Akrepat e orës porsa kishin kaluar njëshin e mëngjesit të së mërkurës kur Abdelrahman Badr do të dëgjonte hapa jashtë shtëpisë në Hebron në Bregun e pushtuar Perëndimor. Menjëherë forcat izraelite u paraqitën në derën e tij, ka treguar ai për agjencinë amerikane të lajmeve, AP . Ata po kërkonin gruan e tij.
Forcat e morën Itaf Badrin, e cila shërben në bordin e një organizate bamirëse të shquar shëndetësore, dhe thanë se ajo do të merrej në pyetje, duke e marrë me makinë në mes të natës, thotë Abdelrahman. Ajo ishte një nga pesë gratë palestineze të ndaluara nga forcat izraelite të sigurisë në mbarë Bregun Perëndimor të mërkurën ().
Bastisjet herët në mëngjes kishin caqe qytete të shumta, përfshirë Hebronin, Ramallahun, Nablusin dhe Betlehemin, kanë treguar familjet e grave dhe grupet palestineze të të drejtave.
Për pjesën më të madhe të pushtimit dhjetëvjeçar izraelit, burrat dhe djemtë palestinezë kanë bartur peshën kryesore të përpjekjeve të ushtrisë për ta zbatuar atë dhe janë përfshirë në arrestime masive, ose kanë kaluar vite të tëra burgjeve për hedhjen e gurëve ndaj trupave izraelite.
Por forcat e sigurisë po arrestojnë më shumë gra dhe vajza, ka theksuar Abdullah Al-Zaghari, kryesues i Klubit të të Burgosurve Palestinezë, organizatë joqeveritare që mbështet të burgosurit politikë në burgjet izraelite. Ai tha se gjinia nuk është më faktor dallues se kë grupi beson se po shënjestrën Izraeli, nga aktivistët politikë te liderët studentorë në universitetet palestineze.
Më shumë gra po arrestohen Gratë tani përbëjnë një pjesë të vogël, por në rritje të rreth 9,300 palestinezëve që ndodhen aktualisht në paraburgim, sipas grupit izraelit të të drejtave të njeriut, “Hamoked”, që mbledh merr të dhëna nga Shërbimi i Burgjeve të Izraelit.
Numri i grave dhe vajzave palestineze në paraburgim izraelit është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i luftës Izrael-“Hamas” dhe është rritur për 80% që nga fillimi i vitit 2026. Pesëmbëdhjetë gra janë arrestuar që nga fillimi i qershorit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 99 syresh, sipas të dhënave të Klubit të të Burgosurve.
Disa prej tyre u arrestuan pasi postuan mesazhe në mediat sociale, duke përfshirë ato që ishin kritike ndaj pushtimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli, ose ndaj luftës në Gazë. Të tjera gra ishin anëtare të degëve studentore të partive politike palestineze në universitetet e tyre, ka treguar Al-Zaghari.
Shumë syresh janë burgosur pa akuza zyrtare sipas politikës së paraburgimit administrativ të Izraelit, e cila u lejon autoriteteve t’i mbajnë palestinezët për periudha të ripërtërishme deri në gjashtë muaj.
Muajin e kaluar, ushtarët izraelitë arrestuan të paktën pesë gra të tjera të reja, përfshirë katër anëtare të ekipit kombëtar palestinez të futbollit dhe palestinezo-amerikanen 20-vjeçare, Sama Saif. Ushtria ka njoftuar se këto gra dyshoheshin për “nxitje të aktiviteteve terroriste”. Të paktën njëra prej tyre është liruar deri tani.
Të tjerat nuk janë akuzuar ende zyrtarisht, sipas avokatëve të tyre. Arrestimi i Saifit ka nxitur kritika të disa senatorëve amerikanë, të cilët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj. Ushtria izraelite i drejtoi të mërkurën pyetjet lidhur me arrestimet në Ramallah dhe Nablus te Policia Kufitare të Izraelit, e cila vepron gjithashtu në Bregun Perëndimor.
Ajo tha se po kontrollonte për informacion mbi arrestimin e Itafit në Hebron, por nuk iu përgjigj kërkesës për koment se pse u ndalua. Familjet thonë se nuk e dinë pse iu ndaluan të afërmet Familjarët e grave që u ndaluan të mërkurën herët kanë thënë se nuk janë të sigurt pse u morën ato.
Në Nablus, Wael al-Faqih ka thënë se gruaja e tij, Maiser al-Faqih, u arrestua në shtëpi nga forcat izraelite. Ajo është një ish-e ndaluar dhe, ashtu si Itaf, më parë ishte e përfshirë në Unionin e Komiteteve të Punës Shëndetësore, organizatë bamirëse që ofron kujdes mjekësor në komunitetet me të ardhura të ulëta.
Izraeli e ka akuzuar grupin për lidhje me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, që e ka shpallur organizatë terroriste. Organizata bamirëse i ka hedhur poshtë akuzat. “Ende nuk e dimë për çfarë bëhej fjalë” – ka thënë Wael në një intervistë.
Ai ka theksuar se forcat izraelite e kontrolluan atë dhe të birin e tij dhe më pas i kërkuan Maiserit të vishte hixhabin përpara se ta largonte me shpejtësi. Abdelrahman beson se puna e Itafit me organizatën bamirëse po e vë në rrezik. Ai tregoi një histori të ngjashme për arrestimin e saj. Së pari, ajo u nxor jashtë dhe më pas u prangos në rrugë.
“I shikova nga dritarja, ata më bërtitën mua dhe djalit tim” – ka treguar ai. Pastaj, “e kapën, ia lidhën sytë dhe e futën në automjetin ushtarak”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
