Në politikë, fitorja shpesh matet me numra, me vota të fituara, me mandate të siguruara dhe me pushtetin e marrë. Por në një shoqëri demokratike, pyetja më e rëndësishme nuk duhet të jetë vetëm “Kush fitoi ndaj kujt?” Pyetja themelore duhet të jetë “A fitoi Kosova?”
Sepse një fitore politike nuk ka kuptim të plotë nëse ajo nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, në forcim të institucioneve dhe në përparim të shtetit. Kosova ka kaluar nëpër procese të rëndësishme historike dhe sot përballet me sfida të mëdha, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, integrimin evropian, afirmimin ndërkombëtar dhe forcimin e demokracisë.
Përballimi i këtyre sfidave nuk kërkon vetëm fitore partiake, por kërkon pjekuri politike, kompromis dhe konsensus. Fatkeqësisht, në jetën politike shpesh shohim që rivaliteti partiak vendoset mbi interesin shtetëror. Fitorja e një partie shpesh shihet si humbje e palës tjetër, ndërsa bashkëpunimi dhe dialogu mbeten të vështira për t’u arritur.
Por demokracia nuk është vetëm garë për pushtet; demokracia është edhe aftësi për të ndërtuar marrëveshje kur vendi ka nevojë. Kompromisi nuk është dobësi, por është shenjë e përgjegjësisë politike. Një lider shtetëror nuk matet vetëm me aftësinë për të fituar zgjedhje, por me aftësinë për të bashkuar shoqërinë dhe për të gjetur zgjidhje në interes të vendit.
Po ashtu, konsensusi nuk do të thotë që të gjithë duhet të mendojnë njësoj. Konsensusi do të thotë që, për çështjet madhore të shtetit, forcat politike arrijnë të vendosin interesin e Kosovës mbi interesat afatshkurtra partiake. Historia nuk i kujton vetëm ata që fituan një mandat politik, por ata që ndërtuan institucione, krijuan stabilitet dhe hapën rrugë për gjeneratat e ardhshme.
Një mandat zgjat disa vite, por përgjegjësia ndaj shtetit është historike. Prandaj, në fund të çdo beteje politike, pyetja që duhet të na udhëheqë nuk është, “Kush fitoi ndaj kujt?” Por: “A fitoi Kosova?”
Sepse kur partitë fitojnë, por qytetari humb besimin, kur konfliktet politike zëvendësojnë dialogun dhe kur mungon konsensusi për çështjet madhore, atëherë humbja nuk është vetëm e një partie, është humbje e shoqërisë dhe e shtetit.
Kosova ka nevojë për një politikë që di të bashkojë më shumë sesa të përçajë, për liderë që kuptojnë se kompromisi është urë drejt zgjidhjes, ndërsa konsensusi është themeli i një shteti të qëndrueshëm.
