Shpërndaje në: Debati për vajin e palmës në industrinë e qumështit është thelluar pas inspektimit në qumështoren “Vita” dhe thirrjeve për kontrolle më të rrepta.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e sigurisë ushqimore për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve Yllnora Elshani Arifaj Ende pa u bërë 24 orë, drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita” ka dhënë dy versione për ndërprerjen e punës së kompanisë.
Të enjten pas inspektimit, ai tha se bordi mori vendim për mbylljen e fabrikës deri në vendimin e radhës e të premten dha një qëndrim tjetër. “Desha t’ju njoftoj se vendimin për pezullimin nuk e ka marrë as ministria, por nuk e ka marrë as AVUK-u. Këtë e kemi marrë neve si bord.
Arsyeja e këtij vendimi ka qenë se janë marrë mostra të qumështit Vita, 3-2 me pretendim të analizës”, ka thënë Arton Spahija, drejtor gjeneral në “Vita”. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë evidentoi se kompania kishte të instaluara linja për prodhimin e produkteve me bazë qumështi duke përdorur, ndër të tjera, qumësht pluhur dhe vaj palme.
“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse.
Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme”, thuhet në vendimin e Agjencisë.
AUV-ja ka konstatuar se ky subjekt nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllime të deklaruara në etiketim.
Shqetësime për përdorimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë përpunuese, u ngritën edhe nga Shoqata e Qumështoreve të Kosovës, duke kërkuar që vaji i palmës të ndalohet në këto fabrika. “Vaji i Palmës është duke i shkatërruar dhe mbyllur fermat vendore është duke e dëmtuar shëndetin e konsumatorëve dhe duke i bërë të pavlefshme skemat e përkrahjes qeveritare.
Prodhimet me vaj palme dhe qumësht pluhur janë duke e dëmtuar shumë rëndë edhe imazhin e prodhimeve vendore”, thuhet në reagimin e shoqatës. E përfaqësues të qumështores “Vita” thanë se përdorimi i vajit të palmës është praktikë e zakonshme në treg.
“Nuk e kuptoj ku është problemi… nëse është i dëmshëm, është i dëmshëm për të gjitha këto produkte”, ka thënë Musa Berisha, drejtor i prodhimit në qumështoren “Vita”. Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kontrollet e produkteve ushqimore janë të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit publik. “Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve.
Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak analiza pacientësh në spitale është e nevojshme të kemi sa më shumë, gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen”, ka thënë Kurti. Komentet Kurti i bëri një ditë pas mbylljes së qumështores “Vita” nga pronarët, ditën kur inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari shkuan për t’i inspektuar, siç thanë, standardet e sigurisë ushqimore.
