Nga: Arben Hoxha Shpërndaje në: Duke u orientuar nga pikëpamja e kontekstualizmit estetik-formal, i cili vlerën estetike e redukton në cilësitë formale të veprës letrare (mjetet stilistike gjuhësore, format kompozicionale, elementet narratologjike etj.), kritika letrare shqiptare jo pak autorë shqiptarë, me një lehtësi të padurueshme, i ka vënë në të njëjtin rang vlerësimi me Kafkën, James Joyce apo Beketin.
Letërsia shqipe me Xhojsa e Kafka, e megjithatë me status të pandryshuar: me statusin e një letërsie periferike Hyrje Raporti i letërsisë me kontekstin, për shkak të rëndësisë që ka marrë marrëdhënia e tyre për krijimin, kuptimin dhe vlerësimin e artit letrar, është një nga çështjet më të diskutuara në fushën e filozofisë së artit, sociologjisë së artit dhe sociologjisë së vlerës estetike.
Përcaktimet konceptuale për raportin e njërës me tjetrën kanë implikime të drejtpërdrejta në përcaktimet identitare të letërsisë, në përcaktimet epistemologjike, metodologjike, teoriko-letrare, historiko-letrare dhe aksiologjike.
Orientimet e ndryshme konceptualizuese për raportin që ekziston midis letërsisë dhe kontekstit janë përcaktuar nga përmbajtja që i është dhënë konceptit të “kontekstit”. Etimologjia e fjalës “kontekst” vjen nga latinishtja contextus, që do të thotë “thurje së bashku” ose “ndërlidhje”.
Përmbajtja e fjalës “kontekst”, në rrjedhë të kohës, ka evoluar: nga një nocion me kuptim gramatikor në një koncept më të gjerë dhe më abstrakt për rrethanat që përcaktojnë kuptimin. Në periudhën romake, “contextus” kishte kryesisht kuptim retorik, me anë të të cilit shprehej lidhja organike e pjesëve të një teksti, koherenca e argumentimit etj.
Në periudhën e mesjetës, nën ndikimin e hermeneutikës së krishterë, fjala “kontekst”, përtej lidhjes tekstuale, kuptohej si një hierarki kuptimesh që formësohej nga marrëdhënia ndërmjet tekstit, autoritetit dhe së vërtetës hyjnore.
Në Rilindje, konteksti merr kuptimin e aspektit të jashtëm historik dhe filologjik të tekstit, me ç’rast garantues i kuptimit nuk është autoriteti, por vetë situata historike dhe stili që e karakterizon atë.
Në modernitet, përmes hermeneutikës dhe fenomenologjisë ontologjike, konteksti nuk konsiderohet si diçka jashtë subjektit, por si një dimension i vetë subjektit, i cili është qenësisht kontekstual.
Në këtë trajtesë, duke u mbështetur në pikëpamjen e kontekstualizmit fenomenologjik-ontologjist, raportin e letërsisë shqipe me kontekstin e trajtojmë përmes kategorisë së të vërtetës dhe autenticitetit, si fomësuese të kontekstit kuptimor të veprës letrare dhe të identitetit letrar të një letërsie, në përgjithësi.
Tri pikëpamjet Në varësi të përmbajtjes që i jepet konceptit të kontekstit, filozofia e artit identifikon tri pikëpamje dominuese të kontekstualizimit: 1) pikëpamjen e kontekstualizmit socio-historik; 2) pikëpamjen e kontekstualizmit estetik; dhe 3) pikëpamjen e kontekstualizmit fenomenologjik-ontologjist.
Sipas pikëpamjes së kontekstualizmit socio-historik, e dalë nga filozofia pozitiviste e artit, konteksti është një mekanizëm i jashtëm përcaktues, i cili modelon dhe orienton perceptimet, ndjenjat, mendimet, vlerat artistike dhe tërë kulturën e komunikimit artistik brenda një epoke. Sipas kësaj pikëpamjeje, vepra e artit është epifenomen i kontekstit socio-historik.
Sa më tepër të ndriçohet konteksti, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për të kuptuar botën kuptimore të veprës artistike.
