Ardian Krasniqi mbron titullin WBO Intercontinental dhe shpallet kampion evropian, mesazh emocionues pas fitores Boksieri shqiptar Ardian Krasniqi ka shkruar një tjetër kapitull të suksesshëm në karrierën e tij, pasi mposhti kroatin Vinko Zadro pas 12 raundeve dhe mbrojti me sukses titullin WBO Intercontinental, duke u shpallur njëkohësisht kampion evropian, shkruan Indeksonline Me këtë triumf, Krasniqi vazhdon të mbetet i pamposhtur në ring, duke regjistruar 13 fitore në po aq meçe në karrierën profesioniste.
Pas ndeshjes, boksieri shqiptar ndau një mesazh emocionues, duke ia dedikuar suksesin shqiptarëve, familjes dhe njerëzve që e mbështetën në rrugëtimin e tij. ““ Çfarë nate magjike! Kjo natë ishte për të gjithë shqiptarët! U shpalla Kampion Europe dhe mbrojta me sukses titullin tim WBO Intercontinental. Faleminderit nga zemra të gjithë tifozëve që më dhatë forcë dhe besuat tek unë.
Një falënderim i veçantë për familjen time, sidomos për babain tim, Agimin, i cili sakrifikoi gjithçka që unë të jem sot këtu ku jam. Ky sukses mban edhe emrin e tij. Faleminderit xhaxhait tim, Luanit, sepse gjithçka filloi prej tij. Ai është arsyeja pse hyra në këtë rrugëtim dhe pse sot jetoj këtë ëndërr.
Faleminderit trajnerëve të mi, vëllezërit t‘mi dhe gjithë stafit për besimin dhe mbështetjen e palëkundur. Ky është vetëm fillimi. Rruga drejt titullit të Kampionit të Botës tani është e hapur” , ka shkruar Krasniqi.
