Furnizimi me ujë të pijshëm në zonën e shërbimit të KRU “Prishtina” mbetet stabil, por rritja e konsumit gjatë ditëve të fundit po krijon vështirësi në disa zona të larta, ka deklaruar zëdhënësja e kompanisë, Arjeta Mjeku.
Ajo ka bërë thirrje që uji të përdoret vetëm për nevoja higjienike dhe shtëpiake, duke paralajmëruar se keqpërdorimet mund të ndikojnë në furnizimin e rregullt gjatë verës. Mjeku në një intervistë , ka deklaruar se gjendja në liqenet akumuluese aktualisht është e mirë, por temperaturat e larta që parashikohen gjatë verës mund të rrisin edhe më shumë kërkesën për ujë.
“ Po realisht gjendja aktuale e furnizimit me ujë të pijshëm mbetet stabile me përjashtim të disa pikave që janë të ndërtuara mbi kuotat e rezervuarëve që kohë pas kohe sidomos gjatë natës kanë mungesë të furnizimit me ujë, konsumi i ujit është rritur jashtëzakonisht sidomos javën e fundit.
Ne andaj kemi apeluar dhe po vazhdojmë të apelojmë që uji të shpenzohet vetëm për nevoja higjienike dhe shtëpiake jo për ujitjen e kopshteve, trotuareve, bahçeve, arave sepse ky ujë është i destinuar për pije, është një kosto e lartë e trajtimit të ujit dhe shpërndarjes deri te konsumatorët.
Gjendja në liqene është e mirë, mirëpo nga Evropa është paralajmëruar që do të jetë një verë shumë e nxehtë dhe nëse vera është shumë e nxehtë atëherë rritet konsumi i ujit, rriten keqpërdorimet e ujit në pikat e ulëta dhe aty këtu në ndonjë pikë të lartë mund të kemi probleme me furnizimin me uj ë”, tha ajo.
Ajo u bëri thirrje banorëve të ndërtesave të larta që, në bashkëpunim me investitorët, të sigurojnë pompat e nevojshme për furnizim me ujë në katet e sipërme, duke theksuar se kompania ka obligim ligjor ta dërgojë ujin deri në një lartësi të caktuar.
“Dhe në të njëjtën kohë apelojmë te konsumatorët që janë të vendosur apo banojnë rezidentë që nga paslufta në ndërtesat e reja kolektive që bashkë me investitorët të vendosin pompa brenda ndërtesave aty ku nuk ka sepse obligim ligjor kemi që ujin ta dërgojmë me shtypje deri në 1.5 bar minimumi që i bie 15 metra lartësi dhe mbi katin e pestë ne nuk e kemi obligim ligjor, e ka obligim investitori me konsumatorin të vendosin ato pompa që uji të shkojë deri në katet e larta sidomos në pikun e verës.
Po ashtu inspektorët tanë janë në terren që të identifikojnë, zbulojnë ata që e keqpërdorin ujin sepse forma më e rëndë e keqpërdorimit të ujit janë lidhjet ilegale në sistemin e rrjetit ujësjellës të cilat po e rëndojnë realisht edhe furnizimin me ujë në pikat e larta”, tha ajo.
Duke folur për ndotjen e liqenit të Badovcit, Mjeku tha se kompania është detyruar dy herë gjatë këtij viti të angazhohet në pastrimin e liqenit dhe brigjeve të tij, ndërsa paralajmëroi masa për mirëmbajtje të vazhdueshme. “Po kjo është një papërgjegjësi qytetare sepse mbeturinat hidhen nga dora e njeriut.
Ne vetëm gjatë këtij viti dy herë jemi marrë me pastrimin e liqenit të Badovcit dhe brigjeve të tij. Dhe tash pas këtyre pamjeve ne do të ndërmarrim hapa të tjerë konkret. Do të shohim të bëjmë marrëveshje për mirëmbajtje. Pra marrëveshje për mirëmbajtje të vazhdueshme të liqenit të Badovcit dhe brigjeve të tij.
Se cila do të jetë marrëveshja dhe me kë do të bëhet marrëveshja do të njoftoheni me kohë”, tha ajo. Zëdhënësja e KRU “Prishtina” foli edhe për procesin e nënshkrimit të kontratave me konsumatorët, duke bërë thirrje që ata që ende nuk e kanë bërë këtë, të paraqiten në pikat e kompanisë.
“ Po në moment që ne kemi filluar me ftesën e konsumatorëve që të nënshkruajnë kontratën për shërbime sepse është obligative, është obligim ligjor që të kemi kontratë në mes të dyja palëve, institucionit dhe konsumatorit, ka pasur një rritje të konsiderueshme të konsumatorëve që kanë nënshkruar kontratën.
Tash pak janë në gjum, duhet sërish ata të cilët nuk e kanë nënshkruar kontratën të shkojnë sa më shpejt kudo në pikat e arkëtimit, kudo që e kanë më afër të nënshkruajnë kontratën për shërbime sepse kjo rregullon edhe marrëdhëniet juridike në mes të dyja palëve.
Deri në atë kohë ne kishim të nënshkruara mbi 70 mijë kontrata për shërbime dhe këtë periudhë prej që kemi bërë sërish thirrje për kontrata, rreth 5 mijë kontrata për shërbime. Por ky numër është ende i ulët krahasuar me atë që ne kemi në zonën e shërbimit 180 mijë konsumatorë”, tha ajo. Sipas saj, pagesa e shërbimeve dhe nënshkrimi i kontratës janë obligime ligjore të çdo konsumatori.
“Po secili konsumator e ka obligim ligjor fillimisht ta bëjë pagesën për shërbimet e ujësjellësit në mënyrë që ne të investojmë në infrastrukturë ujore.
Pastaj është obligim ligjor që ta nënshkruajnë këtë kontratë për shërbime dhe në moment që refuzon ai domethënë refuzon ta marrë edhe shërbimin nga ne kështu që inkurajojmë të gjithë konsumatorët të mos hezitojnë ta nënshkruajnë këtë kontratë sepse kjo është edhe në të mirën e konsumatorit edhe të kompanisë ”, tha Mjeku për EO.