Pikëpamja e kontekstualizmit socio-historik, si në praktikën e krijimtarisë letrare shqiptare, ashtu edhe në praktikën e hulumtimit të logosit të kësaj krijimtarie, vlerën e ka kërkuar në fuqinë stabilizuese që ka krijuar konteksti i caktuar kohor midis pushtetit dhe njohjes, me ç’rast ekzistenca e qenies njerëzore, si realitet artistik, është reduktuar në kontekste të menaxhueshme.
Kontekstualizmi socio-historik funksionalitetin e qëllimit të letërsisë e ka kërkuar brenda kuadrit të përshtatshmërisë, qoftë të vetëdijshme, qoftë të pavetëdijshme, me kërkesat e kontekstit si sfond i jashtëm.
Sipas pikëpamjes së kontekstualizmit estetik, e prejardhur nga estetika formale, duke konsideruar se vlera artistike qëndron në aspektet formale të veprës (kompozicioni, figurat dhe mjetet stilistiko-gjuhësore), një vepër arti përmban një potencial më të madh të vlerës estetike për aq sa është e pavarur nga konteksti si entitet i jashtëm.
Sipas kësaj pikëpamjeje, e bukura nuk është veti objektive e botës, por përcaktohet nga mënyra se si vetëdija e subjektit e përjeton objektin në mënyrë të çinteresuar (Kanti). Kontekstualizmi estetik i mëshon idesë se përjetimi i kënaqësisë estetike është produkt i kontekstit të ndjenjës së brendshme subjektive të vetëdijes, e cila përjetohet si e palidhur me gjëra të tjera.
Përkundër kontekstualizmit socio-historik dhe kontekstualizmit estetik, të cilët subjektin e trajtojnë si të ndarë nga konteksti, kontekstualizmi ontologjik nuk e sheh kontekstin si diçka jashtë subjektit, por, duke e shmangur ndarjen karteziane subjekt–objekt, e trajton vetë subjektin si qenie kontekstuale.
Konceptimi i raportit me kontekstin në pikëpamjen e kontekstualizmit ontologjik e implikon çështjen e identitetit të një letërsie dhe të identitetit letrar. Identiteti letrar është i lidhur pashmangshmërisht me të vërtetën dhe autenticitetin si vlerë aksiologjike.
Këtu nuk bëhet fjalë për të vërtetën proporcionale, pra për atë që përputhet me faktet ose me fakticitetin, por për të vërtetën ontologjike, e cila mundëson zbulimin e realiteteve të qenies njerëzore. I orientuar nga pikëpamja e kontekstualizimit fenomenologjiko-ontologjik, Heideggeri e sheh kontekstin si “të qenit në botë”, ku Dasein-i është gjithmonë së bashku me gjërat dhe me të tjerët.
Kujdesi është mënyra e të qenit së bashku, i cili “jo vetëm që karakterizon ekzistencialitetin, të abstraktuar nga fakticiteti dhe rënia pre e botës, por përfshin unitetin e këtyre përcaktimeve të të qenit” (Martin Heidegger, “Being and Time”, përkthyer nga Joan Stambaugh, State University of New York Press, Albany, 1996, f. 180).
Kujdesi, si kategori ontologjike në filozofinë e Heideggerit, nuk konceptohet si një mënyrë e izolimit të egos në raport me vetveten, por si kusht ekzistencial dhe ontologjik i mundësisë së realizimit të qenies si qenie e lirë dhe autentike. Përmes kujdesit, marrëdhënia me qeniet e botës së brendshme merr karakter ontologjik.
Zbulimi i botës është në përputhje me veçorinë themelore të Dasein-it si qenie e hedhur dhe e lidhur me botën si kontekst. Vetë bota zbulohet përmes hedhjes dhe lidhjes së Dasein-it me të, ku interpretimi dhe të kuptuarit janë rezultat i fuqisë zbuluese të qenieve të botës së brendshme dhe i vetë mënyrës së të qenit.
Letërsia dhe e vërteta Çështja e raportit të letërsisë me kontekstin, në rrafshin ontologjik, implikon edhe çështjen e raportit të së vërtetës, si thelb i autenticitetit, me letërsinë. E vërteta letrare është një kategori përcaktuese jo vetëm e identitetit të një letërsie, por edhe e qëndrueshmërisë së vlerës së saj artistike.
