Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.
Megjithatë, AUV thekson se gjetjet përfundimtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike. Në konferencën për media, kryesuesi i Komisionit për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve dhe udhëheqësi i Zyrës Rajonale të Prizrenit, Durak Zyraku, tha se konstatimi i komisionit bazohet në gjetjet e inspektorëve që kanë qenë në terren.
“Ne si komision, kemi konstatuar, mbas të gjeturave të inspektorëve që kanë qenë në teren, që subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit të datës , ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Kjo ka qenë, është konstatimi fillestar i komisionit”, deklaroi ai.
Zyrapi sqaroi se ai dhe disa zyrtarë të tjerë nuk kanë marrë pjesë në inspektimin brenda fabrikës, duke mohuar raportimet se i gjithë komisioni ka qenë prezent gjatë kontrollit.
“Kurse, sa për hir të korreksisë të opinionit edhe të disa portaleve që po shkruajnë që kemi qenë të gjithë prezent në inspektim, nuk është e vërtetë, për arsye se unë personalisht, edhe pse jam kryesues i Komisionit të Monitorimit, nuk kam qenë në inspektim në fabrikë brenda, kam qenë jashtë zyre, edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk kanë hyrë në pjesën e prodhimit.
Të tjerët, ata që kanë qenë kompetentë edhe që hyjnë në fushën e tyre, kanë qenë, kanë bërë inspektimin dhe kanë bërë konstatimin e vet”, tha ai. Ndërkaq, udhëheqësi i Inspektoratit të AUV, Eroll Shehu, tha se procesi i inspektimit është zhvilluar në mënyrë transparente, por institucioni nuk do të publikojë gjetjet deri në marrjen e rezultateve laboratorike.
“Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar, punët me shumë transparente tërë kohën kemi pasur kamerat rreth veti dhe është në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori. Gjetje diçka tjetër nuk kisha ndarë pa pasur rezultatin përfundimtar të gjetjeve nga laboratori i ushqimit dhe i veterinarisë”, tha Shehu.
Ai shtoi se operatori ka lejuar qasje në të gjitha hapësirat e fabrikës dhe se linja e prodhimit të qumështit të freskët është e ndarë fizikisht nga ajo ku prodhohen produktet me origjinë bimore.
“Procesi i regjistrimit të këtyre fabrikave që përpunojnë, përveç fabrikës, domethënë përveç qumështit fresh dhe produkte të tjera me origjinë jo shtazore, më saktësisht vajin e palmës, nuk është bërë në Republikën e Kosovës.
Me publikimin e vendimit të ministrit, është procedura dhe koha kur operatorët duhet të regjistrohen dhe t’i bëjnë të gjitha procedurat që i lejon atyre”, u shpreh ai.
Një ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i fabrikës Vita, Artan Spahija, deklaroi se pezullimi i përkohshëm i grumbullimit të qumështit ishte vendim i bordit të kompanisë dhe jo masë e institucioneve, duke kërkuar që rezultatet laboratorike të publikohen sa më shpejt për të sqaruar situatën. /KP
