Kriza institucionale kërkon lidership, dialog politik dhe përgjegjësi shtetërore mbi interesat partiake. Kosova po përballet me një krizë të thellë politike dhe institucionale, e cila po sfidon funksionimin normal të shtetit dhe po dëmton besimin e qytetarëve në institucionet demokratike.
Pas zgjedhjeve parlamentare, pamundësia për të krijuar një situatë të qëndrueshme institucionale ka prodhuar një bllokadë politike që nuk i shërben as qytetarëve, as interesit shtetëror. Në një demokraci parlamentare, zgjedhjet janë vetëm fillimi i procesit politik.
Mandati i fituar nga qytetarët shoqërohet me përgjegjësinë për të ndërtuar institucione funksionale, për të kërkuar bashkëpunim dhe për të gjetur zgjidhje edhe kur ekzistojnë dallime të thella politike. Një fitore elektorale nuk mund të shndërrohet në një krizë të vazhdueshme institucionale. Në këtë situatë, përgjegjësia politike u takon të gjitha subjekteve parlamentare.
Megjithatë, forca politike që ka marrë besimin më të madh të qytetarëve dhe lideri që synon të udhëheqë vendin kanë një përgjegjësi të veçantë për të ofruar iniciativa që çojnë drejt zhbllokimit të institucioneve. Kosova sot ka nevojë për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi.
Ka nevojë për dialog politik, jo për thellim të ndarjeve, për marrëveshje institucionale, jo për vazhdim të bllokadave; për vizion shtetëror, jo për kalkulime afatshkurtra partiake. Një krizë e zgjatur politike nuk prek vetëm partitë. Ajo prek ekonominë, zhvillimin, sigurinë juridike, procesin e integrimit evropian dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Një shtet që dëshiron të konsolidojë demokracinë dhe të forcojë subjektivitetin ndërkombëtar duhet të dëshmojë aftësi për të krijuar institucione stabile dhe funksionale. Lidershipi i vërtetë nuk matet vetëm me numrin e votave të fituara, por me aftësinë për të menaxhuar sfidat, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të vendosur interesin e shtetit mbi interesin partiak.
Pikërisht në kohë krize shfaqet dallimi ndërmjet një udhëheqësi politik dhe një lideri shtetëror. Kosova nuk ka nevojë për fitues të krizës, por për fitore të shtetit. Nuk ka nevojë për triumfin e një partie mbi tjetrën, por për triumfin e institucioneve, të demokracisë dhe të interesit publik. Fituesi i vetëm duhet të jetë Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Në fund, historia nuk i vlerëson ata që i zgjasin krizat, por ata që kanë guximin dhe mençurinë për t’i zgjidhur ato. Liderët mbahen mend jo vetëm për betejat që fitojnë, por për shtetin që arrijnë të ndërtojnë dhe për stabilitetin që i lënë pas vendit të tyre.