Natyra dhe qëllimi i artit përcaktohen nga zbulimi i së vërtetës në procesin e shpalosjes së botës. E vërteta, si zbuluese e botës, përkundër pikëpamjes kantiane mbi natyrën e artit, në këndvështrimin heideggerian nuk është një përfaqësim estetik i paraqitjeve të jashtme të objekteve, por një ngjarje dinamike e zbulimit dhe e konstituimit të vetë botës.
Heideggeri konsideron se e bukura nuk është cilësi estetike e objekteve, por “aspekt i së vërtetës si mosmbulim” (Ahmad Ebrahimi Pur, “Heidegger’s Approaches to Truth Discovery in Art”, Revista Publicando, 4 No 12. (1). 2017, fq. 836), e cila shfaqet nga përplasja e “Tokës” dhe “Botës”.
“Toka”, në konceptin ontologjik të filozofisë së artit të Heideggerit, është metaforë e “materialit të fshehur të ekzistencës së qenies”, prej së cilës shfaqet e vërteta e qenies, por e cila, njëkohësisht, i reziston zbulimit të saj.
Nga ana tjetër, “Bota”, si horizont i kuptimeve dhe vlerave brenda një konteksti të caktuar kohor, përfaqëson zbulimin e kuptimeve të rrënjosura në Tokë dhe të marrëdhënieve të tyre me përvojën njerëzore. Vlera e artit, sipas Heideggerit, qëndron në vetë aktin e “përplasjes së Tokës dhe Botës”.
Sa më e ashpër dhe më e thellë të jetë kjo përplasje, aq më e ndritshme është bukuria si shfaqje e së vërtetës. Në veprën “Origjina e veprës së artit”, Heideggeri thotë: “E vërteta është grindja fillestare, në të cilën, në një farë mënyre, luftohet për të hapurën, në të cilën gjithçka ngrihet dhe nga e cila gjithçka tërhiqet, domethënë çdo gjë që shfaqet dhe tërhiqet si qenie (als Seiendes).
Kur dhe si do të shpërthejë dhe do të ndodhë kjo grindje, përmes saj ndahen forcat që përplasen, si edhe proceset e zbulimit dhe të fshehjes.” (Martin Heidegger, “The Origin of the Work of Art” (përkthyer nga gjermanishtja në anglisht nga Roger Berkowitz dhe Philippe Nonet), 2006, fq. 44).
Kontekstualizmi fenomenologjik-ontologjist, si një qasje e kognitivizmit estetik, konsideron se konteksti është thelbësor për të kuptuar se çfarë është vepra artistike në qenien e saj dhe cili është qëllimi i ekzistencës së saj.
Tom Cochrane, duke u mbështetur në filozofinë e estetikës së jetës, në veprën e tij “The Aesthetic Value of the World” (Bota si vlerë estetike), konsideron se qëllimi i artit është që, përmes prodhimit të përvojave estetike dhe efekteve që ai ushtron në zhvillimin e kapaciteteve reflektuese, të rrisë kuptueshmërinë dhe ndjeshmërinë ndaj përvojës njerëzore.
Cochrane konsideron se vlera estetike nuk qëndron vetëm në vetëdijen e subjektit, por është e lidhur ngushtë me përvojën dhe realitetin konkret të jetës.
Të gjitha vlerat estetike e kanë zanafillën te shqetësimet praktike, por, duke qenë se janë të mishëruara në vetë objektin, ato kanë aftësinë të largohen nga qendra e nevojave dhe shqetësimeve subjektive praktike dhe të perceptohen si vlera përfundimtare.
Koncepti i vlerës përfundimtare, sipas Cochraneit, i referohet asaj vlere që ekziston për hir të vetvetes dhe që, përkundër konceptit kantian të kënaqësisë së painteresuar subjektive, nxit aftësitë reflektuese për vlerësimin e gjërave në tërësinë e ekzistencës së tyre. Si e tillë, vlera përfundimtare është një vlerë që tejkalon ndjenjat tona subjektive dhe kontekstuale.
Ai thotë: “Njerëzit ndonjëherë e konsiderojnë kënaqësinë si të vetmen gjë që është e vlefshme për hir të vet. Ky është një gabim. Në këtë rast ka një ngatërrim të vlerës përfundimtare me vlerën e brendshme të kënaqësisë. Vlera e brendshme e kënaqësisë është ajo ndjesi e veçantë që ndihet mirë, pavarësisht nga çdo kontekst, shkak ose lidhje me çdo gjë tjetër.
