Dhimbja e familjeve që prej më shumë se 27 vitesh kërkojnë të vërtetën për më të dashurit e tyre ishte në qendër të dokumentarit të realizuar nga BIRN Kosova, i shfaqur në Mitrovicë, si pjesë e një serie prej tetë dokumentarësh që janë promovuar në tetë rajone të ndryshme të Kosovës.
Përmes këtij cikli, BIRN Kosova synon të dokumentojë historitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke sjellë rrëfimet e familjarëve që vazhdojnë të jetojnë me mungesën e përgjigjeve për fatin e të afërmve të tyre.
Dokumentari kushtuar rajonit të Mitrovicës sjell histori të familjeve që edhe sot vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën për njerëzit e tyre, trupat e të cilëve nuk janë gjetur kurrë. Në këtë rajon, rreth 100 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Pas secilit numër fshihet një emër, një familje dhe një jetë e ndërprerë, për të cilën ende nuk ka përgjigje.
Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë luftës në Kosovë u raportuan rreth 6,500 persona të zhdukur. Dokumentari sjell gjithashtu të dhëna se rreth 10% e viktimave shqiptare janë gjetur në territorin e Serbisë, ndërsa për rajonin e Mitrovicës përmendet se trupa të viktimave janë gjetur edhe në lumin Ibër.
Bazuar në dëshmitë dhe të dhënat e paraqitura, dokumentari shpjegon se në shumë raste viktimat fillimisht u vranë, ndërsa më pas trupat e tyre u zhdukën me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit dhe pamundësimin e zbulimit të tyre.
Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një debat publik, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë që prej vitesh merren me çështjen e personave të zhdukur. Ekipi i BIRN Kosova ka realizuar mbi 80 intervista me familjarë të personave të zhdukur, duke mbledhur më shumë se 200 orë materiale filmike.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, gjatë debatit foli për hapat që janë ndërmarrë nga institucionet pas marrjes së kompetencave nga misioni i EULEX-it.
Ilir Morina – Prokuroria Speciale Ai tha se gjatë pesë viteve të fundit është bërë organizimi institucional i hetimeve për krimet e luftës, duke u themeluar Departamenti Special për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale, ndërsa nga viti 2023 funksionon edhe një drejtori e veçantë në Policinë e Kosovës, e cila merret ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës.
Sipas Morinës, për shkak të numrit të madh të informatave për personat e zhdukur, kjo drejtori është ndarë në dy njësi, njëra prej të cilave merret vetëm me rastet e personave të zhdukur. “Aktualisht, në Policinë e Kosovës janë 11 policë të cilët merren me adresimin dhe hulumtimin e të gjitha informacioneve që kanë të bëjnë me personat e zhdukur.
Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi kryer 32 gjurmime dhe zhvarrime në lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës, prej tyre gjashtë në komunën e Mitrovicës”- tha Morina. Ai bëri të ditur se nga këto veprime janë gjetur mbetje mortore në 24 raste.
“Disa prej tyre janë trupa të plotë, ndërsa disa janë pjesë kockore, të cilat janë duke u përpunuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”- deklaroi ai.
Morina shtoi se institucionet kanë pranuar informacione për 22 lokacione të tjera të dyshuara, të cilat janë analizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet tjera kompetente, ndërsa në fazën e ardhshme pritet të kërkohet autorizimi i gjykatës për kryerjen e gërmimeve.
Ai foli edhe për rëndësinë e identifikimit të viktimave përmes analizës së ADN-së, duke bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë siguruar mostra të ADN-së për 94 viktima. Morina u bëri thirrje qytetarëve që të mos e nënvlerësojnë asnjë informacion që mund të lidhet me personat e zhdukur.
Ai solli shembuj konkretë të rasteve kur qytetarë, gjatë punimeve në varreza familjare apo në zona malore, kanë hasur në mbetje ose sende që kanë ngritur dyshime, kanë njoftuar policinë dhe më pas, pas autorizimit të gjykatës, janë kryer gërmime që kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore. “Çdo informacion është i rëndësishëm. Mos e nënvlerësoni atë.
Silleni te ne në polici, pastaj ne do ta vlerësojmë dhe do të shohim nëse ka diçka të vërtetë ose jo”- tha prokurori Morina.
Duke folur për sfidat që vazhdojnë ta shoqërojnë procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, Kushtrim Gara nga Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se me kalimin e viteve po shtohet edhe një dhimbje tjetër shumë prej familjarëve që kanë kërkuar drejtësi për dekada nuk po arrijnë ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre para se të ndahen nga jeta.
