Menaxhimi i ndeshjes mes Francës dhe Paraguait është cilësuar si i dështuar nga media franceze. Gjyqtari Tantashev është kritikuar ashpër në faqet e L’Equipe, e cila e ka përshkruar paraqitjen e tij si të mbushur me “paaftësi totale”. Sipas gazetës sportive, gjyqtari kryesor ka humbur kontrollin e ndeshjes, në një duel të tensionuar dhe të ndikuar nga provokimet e lojtarëve paraguajanë.
“Pas një beteje që nuk ishte e përshtatshme për t’u parë nga fëmijët, përballë provokimeve të Paraguait dhe paaftësisë absolute të gjyqtarit Tantashev, hyrja e Desire Doué e shpëtoi ‘Les Bleus’ nga një situatë e rrezikshme”, shkruan L’Equipe. Media franceze shton se vendimet e gjyqtarit kanë qenë të pabarabarta dhe të çuditshme.
“Nuk mund të fshihet befasia për serinë e faulleve të pandëshkuara dhe kartonët e shumtë ndaj lojtarëve francezë”. Gazeta vazhdon me kritika edhe më të ashpra, duke theksuar se vetëm ndërhyrja e VAR-it e detyroi gjyqtarin të ndryshojë vendim për një penallti pas faullit ndaj Desire Doue.
“Aftësia themelore e Tantashevit për të gjykuar ndeshjen ishte problemi kryesor i një mbrëmjeje të helmuar nga verbëria e tij ndaj faulleve të mëdha të Paraguait”. Pavarësisht tensioneve dhe lojës së ashpër, Franca arriti të fitojë 1–0 dhe të kualifikohet në fazën tjetër. Tani “Les Bleus” përgatiten për sfidën e radhës ndaj Marokut, që zhvillohet të enjten në çerekfinale.