Por ne vlerësojmë për hir të tyre të gjitha llojet e gjërave përtej ndjenjave tona… Vlerat përfundimtare janë shumë të ndjeshme ndaj kontekstit më të gjerë.” (Tom Cochrane, “The Aesthetic Value of the World”, Oxford University Press, New York, 2021, fq. 2).
Koncepti i së bukurës si efekt e njëson vlerën e artit me hedonizmin spektakolar, i cili mjaftohet me konsumin e afekteve subjektive të kënaqësisë që prodhon objekti.
Përkundër konceptimit të vlerës si efekt i cilësive të objektit te marrësi, Cochrane insiston në vlerën si “folje”, pra në qëndrimin estetik si proces vlerësimi, sepse “kur vlerësoj diçka, angazhohem me të dhe përjetoj një kënaqësi të drejtuar qëllimisht prej saj” (Tom Cochrane, po aty, fq. 14). Objektivizimi i vlerës përfundimtare bëhet i mundur përmes këtij lloj angazhimi.
Njohja e vlerës estetike, e cila, sipas Cochrane, përfshin botën e vlerës përfundimtare, është pjesë e vlerësimit të jetës dhe të realitetit. Arti i mirëfilltë, përmes kuptimeve simbolike dhe qëndrimeve estetike, e lidh lexuesin me të vërtetën për botën dhe me tërësinë e përvojës njerëzore, duke e formësuar atë. Një qëllim të tillë, sipas Cochrane, nuk mund ta përmbushë as etika.
Etika, në vetvete, nuk mund t’i japë përgjigje “problemit të krijimit të një marrëdhënieje tërësore me botën”, sepse vlerësimi moral është i lidhur me vlerësimin praktik të gjërave: “Vlerësimi moral, në thelb, ka të bëjë me atë që më lejon mua, juve dhe të gjithë të tjerëve të jetojmë mirë. Ai është një formë e zgjeruar e vlerësimit praktik.” (Tom Cochrane, po aty, fq. 17).
Përkundrazi, për shkak se është i çliruar nga vlerësimi praktik, qëndrimi estetik, si angazhim për vlerësimin e gjërave në botë, është më totalizues dhe më i qëndrueshëm sesa vlerësimi etik, duke e bërë botën më të vlefshme dhe më të pohueshme si një tërësi.
Pra, vlerësimi estetik, ngjashëm me konceptin e Nietzches për katarsisin, në këndvështrimin e Cochrane, është në funksion të një ngushëllimi metafizik që pohon jetën.
Pikëpamja e kontekstualizmit fenomenologjik-ontologjist përfaqëson një mënyrë të rikthimit të dinjitetit konceptual të qëllimit të artit letrar, i cili, përmes vlerës estetike që prodhon, e bën botën kuptimisht të vlefshme për ekzistencën njerëzore.
Letërsia shqipe në kontekstin e epigonizmit Nga tri pikëpamjet e evidentuara më lart për raportin e kontekstit me letërsinë, në letërsinë shqipe – si në praktikën e prodhimit letrar, ashtu edhe në hulumtimin e logosit të kësaj praktike – pikëpamja e kontekstualizmit socio-historik dhe ajo e kontekstualizmit estetik formal janë mbizotëruese.
E mbështetur në këto dy pikëpamje, letërsia shqipe vazhdon të mbetet me statusin e një letërsie periferike dhe një gjendje e tillë, fatkeqësisht, mirëmbahet dhe ushqehet me përmbajtje të vetëdijes iluzore mbi mënyrën se si ne e shohim dhe e kuptojmë veten në raport me tjetrin.
Pse letërsia shqipe ka statusin e një letërsie periferike, gjë që nuk mund të thuhet për krijimtarinë tonë popullore (Eposin e kreshnikëve, baladat, përrallat etj.), po ta krahasojmë atë me traditat popullore të popujve të Mesdheut dhe më gjerë?
Kontekstualistët socio-historikë, në njërën anë, ose do të mjaftohen me arsyetime kontekstualiste, si rrethanat historike, robëria, diktatura komuniste etj., ose, nga ana tjetër, do të pozicionohen në bedenat glorifikuese.
