrit të përdoruesve të drogave.
