Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Ministria e Shëndetësisë ka blerë 20 autoambulanca në vlerë rreth 1.5 milion euro. Por, Auditori ka gjetur se ato ishin të modifikuara nga automjete të tipit furgonë. Ministria është pajtuar me gjetjet, por në një përgjigje për KOHËN i ka kundërshtuar ato. Furgonë për mallra i janë shitur Ministrisë së Shëndetësisë për autoambulanca.
Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për pasqyrat financiare të kësaj Ministrie për vitin 2025. Auditori ka konstatuar se 20 autoambulanca, në vlerë rreth 1.5 milion euro janë pranuar nga MSH-ja, pa i përmbushur plotësisht specifikimet teknike dhe kushtet kontraktuale. “Gjatë vitit 2025, MSH-ja ishte furnizuar me 20 autoambulanca në vlerë totale 1,495,800€.
Specifikat teknike përcaktonin autoambulancën si produkt përfundimtar, ndërsa operatori ekonomik kishte ofertuar automjete të tipit furgon, të cilat më pas ishin modifikuar në autoambulanca. Megjithatë, automjetet e pranuara nuk posedonin certifikatat e kërkuara, sipas specifikimeve teknike.
Komisioni pranues kishte konsideruar të mjaftueshëm vetëm aprovimin e lëshuar nga Qendra e Automjeteve të Kosovës, pa kryer verifikime shtesë për përputhshmërinë me standardet përkatëse”, thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të MSH-së.
Ministria e Shëndetësisë është pajtuar me konstatimet e ZKA-së, por në një përgjigje për KOHËN, i ka kundërshtuar këto gjetje. “Për autoambulancën si njësi e kompletuar, duhet theksuar se në praktikën e furnizimit publik automjetet janë realizuar përmes konvertimit të automjeteve bazë në autoambulanca, e jo si autoambulanca të prodhuara si produkt final nga prodhuesi origjinal.
Autoambulancat e prodhuara dhe të certifikuara si njësi e vetme nga prodhuesi përfaqësojnë një kategori të veçantë të automjeteve me kosto dukshëm më të lartë, e cila do të tejkalonte buxhetin e planifikuar për këtë furnizim”, thuhet në përgjigjen e ofruar nga Zyra për informim e kësaj ministrie. Sipas ZKA-së, një nga mospërputhjet ishte edhe hapësira për pacientin brenda automjetit.
Edhe me këtë, MSH-ja është pajtuar me konstatimin e ZKA-së, por për KOHËN ka dhënë përgjigje tjetër. “’Gjatësia e ndarjes se pacientit ishte kërkuar në specifika prej minimum 3100mm, ndërsa ishte 2800mm’, sqarojmë se kjo gjetje nuk mbështetet në faktet e verifikuara gjatë pranimit të mallrave nga Komisioni i Pranimit, në verifikimin fizik të kryer nga Komisioni i Pranimit pas pranimit te draftraportit të auditimit, si dhe nuk merr parasysh tolerancat e lejuara në dosje të tenderit konkretisht të specifikimet teknike te detyrueshme.
Me qëllim të verifikimit të këtyre gjetjeve te pasqyruara nga auditori gjeneral në draftraportin e dorëzuar, Komisioni i Pranimit ka kryer matje fizike të gjatësisë së hapësirës së pacientit në autoambulancën e furnizuar”, thuhet në përgjigje.
Pos për autoambulancat, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar edhe katër produkte me afat të skaduar në regjistrin e stokut farmaceutik në vlerë gati 100 mijë euro. Ministria në përgjigjen për KOHËN ka thënë se në ditën e raportimit për përgatitjen e pasqyrave financiare, këto produkte ende nuk e kishin arritur afatin e skadimit.