Kështu, bie fjala, me rastin e përkthimit të ndonjë vepre letrare shqipe në një gjuhë të huaj, kritika letrare dhe, herë pas here, edhe mendimi shkencor për letërsinë shqipe, nën ndikimin e kontekstualizmit socio-historik me bosht globalizimin, nxjerrin përfundimin se letërsia shqipe, për nga vlerat artistike dhe estetike, ndodhet në nivelin e letërsive evropiane.
Një fakt sociologjik i industrisë së konsumit letrar perceptohet si dëshmi e mirëqenë e nivelit të vlerës estetike të letërsisë shqipe.
Këto arsyetime, që justifikojnë ngecjen e aftësive tona mendore për të menduar, interpretuar dhe konceptuar kritikisht krijimtarinë letrare shqiptare, por edhe fusha të tjera të mendimit abstrakt-konceptual, përbëjnë, sipas meje, shmangie të përgjegjësisë për t’u përballur me të vërtetën. Qytetërimet dallojnë identitarisht nga njëri-tjetri për shkak të konceptit që kanë për të vërtetën.
Nuk janë në vetvete fuqitë distribuese (ekonomike, politike, ushtarake etj.) të popujve të mëdhenj ato që ua sigurojnë letërsive të tyre ndikimin në qytetërimin njerëzor. Fuqinë ndikuese të letërsive të mëdha e përcakton aftësia e tyre për të ndriçuar aspekte ende të pazbuluara ontologjike të së vërtetës së qenies njerëzore.
Pikëpamja e kontekstualizmit fenomenologjik-ontologjist çështjen e të qenit të një letërsie “të madhe” nuk e mat me parametra empirikë dhe sociologjikë, por me të bukurën si rrezatim i fuqisë zbuluese të së vërtetës.
Letërsitë e mëdha janë të mëdha sepse, përmes së bukurës, si formë e zbulimit të së vërtetës, kanë dëshmuar aftësi për të kontribuar në perceptimin, negocimin, kontestimin, modelimin, vlerësimin dhe zgjerimin e kufijve të së vërtetës, si bazament i qytetërimit evropian në veçanti dhe i qytetërimit njerëzor në përgjithësi.
Si kontekstualizmi socio-historik, ashtu edhe kontekstualizmi estetik-formal nuk mund të japin shpjegime epistemikisht të justifikueshme për atë se sa dhe si letërsia shqipe ka kontribuar në zgjerimin e kufijve të së vërtetës si parim organizues i qytetërimit njerëzor.
Kështu, bie fjala, duke u orientuar nga pikëpamja e kontekstualizmit estetik-formal, i cili vlerën estetike e redukton në cilësitë formale të veprës letrare (mjetet stilistike gjuhësore, format kompozicionale, elementet narratologjike etj.), kritika letrare shqiptare jo pak autorë shqiptarë, me një lehtësi te padurueshme, i ka vënë në të njëjtën rang vlerësimi me Kafkën, James Joyce apo Beketin.
Letërsia shqipe me Xhojsa e Kafka, e megjithatë me status të pandryshuar: me statusin e një letërsie periferike. Epigonizmi, si imitim i modeleve të huaj, më shumë sesa instrument për mashtrimin e tjetrit, është instrument i vetëmashtrimit, ku uni ynë perceptohet si një tjetër që qëndron jashtë nesh.
Shkrimtari me aftësi të kufizuara krijuese artistike, jo vetëm që e justifikon paaftësinë, por e mbivlerëson krijimtarinë e vet me argumente të përvjedhura nga kontekstualizmi formal-estetik, ndërsa kritika letrare shqipe, duke e legjitimuar epistemikisht, e institucionalizon vetëmashtrimin.
Vetëmashtrimi, si kategori negative deontologjike për krijimin dhe vlerësimin e letërsisë shqipe, është mirëmbajtur në vazhdimësi nga epigonizmi, ndërsa epigonizmi është bërë shfaqja artistike e vetëmashtrimit në praktikën e prodhimit letrar dhe të refleksionit për të.
Bindshmëria e përvojës hermeneutike që sjellë një vepër letrare përcaktohet nga e vërteta dhe autenticiteti, ndërkaq, identiteti i saj përcaktohet nga konteksti kuptimor. Epigonizmi në bashkëveprim me vetëmashtrimin janë faktorë pengues për qenien e veprës së letrare, për integritetin ekzistencial të saj, si dhe për autenticitetin dhe zbulimin të së vërtetës së qenies njerëzore.
