Jo vetëm uji! Minerali që ju nevojitet më shumë gjatë ditëve të

0%

Kur temperaturat rriten, shumica e njerëzve fokusohen te pirja e ujit. Por ekspertët paralajmërojnë se hidratimi nuk varet vetëm nga lëngjet. Një mineral i rëndësishëm, që organizmi e humbet vazhdimisht përmes djersës, mund të jetë po aq vendimtar për shëndetin gjatë verës.

Bëhet fjalë për kaliumin, një elektrolit thelbësor që ndihmon në funksionimin normal të muskujve, zemrës, sistemit nervor dhe ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në organizëm. Sipas HuffPost, nutricionistët rekomandojnë që gjatë muajve të nxehtë t’i kushtojmë më shumë rëndësi marrjes së tij përmes ushqimit. Pse kaliumi bëhet edhe më i rëndësishëm në verë?

Me djersitjen, trupi humbet jo vetëm ujë, por edhe minerale të rëndësishme, përfshirë kaliumin. Nëse këto humbje nuk zëvendësohen, mund të shfaqen simptoma që shumë njerëz i lidhin gabimisht vetëm me vapën. Sipas Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH), gratë kanë nevojë për rreth 2,600 mg kalium në ditë, ndërsa burrat rreth 3,000 mg.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dietologia Sandra Zhang shpjegon se kaliumi luan një rol kyç në funksionimin e muskujve, transmetimin e sinjaleve nervore, kontrollin e presionit të gjakut, balancimin e lëngjeve dhe ritmin normal të zemrës. Nivelet e ulëta mund të shkaktojnë edhe lodhje të vazhdueshme.

Edhe profesorja Laura Acosta nga Universiteti i Floridës thekson se kaliumi punon së bashku me natriumin për të mbajtur organizmin të hidratuar dhe ndihmon zemrën të rrahë normalisht. Nëse niveli i kaliumit bëhet shumë i ulët ose shumë i lartë, mund të shfaqen aritmi të zemrës dhe, në raste të rënda, edhe komplikime serioze kardiake-paralajmëron ajo.

Shenjat që mund të tregojnë mungesë kaliumi: Mungesa e kaliumit, sidomos kur shoqërohet me dehidratim, mund të shkaktojë: -lodhje dhe mungesë energjie; -dobësi muskulore; -ngërçe; -kapsllëk; -ndjesi të përgjithshme plogështie. Në raste më serioze, ekspertët paralajmërojnë se mund të shfaqen ritme të parregullta të zemrës, rritje e presionit të gjakut dhe komplikime kardiovaskulare.

Ushqimet që ju ndihmojnë të rimbushni rezervat: Lajmi i mirë është se kaliumi gjendet në shumë ushqime të përditshme. Ndër burimet më të pasura janë: -kajsitë e thata; -thjerrëzat;-kungulli; -patatet e pjekura;-lëngu i portokallit; –bananet. Edhe produktet shtazore përmbajnë sasi të konsiderueshme, si qumështi dhe gjoksi i pulës.

Ekspertët theksojnë se gjatë ditëve shumë të nxehta nuk mjafton vetëm të pini më shumë ujë. Një dietë e pasur me ushqime që përmbajnë kalium mund t’ju ndihmojë të ruani energjinë, të shmangni ngërçet dhe të mbështesni funksionimin normal të zemrës gjatë gjithë verës.

Burimi: Bota Sot