Shpërndaje në: Ilgiz Tantashev, 42-vjeçari nga Uzbekistani, ishte gjyqtar në ndeshjen e tensionuar mes Francës dhe Paraguait. Franca fitoi 1:0. Tantashev është kritikuar për mënyrën se si i doli loja nga kontrolli. Paraguaianët luajtën ashpër, ndërsa Franca fitoi me penallti të Kylian Mbappes, të fituar me VAR.
Tantashev ishte gjyqtar në ndeshjet Algjeria – Austria 3:3 dhe Maroku – Skocia 1:0. Tantashev u akuzua se i kishte mohuar Skocisë dy penallti. Tantashev u lind në Bukhara dhe nuk ka ëndërruar të jetë gjyqtar. Ishte mbrojtës dhe mesfushor dhe e ndërpreu karrierën për shkak të një lëndimi të rëndë si 15-vjeçar. “Kam rënë keq, nuk mundja të ecja për një muaj.
Kur fillova të ecë, nuk munda të vrapoja. Kur fillova të vrapoj, nuk mundja ta godisja topin me këmbën e djathtë”, kishte thënë ai në një intervistë të dhjetorit 2024, të përkthyer nga “Le Parisien”. Tantashev ka thënë se ka metodë specifike për përgatitjen e ndeshjeve. Thotë se i shmang filmat dramatik apo telefonatat stresuese. Sheh filma komedi.
Ai ka thënë se i studion ndeshjet e kaluara. E nisi karrierën në vitin 2008 si asistent, në moshën 24-vjeçare. Më pas u bë gjyqtar kryesor në dy finalet e Ligës së Kampionëve aziatike, të fundit ndërmjet Al Ahlit dhe Machidas. Në Uzbekistan në vitin 2021 ishte gjyqtari më i mirë. Në total i ka 300 ndeshje prej vitit 2008. Ka dhënë 1260 kartonë të verdhë dhe 33 të kuq.
Në Olimpiadën “Parisi 2024” ishte arbitër në dy fitoret e Francës U21, ndaj Guineas dhe Argjentinës në çerekfinale. Tantashev ishte arbitër edhe në ndeshjen e Botërorit të klubeve mes Interit dhe River Plates në vitin e kaluar.
Ndeshja u mbyll me dy kartonë të kuq për ekipin argjentinas dhe pati situata të tensionuara mes Marcos Acunas dhe Denzel Dumfriesit, të cilët synonin të përlesheshin mes vete në tunelin e stadiumit.