Epigonizmi në bashkëveprim me vetëmashtrimin, në vend të çlirimit, e stimulojnë varësinë ndaj modeleve dominuese kulturore letrare duke e bërë të paqëndrueshëm vetë identitetin letrar shqiptar.
Kështu, shkrimtarët tanë herë thonë se “tani është koha e letërsisë postmoderne”, herën tjetër se “tani është koha e letërsisë dokumentare”; herë thonë se ka kaluar koha e letërsisë që trajton tema të mëdha, se tani letërsia duhet të trajtojë tema të vogla (çfarë e përcakton që një temë të jetë e madhe apo e vogël? – A.H.) etj., etj.
Pra, vlera e letërsisë na del të jetë e kondicionuar nga konteksti kohor, e jo nga përvoja unike hermeneutike për qenien njerëzore që ajo duhet të sjellë. Kontekstualizimi fenomenologjik-ontologjist është pikëpamja filozofike për artin e cila, përmes kategorisë së të vërtetës dhe autenticitetit, e dekonstrukton ngrehinën e vetëmashtrimit dhe të epigonizmit.
Kontekstualizmi fenomenologjik-ontologjist, duke u përqendruar në raportin që uni, si subjekt krijues, ka me ndërgjegjen estetike dhe në raportin e kësaj të fundit me botën si vlerë përfundimtare, na kumton një të vërtetë së cilës ne i shmangemi në mënyrë brutale: letërsia shqipe, përtej përmbushjes së nevojave të kureshtjes ekzotike të të tjerëve ndaj saj, daljen nga periferia dhe përfshirjen në dinamikat ndërvepruese me qendrën e polisistemit letrar evropian do ta arrijë vetëm atëherë kur e vërteta, si zbulim i qenies dhe i përvojës autentike shqiptare, të diktohet nga një un autentik, i cili e furnizon ndërgjegjen artistike me përmbajtje ontologjikisht autentike mbi gjendjen njerëzore të njeriut shqiptar.
Një un joautentik do ta tradhtojë edhe ndërgjegjen më të përkryer artistike. Një pjesë e madhe e letërsisë shqipe, si produkt i një marrëdhënieje jo të shëndetshme ndërmjet unit joautentik dhe ndërgjegjes artistike, është bërë agjente dhe dëshmitare e cenimit të të vërtetave autentike të qenies dhe ekzistencës shqiptare.
Kështu mund të thuhet se, përveç tipit të letërsisë së realizmit socialist, si modelim i kontekstualizmit socio-historik, edhe tipi i letërsisë estetizante të krijuar në Kosovë nga mesi i viteve ’60 deri në fund të viteve ’70, si modelim i kontekstualizmit estetik-formal, me pretendimin për t’iu përkitur universalisht arealit të kulturës letrare perëndimore, duke mohuar të veçantën autentike të qenies shqiptare, përfundoi në një universalitet abstrakt.
Universalja nuk arrihet duke shmangur të veçantën, por duke depërtuar në thellësitë e saj. Pikërisht në thellësitë e të veçantës janë të strukturuara modelet e përbashkëta të ekzistencës njerëzore. Në thellësinë e të veçantës qëndron universaliteti.
Letërsi e madhe nuk është ajo që i përgjigjet nevojave të habitusit ekzistues shoqëror, si kontekst i jashtëm, por ajo që mban qëndrim kritik ontologjik ndaj këtyre nevojave.
Letërsia shqipe, në pjesën dërrmuese të saj, për shkak të mungesës së depërtimeve të thella ontologjike kuptimore për ekzistencën njerëzore, nuk ka arritur të nxisë reflektime që do ta bënin botën të perceptohej si vlerë përfundimtare, ose, siç do të thoshte Nietzche, si një ngushëllim metafizik që pohon jetën.
Letërsia shqipe, në shumicën e rasteve, duke u bërë zgjatim herë i ideologjisë religjioze, herë i ideologjisë kombëtare, herë i ideologjisë klasore dhe, në kohën tonë, i ideologjisë së multikulturalizmit si mbështetëse dhe ushqyese e globalizimit, në vend që t’i zbulojë kontradiktat e jetës si vendndodhje të kuptimeve dhe ndjeshmërive të plota ekzistenciale, i ka fshehur ato.
