Kosova i kërkon Serbisë që ta zbatojë obligimin për tregtinë

0%

Nga: Ekonomia Online Shpërndaje në: Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar zbatimin e vendimit të Komunitetit të Energjisë që obligon Serbinë të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën, duke thënë se Beogradi nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim dhe se Kosova nuk do të qëndrojë duarkryq.

Në takimin joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, të cilin këtë vit e kryeson Kosova, Rizvanolli theksoi tri çështje. Ajo përmendi angazhimin për shfrytëzimin e kapaciteteve energjetike “që tashmë i kemi në rajon, qoftë gjeneruese apo transmetuese” – derisa në Kosovë kohën e fundit është diskutuar shumë për gazin amerikan.

“Së pari, po punojmë për të përshpejtuar integrimin e tregut të energjisë elektrike dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së. Së dyti, po përpiqemi të harmonizojmë tutje politikat klimatike dhe të hapim rrugën për zvogëlimin e emetimeve të karbonit, gjithnjë me prioritet kyç sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë e çmimeve për konsumatorët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Së treti, po angazhohemi për bashkëpunim të shtuar dhe shfrytëzim sa më të mirë të kapaciteteve që tashmë kemi në rajon, qoftë kapaciteteve gjeneruese apo atyre transmetuese”, tha ajo. Ministrja në detyrë akuzoi Serbinë për moszbatim të vendimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili kishte caktuar afatin për hapjen e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën.

“Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal.

Duke e penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit me Kosovën, Serbia po i mbingarkon kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe në vendet fqinje dhe po u vendos një barrë të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit, veçanërisht atyre të Kosovës. Pasojat e kësaj i kemi ndier shumë afër dhe shumë rëndë në vitet e kaluara.

Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq përderisa ky obligim i Serbisë nuk zbatohet”, tha ajo. Shefja e Njësisë për Bashkimin Evropian, Yolanda Garcia Mezquita, tha se integrimi i vendeve të Komunitetit të Energjisë në tregun e brendshëm energjetik të BE-së është prioritet strategjik.

“Mesazhi ynë sot është i qartë: siguria energjetike e Evropës nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike evropiane, e cila është e integruar, e ndërlidhur mirë dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta”, tha ajo.

Sipas saj, prioritet mbetet përshpejtimi i integrimit të vendeve të Komunitetit të Energjisë në tregun energjetik të BE-së dhe avancimi i bashkimit të tregjeve të energjisë elektrike.

Ndërkaq, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, tha se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Komunitetin e Energjisë që nuk ka interkoneksione të drejtpërdrejta me shtetet anëtare të BE-së.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian tashmë u ka bërë thirrje vendeve të rajonit që të integrohen në tregun energjetik evropian edhe para anëtarësimit të plotë.

Burimi: Koha