Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka shënuar 20-vjetorin e themelimit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se KOSTT-i është histori suksesi për Kosovën, teksa ka shtuar se gjatë dy dekadave ky operator ka bërë investime të rëndësishme.
Kurti ka përmendur edhe investimet në energjinë e ripërtërishme, përmes të cilave ka potencuar se do të transformohet mënyra se si prodhohet e konsumohet energjia elektrike. “Ende jeni të rinj, por edhe me përvojë tani. Themelimi i KOSTT-it përfaqësoi një moment vendimtar në modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë. Sot mund të themi se KOSTT-i është një prej tregimeve të suksesshme.
Gjatë dy dekadave janë bërë investime të rëndësishme. Rrjeti i transmetimit nuk është vetëm çështje teknike, është parakusht për sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve. Një hap i rëndësishëm ka qenë themelimi i bursës shqiptare ALPEX. Bashkimi i tregjeve Kosovë-Shqipëri ka krijuar kushte për një treg më konkurrues, transparent dhe më të integruar.
Gjatë vitit 2024, në tregun e ditës, një ditë më parë, u tregtuan 1,172 GWh energji elektrike. Në vitin 2025 u rrit në 1,670 GWh. Gjatë gjysmës së parë, volumi i tregtimit ka arritur në 1,180 GWh. Unë dëshiroj të shpreh mirënjohjen për KOSTT-in dhe gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit që kanë dhënë kontribut për funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik të Kosovës”, ka shtuar ai.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se një ndër sfidat me të cilat është përballur KOSTT-i ka qenë mospagesa e energjisë elektrike në veri të vendit deri në vitin 2024. Ajo ka ngritur shqetësime edhe se Serbia po mban të bllokuara linjat energjetike, gjë që sipas saj po dëmton vendin dhe rajonin.
“Ky jubile është moment për të reflektuar për rrugëtimin e deritanishëm, por edhe për të parë drejt të ardhmes, për të mirat dhe sfidat që na presin. Në sektorin e energjisë, pavarësia matet edhe me aftësinë për të operuar sistemin. KOSTT e ka dëshmuar këtë. Një ndër sfidat më të mëdha ka qenë bartja e padrejtë e furnizimit të katër komunave veriore.
Ky ka qenë ndër problemet kryesore që u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës mbi 350 milionë euro. Në zgjidhjen e këtij problemi KOSTT-i ka qenë shumë bashkëpunues dhe kemi punuar për ta zgjidhur këtë problem. Që nga 1 janari i vitit 2024, KOSTT-i u lirua nga kjo barrë, por edhe sistemi dhe qytetarët.
Vetëm sivjet, deri më 18 maj, për 20 për qind është ulur konsumi në komunat veriore”, ka shtuar Rizvanolli. Gëzim Tosuni, kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, ka thënë se ndër vite ky operator ka punuar ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për avancimin e tregut energjetik. Sipas tij, dy dekadat e ardhshme do të jenë të transformimit të energjisë.
“KOSTT është dëshmi se kur institucionet ndërtohen mbi profesionalizëm, mund të arrijnë standardet më të larta evropiane. Sot festojmë një institucion që është shndërruar në një nga shtyllat më strategjike. Njëzet vjet më parë trashëguam një sistem të vjetëruar. Sot kemi një operator që garanton sigurinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik.
Tri arritje që kanë ndryshuar historinë e KOSTT-it janë: pavarësimi energjetik dhe njohja ndërkombëtare, adresimi i humbjeve në veri dhe zhvillimi i infrastrukturës dhe tregut energjetik. Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë, kemi përballuar sfida të ndryshme”, ka deklaruar ai.
Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, ka thënë se do të vazhdojnë investimet në përforcimin dhe modernizimin e rrjetit të energjisë. “Kemi investuar në përforcimin dhe modernizimin e rrjetit, kemi rritur kapacitetet transformuese dhe kemi përmirësuar sigurinë dhe besueshmërinë e operimit të sistemit. KOSTT-i që kemi sot është rezultat i shumë gjeneratave.
Përgjegjësia jonë është e ardhmja. Rrjeti i së ardhmes nuk do të jetë vetëm rrjet fizik, do të jetë dinamik dhe shumë më kompleks, me burime të shpërndara, me kapacitete më të mëdha solare, të erës dhe rrjete të energjisë që ndryshojnë vazhdimisht”, ka nënvizuar Tërnava.