Ai e kujtoi veçanërisht të ndjerin bacën Bajram Qerkini, i cili për vite të tëra udhëhoqi shoqatën “Zëri i Prindërve” dhe ishte një nga zërat më të fuqishëm në kërkimin e personave të zhdukur.
Kushtrim Gara – Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur Përveçse ishte aktivist, ishte edhe prind që nuk arriti ta mësojë kurrë fatin e djalit të tij, Reshatit, i cili u rrëmbye dhe u zhduk në prill të vitit 1998. “Shumë familjarë që i kemi takuar në vazhdimësi sot nuk janë më në mesin tonë.
Ky dokumentar është edhe një nderim për të ndjerin Baca Bajram, i cili për vite të tëra, përveç që ka qenë familjar, ka udhëhequr shoqatën ‘Zëri i Prindërve’. Ai ndërroi jetë pa mësuar për fatin dhe vendndodhjen e djalit të tij, Reshatit”- tha Gara.
Duke folur për punën në terren, Gara falënderoi institucionet lokale të Mitrovicës dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin shumëvjeçar gjatë kërkimeve në lokacionet e dyshuara për varreza masive.
Ai kujtoi punën që është bërë për vite me radhë në Rudnicë dhe Kizhevak të Rashkës, duke thënë se ekipet e Komisionit Qeveritar, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës kanë kaluar një pjesë të madhe të kohës në atë rajon, në përpjekje për t’u dhënë përgjigje familjeve.
“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë të respektojmë një të drejtë elementare të familjeve të drejtën për ta ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”- deklaroi ai.
Sipas Garës, pas 32 lokacioneve të hulumtuara gjatë vitit të kaluar, edhe gjatë këtij viti institucionet kanë vazhduar kërkimet në pesë deri në gjashtë lokacione të tjera, ndërsa Mitrovica mbetet një prej rajoneve prioritare.
Ai bëri të ditur se në rajonin e Mitrovicës, gjatë 27 viteve të fundit, janë trajtuar më shumë se 191 lokacione të ndryshme, por theksoi se puna ende nuk ka përfunduar. “Ka ende të dhëna që duhen kërkuar, sepse ka ende familje që jetojnë jo vetëm me dhimbjen, por edhe me ankthin e pritjes”- tha Gara.
Një nga rastet që, sipas tij, mbetet ndër më të ndërlikuarit është ai i rrëmbimit dhe zhdukjes së grupit prej 23 intelektualësh nga Mitrovica, në mesin e të cilëve ishte edhe doktori Adem Ademi. Gara tha se, pavarësisht dëshmive dhe informacioneve të mbledhura ndër vite, ende nuk është arritur të gjendet vendndodhja e tyre.
“Përkundër të dhënave që posedojmë dhe dëshmive që lidhin drejtpërdrejt ushtrinë jugosllave me rrëmbimin dhe zhdukjen e këtij grupi, ende nuk kemi asnjë gjurmë që do të na çonte te lokacioni ku ndodhen 23 intelektualët”- u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se edhe gjatë këtyre javëve ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar dhe Policisë së Kosovës kanë vazhduar kërkimet në terren, në zonën ndërmjet Zubin Potokut, Mitrovicës dhe Istogut, ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive.
Njëkohësisht, sipas tij, institucionet presin rezultatet e hetimeve që mund të çojnë në rikthimin e kërkimeve në lokacionin e Kozhles, mes Novi Pazarit dhe Tutinit, për të cilin ekzistojnë dyshime se mund të ketë lidhje me rastet e personave të zhdukur nga Kosova.
Duke folur për këtë lokacion, Gara tha se kërkimet në deponinë e mbeturinave në Kozhle janë ndër operacionet më të vështira, jo vetëm nga aspekti profesional, por edhe ai njerëzor. “Po flasim për një deponi mbeturinash që për 26 vjet është përdorur nga qytetet e Novi Pazarit dhe Tutinit.
Është sfiduese jo vetëm për ekipet e mjekësisë ligjore që punojnë aty, por edhe emocionalisht për familjet që presin të marrin një përgjigje”- tha ai. Gara rikujtoi se, megjithëse deri më tani janë zgjidhur mbi 72% e rasteve të personave të zhdukur, ende nuk dihet fati i 1,565 personave. “Për sa kohë që ka ende familje që presin, çështja e personave të zhdukur duhet të mbetet prioritet.
