Komuniteti ndërkombëtar mblidhet sërish për zgjedhjen e pasardhësit

0%

Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) mblidhet për herë të dytë këtë muaj në përpjekje për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë për Bosnje e Hercegovinën. Për Radion Evropa e Lirë është konfirmuar se mbledhja e PIC-ut është duke u zhvilluar në Sarajevë.

Në mbledhjen e parë, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor, shtetet anëtare nuk arritën të pajtoheshin për pasardhësin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, i cili ka njoftuar për largimin nga kjo detyrë pas pak më shumë se pesë vjetësh mandat.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian Antonio Zanardi Landi – i cili ka edhe mbështetjen e vendit të tij – shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në PIC kanë propozuar për këtë post diplomatin francez, Rene Trocaz.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni pret që Përfaqësuesi i ri i Lartë në Bosnje e Hercegovinë të marrë detyrën deri në fund të qershorit.

As SHBA-ja, as shtetet e tjera anëtare të PIC-ut, nuk kanë specifikuar se çfarë do të ndodhë me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në këtë afat, i cili nuk është detyrues.

Deri në publikimin e këtij lajmi, ambasadat e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë të ardhme presin që të ketë OHR-i dhe çfarë përgjegjësish do të ketë kjo zyrë në të ardhmen.

Bashkimi Evropian, ndërkaq, u përgjigj në një kërkesë të bërë më parë nga REL-i, duke thënë se ende po punojnë për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë, i cili do të përfaqësojë “unitet dhe konsensus”.

Nga Brukseli thanë se kandidati duhet të jetë nga BE-ja, dhe se blloku është i përkushtuar për “stabilitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës” si dhe për perspektivën evropiane si “një shtet i vetëm, i bashkuar dhe sovran”. Kush janë kandidatët e mundshëm për Përfaqësues të Lartë? Aktualisht, dy kandidatët kryesorë janë Landi dhe Trokazi.

Landi është 76-vjeçar dhe është diplomat karriere. Ai ka shërbyer si ambasador i Italisë në Rusi, Vatikan, Serbi dhe Mal të Zi. Aktualisht, ai shërben si ambasador i Maltës në Selinë e Shenjtë. Gjatë karrierës së tij diplomatike, pothuajse 50-vjeçare, ai ka punuar edhe në ambasadat në Otavë, Teheran dhe Londër.

Trokazi, ndërkaq është 67-vjeçar, dhe aktualisht shërben si i dërguar i posaçëm i Qeverisë franceze për Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 1988 ai ka punuar në administratën franceze në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Veç tjerash, në dhjetë vjetët e fundit ai ishte ambasador në Qipro dhe konsull i përgjithshëm i Francës në Jerusalem. Çfarë është PIC-u dhe cili është roli i OHR-së?

PIC është një trup politik ndërkombëtar i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Këshilli Drejtues i tij – në të cilin bëjnë pjesë shtetet kyç perëndimore dhe aktorë ndërkombëtarë – është përgjegjës për zgjedhjen e Përfaqësuesit të ri të Lartë.

OHR është themeluar në vitin 1995 përmes Aneksit 10 të Marrëveshjes së Dejtonit, si një mekanizëm kyç për mbikëqyrjen e zbatimit civil të paqes. Që atëherë, këtë funksion e kanë ushtruar tetë Përfaqësues të Lartë, ndërsa Schmidt është i nënti në këtë post.

Përgjatë viteve, Përfaqësuesi i Lartë ka fituar të ashtuquajturat Kompetenca të Bonit, të cilat i mundësojnë marrjen e vendimeve detyruese, përfshirë shpalljen e ligjeve dhe shkarkimin e zyrtarëve. Megjithëse ishte paraparë si një instrument i përkohshëm, OHR ka mbetur deri më sot një faktor kyç i stabilitetit në Bosnje dhe Hercegovinë. / REL

Burimi: Bota Sot