Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot në një takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Edmondo Cirielli, me të cilin, ndër tjera diskutoi për rritjen e partneritetit ekonomik mes dy vendeve.
Përmes një komunikate për media, Ministria bëri të ditur se vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi iu kushtua mundësive të reja të bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në: intensifikimin e shkëmbimeve tregtare dhe reduktimin e barierave për bizneset, rritjen e ndërveprimit ekonomik përmes forumeve të përbashkëta të investimeve, dhe zhvillimin e projekteve konkrete në infrastrukturë dhe energji që do të thellonin më tej partneritetin strategjik Kosovë-Itali.
“Italia mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm ekonomikë dhe politikë në sferën ndërkombëtare”- theksoi Konjufca, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Romës në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës.
Përveç komponentit ekonomik, sipas njoftimit, në takim u prekën edhe marrëdhëniet bilaterale politike, procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe zhvillimet e fundit në vend.
Sipas njoftimit, takimi u zhvillua në një frymë miqësore dhe konstruktive, duke rikonfirmuar përkushtimin e të dyja shteteve për të shndërruar raportet e shkëlqyera politike në rezultate konkrete të shkëmbimit tregtar. Zv.ministri italian një ditë më parë ishte takuar edhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku së bashku ishin në vizitë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjatë vizitës në QKUK, sipas Ministrisë të Shëndetësisë, delegacioni u njoftua me investimet e realizuara përmes bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Ministria përkatëse kishte njoftuar se në kuadër të vizitës u zbulua edhe pllaka e AICS-it në Klinikën e Kardiokirurgjisë, si simbol i partneritetit, miqësisë dhe mbështetjes së vazhdueshme për zhvillimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