Mitrovica ka një vend të veçantë në këtë proces, por bashkëpunimi i palës serbe në ofrimin e informacioneve mbetet thelbësor për zbardhjen e këtyre rasteve”- përfundoi Gara. Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore solli në kujtesë periudhën e hershme pas luftës, kur ekipet vendore përballeshin me sfida të mëdha në qasjen në terren dhe në komunikimin me institucionet serbe.
Ai kujtoi se puna në fillim të viteve 2000 ka qenë e vështirë dhe shpesh e pasigurt, duke përfshirë edhe udhëtime në zona të ndjeshme si Batajnica dhe lokacione të tjera ku dyshohej për varreza masive. “Ka qenë shumë e vështirë. Në vitin 2002 unë kam qenë i vetmi nga mjekësia ligjore që kam pranuar të shkoj në disa nga këto aksione.
Kur e kujtoj sot, them me vete ku paskam hyrë”- tha Gërxhaliu. Ai përshkroi edhe situata të tensionuara gjatë kontrolleve në Serbi, përfshirë ndalime dhe përballje me autoritetet lokale, të cilat shpesh e sfidonin praninë e ekipit kosovar në terren.
Pavarësisht vështirësive, Gërxhaliu tha se në aspektin profesional bashkëpunimi ka qenë i domosdoshëm dhe në disa raste ka funksionuar mbi bazën e standardeve mjekoligjore, ku faktet teknike nuk kanë lënë shumë hapësirë për kundërshtime.
Arsim Gërxhaliu – Instituti i Mjekësisë Ligjore Megjithatë, sipas tij, sfidat më të mëdha nuk kanë ardhur nga institucionet, por nga vetë familjarët e personave të zhdukur, disa prej të cilëve ende refuzojnë të japin mostra të gjakut për analizën e ADN-së. “Problemi më i madh sot janë familjet. Ka familje që ende nuk japin mostra gjaku për ADN.
Pa këtë, identifikimi nuk mund të përfundojë”- tha ai. Gërxhaliu shpjegoi se në disa raste kjo është ndikuar nga keqpërdorime dhe mashtrime ndaj familjeve, përmes individëve që u kanë premtuar informacione të rreme për fatin e të zhdukurve, duke përfituar financiarisht.
Sipas tij, këto raste kanë krijuar mosbesim dhe kanë ndikuar që disa familje të hezitojnë të bashkëpunojnë me institucionet. Ai theksoi se në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore ndjek procedura të qarta për identifikimin e viktimave, por pa mostrat e ADN-së procesi mbetet i papërmbyllur.
“Në shumicën e rasteve ne e dimë paraprakisht se cilit grup i përkasin mbetjet mortore, por ligjërisht identifikimi përfundon vetëm me ADN”- sqaroi ai. Gërxhaliu shtoi se ADN-ja mbetet e vlefshme pavarësisht kohës së kaluar, duke theksuar se edhe pas dekadash materiali biologjik mund të përdoret për identifikim.
Në vazhdim të debatit, edhe prokurori Ilir Morina theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të familjarëve në procesin e identifikimit. Ai bëri të ditur se në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndodhen ende mbetje mortore të paidentifikuara dhe dokumente të ekzaminimeve të kryera, por pa mostrat e familjarëve nuk mund të bëhet krahasimi përmes ADN-së.
“Pa mostrat e familjarëve nuk mund të bëhet krahasimi. Kjo pjesë është shumë e rëndësishme për përmbylljen e rasteve”- tha Morina. Sipas tij, institucionet kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të bindur familjet që të japin mostra, përfshirë edhe ndërmjetësimin e shoqatave të të pagjeturve, por jo të gjitha familjet kanë pranuar.
Ai konfirmoi se ekzistojnë ende familje që refuzojnë të japin mostra, pavarësisht tentativave të përsëritura nga institucionet.
Debati në Mitrovicë nxori në pah se, përtej punës institucionale dhe kërkimeve në terren, një nga hallkat kyçe në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur mbetet bashkëpunimi i plotë i familjeve dhe qasja në mostra biologjike, pa të cilat identifikimi përmes ADN-së mbetet i papërfunduar.
Gjylë Haziri nga Shoqata “Zëri i Prindërve”, e cila pas vdekjes së Bajram Qerkinit ka vazhduar angazhimin në mbështetje të familjeve të personave të zhdukur. Duke iu referuar dokumentarit të shfaqur, Haziri tha se, edhe pse për shumë familje mund të duket se këto histori po tregohen me vonesë, asnjë përpjekje për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të kërkuar të vërtetën nuk është e vonuar.
