​Kolgeci: Hendbolli i Kosovës po hyn në fazë reformash, buxheti dhe

0%

Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci ka thënë se ecuria dhe zhvillimi i këtij sporti në Kosovë po përballen me sfida që nuk janë të pakta, e të cilat, në radhë të parë, kanë të bëjnë me mungesën e financave.

Në një intervistë për KosovaPress ai ka folur për këto sfida, por edhe për gjërat e mira që po ndodhin në dhe rreth hendbollit, siç është organizimi, këtë muaj, i dy kualifikime për Kampionatin Evropian, ku marrin pjesë 12 shtete si Italia, Finlanda, Estonia e të tjera, e po ashtu edhe për objektivat në arenën ndërkombëtare.

Ai ka theksuar se federata synon reforma në aspektin profesional, ndërsa ka shprehur bindjen se përfaqësueset e Kosovës do të synojnë medalje në Lojërat Mesdhetare. Për pjesëmarrjen e klubeve në garat evropiane dhe mungesën në to të klubit Rahoveci, Kolgeci tha se problemi kryesor mbetet gjendja financiare e klubeve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kolgeci: Fatkeqësisht ka klube që tërhiqen nga garat evropiane për shkak të financave “E vërtetë që këtë herë kemi mundur të paraqitemi edhe me tetë ekipe. Faktikisht ish-kampioni apo nënkampioni (Rahoveci) nuk është paraqitur, Rahoveci nuk është paraqitur për këto gara.

Edhe vjet kanë qenë shtatë, në të kaluarën kemi marrë pjesë me shtatë, tetë, gjashtë ekipe, si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Një prej arsyeve pse nënkampioni, i cili ka qenë afër të jetë kampion dhe finalist i kupës, nuk merr pjesë, ndërlidhet gjithmonë me kushtet dhe buxhetin e klubeve.

Një prej arsyeve pse Rahoveci nuk është, edhe këto klube të tjera nuk janë shumë më mirë në aspektin e buxhetit dhe përfaqësimit në Kupat Evropiane, mirëpo prapë kanë vendosur që të marrin pjesë.”, tregoi fillimisht Kolgeci.

Kolgeci foli edhe për angazhimin e një trajnerit të huaj te kombëtarja e meshkujve, duke thënë që synimi pse u soll ai është reformimi i ekipit dhe përvetësimi i një kulture të re të punës.

Kolgeci: Në kombëtare na duhet freski, andaj morëm trajner të huaj “Nëse e shohim në aspektin ekonomik ndoshta ndonjëherë na kushton më lirë, nëse e shohim kështu si pagë apo si harxhim, prap ëaty jemi mirëpo ideja është që të rifreskojmë dhe të reformojmë.

Në këtë rast, selektori Jasper dhe i gjithë ekipi i tij janë nga shkolla suedeze, nga Superliga suedeze dhe dihet që Suedia është një prej fuqive në hendboll, si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Ideja është të sjellim motivim, ndryshime edhe reforma të mentalitetit si në lojë si jashtë loje.

Posaçërisht duhet investim te gjeneratat e reja, fëmijët prej U14 e më lartë”, vijoi tutje Kolgeci. Kolgeci bëri të ditur se ndryshime të ngjashme, pritet të ndodhin edhe te kombëtarja e femrave.

Kolgeci: Edhe te vajzat do të kemi trajner të huaj dhe ndryshime tjera “Do të shohim që edhe te vajzat të sjellim, sepse tani e mbi 20 vite jemi duke u ngritur vazhdimisht, mirëpo mendoj se ka ardhur momenti që të ndryshojmë disa gjëra edhe në zhvillim të lojtareve të reja në udhëheqeje, në mentalitet edhe ne disiplinë…Jemi në biseda edhe me trajnerë të huaj të disa shteteve evropiane, fuqi të hendbollit, por edhe me disa të regjionit por ne do ta përzgjedhim më të mirin”, zbuloi Kolgeci.

Sa u përket sfidave të përgjithshme të hendbollit në vend, ai veçoi në radhë të parë mungesën e financimit, infrastrukturën sportive dhe nevojën për investime në kuadro profesionale.

Kolgeci: Problemet kryesore në hendoboll janë buxhetimi, infrastruktura dhe investimi në kuadro “Hendbollin kosovar më shumë e mundon si në çdo sport e çdo lami në vitet e fundit buxhetimi, infrastruktura edhe investimi sa më shumë në kuadro të reja te trajnerët, gjyqtarët, delegatët por edhe te stafi i klubeve. Edhe Ligji mbi Sponsorizimin që ka shumë burokraci për klubet.

Unë mendon që një dixhitalizim i thjeshtë do ta lehtësonte këtë punë”, tha Kolgeci. Kolgeci foli për synimet e Federatës në Lojërat Mesdhetare të këtij viti në Itali, duke theksuar se objektivi është fitimi i një medaljeje.

Kolgeci: Në Lojërat Mesdhetare në Itali nuk shkojmë si turist, presim ndonjë medalje “Ne si hendboll marrim pjesë me të dy kombëtaret, meshkuj dhe femra, varet se si do të jetë mundësia e grumbullimit, ka lojtarë që luajnë në Evropë dhe do të kemi problem për t’i liruar klubet për përgatitjet por besoj që do të kenë mirëkuptim pasi që marrin pjesë me kombëtare.

Ne kemi filluar një pjesë të përgatitjeve në kampe, mandej vazhdojmë me përgatitje edhe për Gjeorgji edhe për kampionate të tjera. Por, për Lojërat Mediterane (mesdhetare), nuk po shkojmë atje për turizëm, nuk shkon asnjë federatë besoj.

E kemi marrë seriozisht dhe do të mundohemi që në të dy ekipet t’i kemi lojtarët më të mirë dhe të mundohemi të kthehemi me një medalje, e cila do të ketë rëndësinë edhe më të madhe për shkak se shpresoj që në vitin 2030 do t’i organizojmë edhe këtu Lojërat Mesdhetare”, theksoi Kolgeci.

Në përmbyllje, Kolgeci u bëri thirrje dashamirëve të hendbollit që të mbështesin kombëtaren në ndeshjet kualifikuese që do të zhvillohen në Kosovë, duke theksuar se vendi do të jetë mikpritës i një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare. Nga datën 8 korrik, Kosova organizon dy kualifikime për Kampionatin Evropian, ku marrin pjesë 12 shtete si Italia, Finlanda, Estonia e të tjera.

Burimi: Bota Sot