Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se është përmbyllur procesi i përpunimit të rezultateve të Testit të Arritshmërisë 2026. Në këtë test morën pjesë 21,982 nxënës, ndërsa arritshmëria mesatare e përgjithshme në nivel vendi është 48.35%.
“Analiza e rezultateve sipas lëndëve tregon se arritshmëria më e lartë është shënuar në: Gjuhën angleze 65.97%, Histori 62.23% dhe Gjuhë shqipe 54.63%. Ndërkaq, arritshmëria më e ulët është evidentuar në Kimi 37.68% dhe Matematikë 37.93%, pasuar nga Biologjia 40.83%, Fizika 45.33%, Informatika 47.87% dhe Gjeografia 47.84%” , thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Ky institucion rikujton se rezultatet e Testit të Arritshmërisë ofrojnë një pasqyrë të nivelit të përvetësimit të kompetencave nga nxënësit në përfundim të arsimit të mesëm të ulët dhe do të shërbejnë si bazë për identifikimin e prioriteteve dhe planifikimin e masave në përmirësimin e cilësisë në arsim.