Gjyla Haziri – Shoqata “Zëri i Prindërve” “Çdo dokumentar që punohet për personat e pagjetur nuk është kurrë i vonuar, sepse familjarët jetojnë çdo ditë me brengën dhe pritjen. Edhe nga ky dokumentar presin që diçka të dalë në dritë”- tha ajo.
E pyetur se si ka arritur të vazhdojë angazhimin për kaq shumë vite pa u lodhur, ndryshe nga shumë familjarë që kanë humbur besimin se do të marrin përgjigje, Haziri tha se e ndien këtë si obligim moral ndaj familjeve. “Nuk jam lodhur dhe nuk do të lodhem kurrë. Jam betuar se do t’u ndihmoj familjarëve, shoqeve dhe të gjithë njerëzve që ende jetojnë me këtë dhimbje.
Zyra e ‘Zërit të Prindërve’ në Mitrovicë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë e hapur për secilin familjar”- u shpreh ajo. Në debat foli Dushan Radakoviq nga organizata ACDC, partner i BIRN Kosovës në realizimin e projektit, i cili tregoi se në fillim kishte dyshime nëse do të ishte e mundur të bindeshin familjarët serbë të flisnin para kamerës.
Megjithatë, sipas tij, besimi i krijuar ndër vite dhe shembulli i bashkëpunimit të ndërtuar nga aktivisti i ndjerë Bajram Qerkini bënë të mundur që dokumentari të përfshinte edhe rrëfimet e familjeve serbe.
Dushan Radakoviq – ACDC Radakoviq tha se gjatë gjithë kohës që kishte bashkëpunuar me Bajram Qerkinin nuk kishte dëgjuar asnjëherë prej tij gjuhë urrejtjeje ndaj serbëve apo ndaj ndonjë komuniteti tjetër. “Mbi 1,600 persona të zhdukur do të thotë mbi 1,600 familje që ende jetojnë në pritje.
Unë kurrë nuk kam dëgjuar nga Bajrami fjalë urrejtjeje ndaj serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve, goranëve apo romëve. Nëse i thoje se kishte një informacion për një varrezë masive, ai ishte i gatshëm të nisej menjëherë, pa menduar dy herë”- tha Radakoviq. Ai e cilësoi vdekjen e Bajram Qerkinit si humbje jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
“Mendoj se rajoni ka humbur një njeri të madh, një luftëtar që kurrë nuk e shikonte përkatësinë kombëtare të njeriut. Për të kishte rëndësi vetëm e vërteta dhe gjetja e personave të zhdukur”- u shpreh ai.
Radakoviq kritikoi edhe politizimin e vazhdueshëm të çështjes së personave të zhdukur, duke thënë se kjo temë rikthehet vazhdimisht në qendër të vëmendjes gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa familjet vazhdojnë të mbesin pa përgjigje. “Më dhemb që kjo çështje politizohet nga të gjitha anët.
Politikanët mendojnë më shumë për fushatat dhe votat sesa për nënat, baballarët dhe fëmijët që ende kërkojnë të afërmit e tyre. Në vend që të sigurohemi se kjo nuk do të përsëritet kurrë, vazhdojmë ta përdorim këtë temë për politikë”- deklaroi ai. Në vazhdim të debatit, Arsim Gërxhaliu ndau një episod që nuk ishte treguar për publikun më parë.
Ai tregoi se takimi i parë ndërmjet familjeve shqiptare dhe serbe të personave të zhdukur ishte organizuar në vitin 2004 në Beograd nga aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq. Sipas Gërxhaliut, në fillim atmosfera ishte e ftohtë dhe familjet qëndronin të ndara, me një distancë të dukshme mes tyre.
“Në njërën anë të sallës ishin familjarët serbë, në anën tjetër shqiptarët, ndërsa mesi ishte bosh. Në fillim shikonin njëri-tjetrin me dyshim”- kujtoi ai. Megjithatë, ndërsa dëgjonin rrëfimet për humbjet e secilës familje, atmosfera ndryshoi. “Pas pushimit të parë filluan të afroheshin, ndërsa pas pushimit të dytë filluan të bisedonin me njëri-tjetrin. I bashkoi dhimbja”- tha Gërxhaliu.
Ai tha se përvoja e atij takimi dëshmoi se informacionet për personat e zhdukur mund të sigurohen më lehtë përmes besimit dhe komunikimit ndërmjet njerëzve sesa përmes propagandës apo retorikës politike. Duke folur për kërkimet në Serbi, Gërxhaliu theksoi se institucionet serbe nuk kanë ofruar lehtësisht informacionet për lokacionet ku ishin fshehur trupat e viktimave.
