Karantina e profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës u bë temë debati mes rektorit Arben Hajrullahu dhe dekanit Sefedin Muçaj në mbledhjen e Senatit më . Në Fakultetin e Mjekësisë, profesorë të Biologjisë e Kimisë izolohen bashkë me ata të Mjekësisë për t’i përpiluar pyetjet e provimit pranues disa orë para se provimi të mbahet.
Profesorët janë të izoluar për më shumë se 15 orë në Fakultet, madje gjatë natës, dhe nuk kanë qasje në telefon e jashtë Fakultetit. Për rektorin Hajrullahu karantina e tillë është “lojë” dhe nuk garanton cilësinë e konkursit për pranimin e studentëve të rinj. Kurse, Muçaj e quajti “traditë të mirë” dhe kërkoi që Rektorati të dërgojë vëzhgues për ta parë punën që e bëjnë profesorët.
“Prej Rektoratit nuk e kemi ndërmend, as nuk planifikojmë me u ba pjesë e lojës ‘karantinash’. Nuk do të vijmë atje. Shpresoj shumë që kjo praktika e karantinave o për Covid e epidemi, o për teste pranuese me u largu. Kjo traditë duhet me u thy. Sepse, nuk e garanton cilësinë.” – i tha Hajrullahu dekanit.
Muçaj iu kundërpërgjigj Hajrullahut duke i thënë se e largojnë karantinën nëse përgatitet banka e pyetjeve, nga të cilat mund të përpilohet provimi pranues i Fakultetit të Mjekësisë. Hajrullahu tha se ka një vit që i ka ftuar profesorët të përgatisin bankën e pyetjeve për këtë provim pranues.
“Rektori në nivel të menaxhmentit i zgjedh 5 profesorë të Kimisë, 5 profesorë të Biologjisë, e bëjnë bankën e pyetjeve që është shumë fer… Nuk e bëni as ju, as unë, po e bëjnë ata që janë kompetentë për këtë punë” – tha Muçaj. Pasi përsëriti se kjo “është lojë karantinash”, Hajrullahu i tha dekanit “s’keni çka me reagu, se jeni t’u përhap mjegull…
Jemi pajtu që e ardhmja është përpara, ju thoni sjellni vëzhgues.” Prorektori Avni Hajdari pasi tregoi se vetë ka qenë në karantinën e Fakultetit të Mjekësisë tha: “Po çuditna pse po vijnë profesorët hala me nejtë në karantinë.
Pse me ardhë me nejtë pa pagesë, tërë natën, për punë, kurrgjë hiç.” Hajdari u ballafaqua me pyetjen e Gresa Hasanit, senatores nga Parlamenti Studentor i UP-së, e cila tha se nëse nuk del ai provim, pse duhet me ndejtë ju në karantinë.
Hajdari iu përgjigj: “Ajo është pjesë e menaxhimit.” Senatorja Hasani vazhdoi duke thënë: “Kjo d.m.th. që ju nuk i besoni vetëvetes edhe ka mundësi që ai test del prej jush, se vetëm ju jeni, 3 persona, 4, ai nuk ka prej kujt me dalë”. Muçaj e ftoi studenten që ta përcjellë karantinën dhe t’i heqë dyshimet që ka.
Debati ka vazhduar, kurse rektori Hajrullahu i ftoi profesorët e Kimisë e Biologjisë dhe ata të Mjekësisë që të mos humbin kohë dhe ta përgatisin bankën e pyetjeve në mënyrë që në vitin 2027 të mos mbahet karantina. “Po tingëllon edhe pak shqetësuese, frikësuese me qenë në karantinë pa qenë i infektuar. A kuptoni?
Vetë emërtimi po e tregon absurditetin në këtë punë” – ka theksuar Hajrullahu. Ekipi i KALLXO.com ka kohë që e monitoron karantinën në Fakultetin e Mjekësisë që mbahet dy herë brenda vitit dhe vetëm në këtë Fakultet. Ajo mbahet për dy afatet e pranimit të studentëve të rinj në këtë Fakultet.
Këtë vit provimi pranues në Mjekësi do të jetë më , ndërsa profesorët do izolohen nga mesdita e datës 10 korrik.
