Vala e protestave që ka përfshirë Shqipërinë kundër korrupsionit dhe shkatërrimit të mjedisit ka mbërritur edhe në Zvicër. Rreth njëqind persona u mblodhën të shtunën në sheshin kryesor përpara parlamentit zviceran në Bern, për të shprehur solidaritetin e tyre të plotë me lëvizjen protestuese që po zhvillohet në atë vend, njofton agjencia zvicerane e lajmeve SDA-Keystone.
Tubimi u thirr nga pjesëtarë të diasporës shqiptare në Zvicër. Me pankarta të shkruara me dorë, ku lexohej mes të tjerash edhe mesazhi “Shqipëria është edhe e imja”, protestuesit kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Tiranës. Përveç kësaj, ata kërkuan reforma të thella kushtetuese, duke vënë theksin veçanërisht te nevoja për kufizimin ligjor të mandateve të kryeministrit.
“NZZ am Sonntag”: Revolucioni i flamingove në Shqipëri – nga buzëkuqi te aktivizmi për demokraci Sipas organizatorëve, shumë shqiptarë të brezit të dytë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër e shohin si detyrim dhe përgjegjësi morale që të ngrenë zërin në këtë moment.
“Ata përjetojnë çdo ditë avantazhet e një demokracie të drejtpërdrejtë dhe angazhohen që vlerat themelore demokratike, shteti i së drejtës dhe transparenca të fuqizohen edhe në Shqipëri”, thuhej në thirrjen zyrtare të kësaj proteste.
Kjo revoltë e diasporës vjen në mbështetje të protestave në Shqipëri, të cilat u ndezën kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz brenda një zone të mbrojtur natyrore. Ky projekt udhëhiqet nga kompania e dhëndrit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ambientalistët dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë alarmuar se ky investim rrezikon të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ekosistemin e ndjeshëm në deltën e lumit Vjosa në detin Adriatik. Pasi kjo zonë shërben si pikë qëndrimi dhe fole për zogjtë flamingo, lëvizja qytetare tashmë po etiketohet gjerësisht në media si “Revolucioni i flamingove”.