“Nuk është se na kanë ndihmuar. Informacionet është dashur t’ua nxjerrnim mes gishtave. Kërkimet janë mbështetur kryesisht në informacionet që i kishim siguruar në Kosovë”- tha ai.
Duke folur për arsyet që e shtynë BIRN Kosova dhe KALLXO.com të nisin këtë projekt shumëvjeçar, Kreshnik Gashi, tha se ideja lindi gjatë pandemisë COVID-19, kur u bë edhe më e qartë nevoja për të dokumentuar rrëfimet e familjeve të personave të zhdukur para se ato të humbnin përgjithmonë.
“Qëllimi fillestar ka qenë që të grumbullohet një arkivë sa më e madhe, sa më e fuqishme dhe sa më e lehtë e qasshme, për ta dokumentuar historinë dhe traumën që e kanë përjetuar këta njerëz. Ajo që kemi parë në dokumentar është vetëm një pjesë.
Në intervista ka shumë më tepër informacione që mund të përdoren edhe pas 100 vjetësh për dokumentarë apo edhe për dosje të këtyre rasteve” – tha Gashi. Kreshnik Gashi – KALLXO.com Ai tregoi se intervistat me familjarët kanë zgjatur nga tri deri në katër orë dhe se gjatë tyre shumë prej të intervistuarve janë rikthyer disa herë te momentet më të rënda të jetës së tyre.
“Njerëzit që i kemi intervistuar i kemi lodhur e stërlodhur. Kemi folur prej fëmijërisë e deri në ditët e sotme. Ka ndodhur që gjatë një interviste të qajnë disa herë, të ndalen, të pijnë ujë dhe bashkë ta përjetojmë dhimbjen e tyre. Por ishte e rëndësishme që këto histori të ruhen dhe të mos humbin me kalimin e kohës”- tha ai.
Gashi tha se rëndësia e këtij projekti është bërë edhe më e dukshme pasi disa nga personat që dhanë dëshmi nuk jetojnë më. “Javën e kaluar, duke edituar dokumentarin për Prishtinën, morëm lajmin se njëri prej të intervistuarve kishte ndërruar jetë. Të paktën mbetet historia e tij, mbetet dëshmia e tij dhe familja e tij do ta ketë të dokumentuar përgjithmonë atë rrëfim”- u shpreh ai.
Sipas Gashit, një nga qëllimet kryesore të dokumentarëve ishte të tregonin se tragjedia e personave të zhdukur nuk i përket vetëm një komuniteti, por prek të gjitha etnitë në Kosovë. Ai theksoi se shumica e viktimave të trajtuara në dokumentarë kanë qenë civilë, të rrëmbyer ose të vrarë gjatë përpjekjes për t’u larguar nga lufta apo gjatë jetës së tyre të përditshme.
“Kur flitet për 1,560 persona të zhdukur, shpesh krijohet përshtypja se të gjithë janë shqiptarë. Në fakt, prapa atij numri ka shqiptarë, serbë, romë, ashkalinj, egjiptianë dhe komunitete të tjera. Kemi dashur t’u tregojmë njerëzve se trauma nuk ka vetëm një etni”- tha ai.
Gashi shtoi se dokumentarët synojnë të arrijnë te çdo familje, pavarësisht përkatësisë etnike, me shpresën se kjo do t’i nxisë edhe ata që posedojnë informacione të flasin.
Ai theksoi se gazetarët duhet ta respektojnë vendimin e familjarëve që nuk dëshirojnë ta rikujtojnë dhimbjen e tyre, por njëkohësisht bëri thirrje që askush të mos e marrë me vete informacionin për vendndodhjen e viktimave. “Qëllimi kryesor i kësaj nisme është që njerëzit të raportojnë çdo informacion që e dinë për vendndodhjen e një trupi.
Në Kosovë nuk kemi vetëm varreza masive, por edhe varre individuale për të cilat mund të dijë vetëm një person. Ai nuk duhet të vdesë me atë informacion, sepse nëse e bën këtë, lë pas edhe dhimbjen e një familjeje tjetër. Nëse dikush e di se ku ndodhet një varr, qoftë në një mal, pyll, bunar apo në ndonjë vend tjetër, duhet ta raportojë, qoftë edhe në mënyrë anonime.
Është një gjynah i madh të vdesësh me atë informacion, sepse në një mënyrë bëhesh bashkëfajtor në atë krim”- përfundoi Gashi.
